EKSKLUZIVE/ Rrëfimi special i Çekiçit: Pres ftesë në Kombëtare, babai nuk kënaqet kurrë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2019 | 21:26

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi special i Çekiçit: Pres ftesë në Kombëtare, babai nuk kënaqet kurrë (E PLOTË)

Dy gola në dy javë radhazi kanë bërë që Endri Çekiçi të futet në ritmet e tij. Ish-mesfushori i Kombëtares U-21, pas transferimit në Slloveni me Olipija Lubiana, ka rigjetur formën më të mirë dhe është bërë një nga lojtarët e spikatur në javët e fundit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, pogradecari rrëfen jetën në Slloveni, ushqimet, personin që po e shoqëron, tifozin dhe kritikun më të madh dhe mbi të gjitha dëshirën për një ftesë në Kombëtare.

endri cekici olimpija ljubljana

Dy gola në dy javë radhazi, a është kjo forma më e mirë?

Personalisht, ndihem shumë mirë. Jo vetëm për faktin se kam shënuar dy gola, por edhe sepse kam ndihmuar ekipin që të fitojë. Situata pozitive, të cilat më ndihmojnë shumë edhe nga ana psikologjike që të rikthehem ai që besoj se të gjithë presin të jem.

 

Çfarë ka ndryshuar që po tregoni formën maksimale?

Unë besoj se transferimi në Slloveni më ka lehtësuar shumë dhe më ka ndihmuar që të çlirohem psikologjikisht.

Çfarë ndodhi në fillim, që ju ka penguar të japësh më të mirën?

Thjesht kam pasur mungesë minutash dhe mbase mungesë besimi. Ama, këtu sapo kam ardhur ka ndodhur e kundërta. Drejtuesit më kanë dhënë besim dhe gjithashtu trajneri i ri. Kam folur me të kur erdhi dhe që në fillim më tha se do të kem më shumë hapësira dhe që besoj se unë mund të jem një nga pikat e forta të ekipit.

Cekici-goli

E keni ndierë mungesën e minutave apo të përgatitjes nga shokët e tjerë të ekipit?

Jo, në fakt jo, sepse unë e kam bërë të gjithë fazën përgatitore me ekipin. Ndaj, nuk besoj se ishte mungesa e minutave. Thjesht në fillim ishte nevoja për ambientimin me ambientin e ri, me taktikën dhe të gjithë gjërat e tjera.

Çfarë gjetët ndryshe në Slloveni në krahasim me Kroacinë?

Për sa i përket kampionatit, nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Ndryshe është që këtu në Slloveni kanë treguar se kanë besim tek unë. Kjo është pjesa më e rëndësishme. Kjo është ajo që më kishte munguar në Kroaci gjatë shumicës së kohës.

Po në raport me tifozët?

Normalisht që Dinamo Zagreb kishte më shumë tifozë. Mirëpo, edhe këtu në Slloveni, ata që e ndjekin, kanë treguar përkrahje të madhe ndaj meje dhe ekipit. Të gjithë më shkruajnë, më falënderojnë dhe më mbështesin së tepërmi.

Çfarë keni gjetur më mirë sesa në Kroaci?

Nuk mund të them se ka diçka më mirë sesa Kroacia, por rëndësi dhe impakt shumë pozitiv pati mënyra sesi më pritën lojtarët. Që në momentin e parë kanë treguar ngrohtësi dhe më kanë pritur shumë mirë. Kjo ishte gjëja më e mirë që mund të kërkoja në fillimet e mia këtu.

Cekici

A është momenti që Çekiçi të ketë ftesë në Kombëtaren A?

Olimpija është ekipi kampion i Sllovenisë dhe nëse unë vazhdoj me këto ritme, besoj se do të isha gati edhe për Kombëtaren. Për sa i përket ftesës, kjo është diçka që e vendos trajneri, pasi ai është njeriu që i shikon lojtarët.

E prisni një ftesë në këtë grumbullim të radhës?

Normalisht. Unë jam gati në çdo moment. Mirëpo, e rëndësishme për mua është që të vazhdoj me këto ritme dhe të kem sa më shumë minuta. Referuar Kombëtares, besoj se do të vijë edhe dita ime që të jem pjesë e saj.

Keni pasur ndonjë kontakt nga trajneri apo stafi i tij?

Jo, momentalisht jo.

Si është qyteti ku jetoni në Slloveni?

Qyteti nuk është as i vogël dhe as i madh. Është një qytet mesatar, është kryeqyteti me bukuritë e veta, me ndërtesa të vjetra tradicionale, me lumin që kalon përmes tij. Çmimet janë besoj normale për jetesën këtu.

Me kë po jetoni në Slloveni?

Momentalisht jetoj me mamanë.

Endri Cekici 2

Si është ushqimi në Slloveni, diçka karakteristike apo tradicionale?

Pff (mendohet…), nuk di ta them. Nuk kam parë asgjë të veçantë dhe më duken të gjitha ushqime normale.

Çfarë muzike preferoni?

Nuk kam një të veçantë dhe të përzgjedhur. Muzikën e zgjedh në varësi të humorit që kam. Kur jam i gëzuar, muzikë me ritme dhe kur jam i mërzitur, diçka të qetë.

Si kalon koha e lirë në Slloveni?

Varët nga ditët, nga moti. Zakonisht me shokët. Ndonjë kafe në qytet ose ndonjë shëtitje. Ka raste kur dalin në park apo kur mund të bëjmë edhe ndonjë shëtitje me biçikleta. Varet, ka disa mënyra në fakt.

Kanë interes për Shqipërinë dhe çfarë mendimi kanë për vendin tonë?

Shokët e skuadrës më pyesin herë pas herë për gjëra të ndryshme. Kanë dëgjuar shumë për shqiptarët dhe si gjithmonë, gjërat e këqija të vrasin veshin në fillim. Si kudo në Europë (qesh…). Pastaj e kuptojnë që edhe ne jemi njerëz të qetë si gjithë të tjerët.

Çfarë planesh keni për këtë sezon?

Personalisht, dua që të vazhdoj me këto ritme. Kemi finalen e Kupës përpara dhe shpresoj që të dalim kampionë.

A është Sllovenia një trampolinë për të ardhmen tuaj?

Normalisht që po. Ky është edhe synimi pse e bëra këtë zgjedhje. Momentalisht, synoj që të kthehem në ato ritme që kam qenë më përpara, të shënoj sa më shumë gola dhe pastaj të shohim për një hap më lart.

Keni një kampionat të preferuar?

Mua më pëlqejnë ato kampionate ku luhet edhe më shumë topi. Mund të them La Liga në Spanjë apo Bundesliga gjermane.

Ka Çekiçi një lojtar të preferuar ose një idhull?

Ka disa lojtarë. Normalisht që lojtari më i mirë në botë është Mesi, por unë nuk do ta shikoja si idhull. Idhull do të shihja dikë që është bërë me punë, ndërsa për të e dimë të gjithë që është i lindur.

Kush është kritiku juaj më i madh?

Babi (Ylli Çekiçi) (qesh…). Nuk di të them për çfarë më kritikon, por nuk besoj se ka ndonjë ndeshje që të më komplimentojë (qesh…). Ai shikon gjithmonë ato pika që unë duhet të përmirësohem dhe t’i bëj në perfeksion. Si çdo prind, normalisht dhe e mirëkuptoj.

Po adhuruesi apo tifozi më i madh i juaji?

Babi prapë (qesh…).

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"