EKSKLUZIVE/ Shehi favorit për stolin e Partizanit, një tjetër emër i njohur lakohet si pasuesi i Lerdës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2019 | 15:10

EKSKLUZIVE/ Shehi favorit për stolin e Partizanit, një tjetër emër i njohur lakohet si pasuesi i Lerdës

Orges Shehi, ish-portieri i “demave”, mund të jetë trajneri i ardhshëm i Partizanit. Ish-kapiteni i të kuqve që ka luajtur me kryeqytetasit nga viti 2005 deri në 2009-ën, pritet të marrë drejtimin e skuadrës kryeqytetase pas shkarkimit të Franko Lerdës. Largimi i italianit ishte i pritshëm pas humbjes në derbi, pasi ishte paralajmëruar prej kohësh.

Shehi

Pas vendimit të presidentit Demi për të larguar trajnerin italian që e kishte mbushur “kupën” pas lloj-lloj situatash që kishte prodhuar në klub, drejtuesit kanë nisur punën për gjetjen e pasuesit të 53-vjeçarit.

 “Panorama Sport” ka mësuar se përfaqësues të klubit kampion kanë biseduar intensivisht gjatë orëve të fundit me ish-trajnerin e Skënderbeut dhe pritet që Shehi të kthehet i kuq pas 10 vitesh. Ish-portieri i shquar ka pasur gjithnjë një lidhje të veçantë me klubin e kuq dhe në kohët e rivalitetit ekstrem gjatë dekadës së fundit, ka qenë ndër të paktët që tifozëria e kuqe e kursente kur ndesheshin me Skënderbeun. Duhet saktësuar se Shehi ende nuk është vendosur zyrtarisht në stolin e Partizanit dhe se nuk përjashtohen surprizat.

Ilir Daja

Mes emrave të përfolur thuhet se ekziston edhe një derbi mes dy klubeve të kryeqytetit për të përfituar shërbimet e trajnerit aktual të Skënderbeut, Ilir Daja. Drejtuesit e kuq kanë vendosur që ta marrin me qetësi situatën, duke bërë që dy ndeshjet e mbetura të 2019-ës të mbyllen me një staf provizor dhe në ditët në vijim të vendosin për pasuesin e Franko Lerdës, i cili në ditët e para të Vitit të ri të nisë punën me të kuqtë në fazën përgatitore dimërore.

Orges Shehi është parë disa herë në tribuna, duke ndjekur ndeshjet e Partizanit, mbase kjo ka qenë rastësi dhe jo një projekt i paramenduar apo i piketuar për të qenë pasuesi i mundshëm i Franko Lerdës.

 ILIR CARA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"