EKSKLUZIVE/ Shehi-Tirana, vazhdon “lufta e ftohtë” në distancë. Regjistrohet padia në Federatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2023 | 9:00

EKSKLUZIVE/ Shehi-Tirana, vazhdon “lufta e ftohtë” në distancë. Regjistrohet padia në Federatë

Në distancë vazhdon lufta KF Tirana-Orges Shehi. Një ditë më parë, presidenti i Tiranës, Refik Halili, u shpreh në një prononcim për “Panorama Sport”, se Orges Shehi është i paguar deri në muajin dhjetor. Duket se reagimi nga ana e ish-trajnerit bardheblu nuk ka munguar, me Shehin që ka zgjedhur ta ironizojë me një postim në rrjetet sociale.

SHEHI Tirana

“Ça thu mër burr se na habite”, ishin fjalët e zgjedhura të Shehit, duke treguar në njëfarë mënyre se asgjë nga ato që ka thënë numri 1 i Tiranës nuk janë të vërteta.

Gjithsesi, gazeta ka kontaktuar me trajnerin e pezulluar të Tiranës, Orges Shehi, nëse kishte një koment, si për deklaratën e presidentit Refik Halili dhe postimin që ka bërë në “Instagram”.

WhatsApp Image 2023-10-26 at 14.36.55

Trajneri nuk ka dashur të flasë. “Nuk kam asnjë koment, as për fjalët e presidentit dhe postimin. Nuk dua të komentoj. Dua dhe uroj Tiranën të fitojë në kampionat ndeshjet e radhës”, u shpreh shkurtimisht Orges Shehi.

DHKZK – Po kështu është zbuluar se çështja Shehi-Tirana është regjistruar në Dhomën Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve. Në javët në vazhdim do të shihet se si do të sqarohet kjo situatë.

Kujtojmë që Shehi ka ndërmarrë disa hapa ligjorë sa i përket kontratës me Tiranën, teksa kjo e fundit e quan të pezulluar nga detyra 46-vjeçarin nga Durrësi.

KONTRATA – Në fakt, situata është pak e komplikuar mes palëve. Kjo, pasi Halili ka thënë të vërtetën. Rrogat janë paguar, pasi janë 1.2 milionë lekë të vjetër në muaj. Ngërçi është çështje pikash kontrate.

Shehi ka pagesa të tjera si për të drejtën e imazhit apo çështje të tjera. Në këtë fushë po bëhet lufta mes palëve. Luftë që tani është në dyert e FSHF-së.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"