EKSKLUZIVE/ Rritet borxhi në Tatime, Idrizi: S’paguaj sigurime, të luftojmë informalitetin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2023 | 14:13

EKSKLUZIVE/ Rritet borxhi në Tatime, Idrizi: S’paguaj sigurime, të luftojmë informalitetin

Thellohet borxhi në Tatime për Flamurtarin. Dy milionë euro (afro dy miliardë lekë të vjetër) ka shkuar shuma që klubi i detyrohet shtetit dhe kjo vetëm prej sigurimeve shoqërore. Idrizi

Burime pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Vlorë konfirmojnë për “Panorama Sport” këtë detyrim, që vazhdon të rritet prej kamatëvonesave. Nëse dy vite më parë shuma kishte kapur vlerën e 1.8 miliardëve lekëve, sot që flasim ka arritur në 2 miliardë lekë. Për çdo muaj që klubi nuk shlyen detyrimet në tatime, borxhi rritet me 20%. Pagesa minimale e një lojtari në muaj për sigurimet shoqërore shkon në rreth 220 mijë lekë të vjetër. Veç sigurimeve shoqërore, klubit i shtohet edhe një shumë e konsiderueshme edhe për taksat personale të futbollistëve, pasi tatimi mbi të ardhurat personale është i lartë. Gati pesë vite më parë, Flamurtarit iu ofrua një marrëveshje nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve Vlorë për pagesat me këste, por klubi nuk e zbatoi. Ajo çka është më e rënda, është se Flamurtari vijon të jetë me llogari bankare të bllokuara dhe vazhdon të mos paguajë sigurimet shoqërore të futbollistëve.

ADMINISTRATORI – Sinan Idrizi pranon faktin që nuk po i paguan sigurimet. Për “Panorama Sport” thekson se e njeh këtë detyrim dhe shpreh gatishmërinë që t’i “ngrijë” 2 milionë euro dhe t’i paguajë në çdo kohë, por fillimisht kërkon që t’i bashkohen të gjithë në luftën kundër informalitetit në futboll. Administratori thotë se thirrjet e tij për “komisionin qytetar” nuk janë marrë në konsideratë dhe kërcënon se pas festave të nëntorit, do të dalë vetë që të bëjë denoncimet.

“Unë nuk i paguaj sigurimet dhe ju e dini këtë gjë. Gjithë këto vite jam ndëshkuar. Na janë hequr pikët në një kohë kur unë kam deklaruar pagat reale. FSHF na ndëshkoi për mospagesë, kur ajo ishte derdhur në arkën e shtetit dhe na hoqi tri pikët. Ato që unë paguaja për sigurimet e lojtarëve nuk m’i quajti. Kontratat e mia janë të rregullta. Unë i njoh detyrimet e mia, por jam kundër informalitetit dhe në këtë luftë aktualisht jam i vetëm. Unë nuk bëj evazion, por në tatime kam deklaruar pagat reale, ndaj dhe sigurimet janë të larta si shumë. Jam i gatshëm që të paguaj detyrimet, madje të ngurtësoj që tani shumën prej 2 milionë eurosh. Por kërkoj mbështetje nga Këshilli Bashkiak. Unë i ‘ngrij’ që tani, por më jepni siguri që do të më bashkoheni në këtë kauzë që kam. Ju kam bërë thirrje që të ndërtojmë bashkë një komision qytetar për të denoncuar informalitetin. Deri më tani më janë afruar vetëm 3 apo 4 ish-futbollistë të Flamurtarit dhe dy deputetë. Ju them ejani të shkojmë në Prokurori për të denoncuar me fakte dhe për të çuar dosjet që ne kemi. Por nuk po shoh fare reagim. Unë po pres… Nëse nuk do të vijnë e të më mbështesin, atëherë unë do të dal vetë dhe publikisht do t’i nxjerrë të gjitha dosjet që kam. Pas festave të nëntorit, do të më bëjnë që të reagoj vetë”, përfundoi Idrizi për këtë temë.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"