EKSKLUZIVE/ Shkëmbi: Teuta për Europë, ja pse e bëra kapiten Osmanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2018 | 22:02

EKSKLUZIVE/ Shkëmbi: Teuta për Europë, ja pse e bëra kapiten Osmanin

Teuta i ka idetë e qarta për sezonin e ri: të aplikojë një futboll argëtues, të mbushë stadiumin dhe në fund të arrijë objektivat. Një ditë më parë, në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, presidenti Edmond Hasanbelliu deklaroi se një vend në Europë është detyrim.

Një mision i vështirë, por jo i pamundur kur shikon emrat që Teuta ka afruar në merkaton e verës. Për më tepër, në krye është edhe një trajner i uritur si Bledi Shkëmbi, që kërkon të tregojë vlerat e tij në Superiore dhe ta rikthejë Teutën në majë. Dje ish-fantazisti pranoi të rrëfehej për gazetën katër ditë nga debutimi në stol me durrsakët. Nga merkato te formacioni, objektivat, dëshirat, por edhe pengjet.

shkembi teutaa

 

Debutimi në Superiore nis nga Teuta. A jeni gati për këtë eksperiencë?

Është një emocion i veçantë, kam një dëshirë të madhe për të bërë mirë. Është një sfidë për mua dhe synimi është të tregojmë që jemi një ekip i fortë dhe jam i bindur që do ta tregojmë. E rëndësishme është që të kemi vazhdimësi. Do të punojmë shumë për të rikthyer Teutën e rëndësishme në kampionat.

Si futbollist, hapin e madh e hodhët te Teuta, tani synoni të bëni të njëjtën gjë edhe si trajner?

Që në momentin që m’u afrua Teuta si mundësi, pas një bisede me presidentin Hasanbelliu, nuk u mendova dy herë. Gjithçka po shkon siç ndodhi kur isha lojtar, sepse te Teuta hodha hapin për të bërë një karrierë të mirë dhe shpresoj të kem të njëjtin fat edhe si trajner.

A është mbyllur merkato për Shkëmbin?

Besoj se merkato është mbyllur, por dera është e hapur për ndonjë lojtar që mund të bëjë diferencën në kampionatin tonë. Në përgjithësi, ekipi është i kompletuar dhe unë jam i kënaqur me merkaton e bërë.

Keni ndonjë peng nga merkato?

Po. Pengu im është që nuk pata mundësinë që t’i kisha të gjithë lojtarët që në fillim të përgatitjeve. Ata që janë bashkuar në ditët e fundit do të ishte mirë të kishin qenë që në fillim për të qenë në 100% të formës, por e rëndësishme është që janë pjesë e Teutës dhe ne si staf po mundohemi t’i kemi në maksimumin që në ndeshjen e parë.

Në miqësore keni aplikuar një skemë sulmuese, e cila ka bërë për vete edhe presidentin Hasanbelliu. Me të njëjtën filozofi do të vazhdoni?

Që kur e nisa karrierën si trajner te Liria e Prizrenti, dëshira dhe mentaliteti im ishte dhe është që të aplikoj një lojë sulmuese, e cila të më pëlqej mua, lojtarëve për të ndierë kënaqësi, por edhe tifozëve nuk diskutohet. Gjithashtu, e di shumë mirë se loja sulmuese duhet të shoqërohet me rezultat pozitiv. Ne duhet të gjejmë balancat për ta luajtur këtë futboll, por një gjë është e sigurt: Teuta gjithmonë do të futet vetëm për fitore në fushë, pavarësisht se si mund të dalë rezultati pas ndeshjes. Për këtë gjë përgjegjësinë do ta mbaj unë.

Në futboll thuhet që sulmi është mbrojtja më e mirë, por Teuta ka vuajtur shumë një vit më parë. Jeni të kënaqur me prapavijën?

Synimi im, por edhe i klubit, ishte për të afruar lojtarë me eksperiencë në mbrojtje për të eliminuar ato probleme që kishte vjet ekipi dhe besoj se ia kemi arritur qëllimit. Kemi marrë dy lojtarë shumë të mirë si Osmani dhe Bicaj, por nuk dua të lë pa përmendur edhe Voglin me Shkallën. Pavarësisht asaj që mund të imagjinohet, për mua do të jenë njësoj. Do të jenë në balotazh katër veta për dy pozicione.

Ndeshja e parë me Flamurtarin në shtëpi. Është avantazh për Teutën?

Mendoj se po. Të luash në fushën tënde, gjithmonë është diçka plus, por personalisht nga eksperienca si lojtar, por edhe nga ajo që kam si trajner, edhe pse e pakët, mendoj se te futbollistët nuk duhet të ketë një ndarje mes fushave. Pra, luajmë në shtëpi apo transfertë, e rëndësishme është të luajmë atë futboll që kemi aplikuar gjatë javës.

Shehi dhe Shkembi

Presidenti u shpreh se në rast se Teuta nuk arrin në Kupat e Europës, do të ishte një dështim. Po ju ku e shihni këtë ekip?

Kemi një grup të mirë lojtarësh dhe nuk duhet ta diskutojmë pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Ky është synimi im, por edhe me afrimet e fundit ne duhet të jemi patjetër aty. Në futboll nëse nuk ka objektiva, duket sikur luhet kot. Gjithmonë është e vështirë për të arritur objektivat, por mua më pëlqejnë sfidat.

Në Superiore do të keni kundërshtar ekipi disa ishshokë skuadre, duke filluar nga Shehi, Devolli etj…?

Këtë vit janë disa trajnerë të rinj që më parë ne kemi luajtur bashkë. Jo vetëm me Shehin, por edhe me Devollin, do të jetë diçka interesante. Të shohim kur të përballemi tani. Respekt maksimal për të gjithë ata, por kur të futemi në fushë, miqësia kalon në anën tjetër dhe dëshira është për t’i mposhtur. Shpresoj që të fitoj unë (qesh).

Keni rreth dy muaj me ekipin, kush është lojtari që ju ka impresionuar?

Në skuadër kam lojtarë shumë të mirë, që kanë mundësi për të dhënë shumë më tepër se kaq. Më vjen mirë që kam lojtarë të rinj kaq të talentuar. Nuk mund të them një emër, pasi janë disa. Hakaj është një nga lojtarët më të mirë në Shqipëri dhe nëse do të punojë fort, do të ketë një të ardhme të ndritur. Gjithashtu edhe Vila. Më ka bërë përshtypje Beqja, sepse është gjithmonë në shërbim të ekipit. Një lojtar shumë punëtor dhe gati kur ekipi ka nevojë.

Mesfusha duket e mbipopulluar, kënaqësi apo problem?

Është shumë mirë për ekipin, nuk mendoj se mesfusha është reparti i mbipopulluar, por kemi aq lojtar sa për të përballuar një kampionat. Më mirë të kem unë dhimbje koke dhe të gjithë lojtarët të jenë në nivelin maksimal. Sa i përket formacionit, nuk ka shumë rëndësi se kush luan nga fillimi apo futet nga stoli, qëllimi është i njëjtë dhe për këtë do të luftojmë të gjithë. Të gjithë janë të barabartë.

Pse vendosët që shiritin e kapitenit t’ia kalonit Tefik Osmanit, në një kohë që më parë kemi parë Isli Hidin në atë pozicion?

Për Osmanin vendosëm bashkë me presidentin, sepse mendoj që ka eksperiencën, nivelin dhe karakterin e duhur për të qenë kapiten ekipi.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"