EKSKLUZIVE/ Probleme për Kukësin, 3 lojtarëve i ka skaduar kontrata. Zbulohet prapaskena, njoftohet FSHF për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2020 | 20:15

EKSKLUZIVE/ Probleme për Kukësin, 3 lojtarëve i ka skaduar kontrata. Zbulohet prapaskena, njoftohet FSHF për…

Kukësi ka qenë shumë aktiv në merkato, si në dalje ashtu dhe në hyrje. Por, tashmë trajneri Skënder Gega do t’i duhet t’i bëjë llogaritë ndryshe pas eliminimit nga Kupat e Europës. Largimi i dy shtyllave të ekipit, Besar Musollit dhe Eduart Rrocës, pritet të pasohet nga të tjera firo.

maliqi

Tashmë Kukësi rrezikon të humbasë mbrojtës si Edis Maliqi, Erhun Obanor dhe Bruno Lulaj. Anësori i linjës së djathtë të mbrojtjes, Maliqi, është një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës së Gegës dhe nëse largohet lë një boshllëk të madh. Maliqit i ka skaduar kontrata me mbylljen e ndeshjeve të Kupave të Europës dhe mes tij e Kukësit akoma nuk ka pasur një marrëveshje të re për të zgjatur bashkëpunimin për sezonin 2020-2021.

“Panorama Sport” mëson nga burime në klub se kjo marrëveshje është në pikëpyetje, pasi lojtari ka oferta nga skuadra në Maqedoninë e Veriut dhe në vendet ballkanike. Gazeta zbulon se Maliqi, në bazë të kontratës që ka pasur klubin, duhet të njoftonte ata kohë më parë që nuk ka dëshirë të rinovojë. Këtë shkresë ai e ka dërguar edhe në federatë, që në fakt ka qenë detyrim për t’u bërë nga lojtari.

Por, mësohet se këtu është edhe ngërçi, te kërkesa. Nga klubi bëjnë me dije se lojtarit i ka hyrë në fuqi kontrata e re, pasi ajo nuk është bërë në kohën e duhur. Tashmë për shkak të pandemisë dhe shtyrjes së kampionatit, rregullat kanë ndryshuar dhe kërkesat trajtohen ndryshe. Gjithsesi, pritet që ditën e sotme Maliqi të ulet me drejtuesit e Kukësit. Lojtari i ka kërkuar klubit lejekalimin pasi kontrata i ka përfunduar. Maliqi zhvilloi dy sezone të suksesshme me Kukësin, ku arriti të bëhej shumë shpejt titullar i padiskutueshëm.

Obanor Gega

TË TJERËT – Gazeta mëson se në të njëjtën situatë me Maliqin janë edhe qendërmbrojtësit Erhun Obanor dhe Bruno Lulaj, të cilëve u ka skaduar kontrata në momentin që Kukësi u eliminua nga Kupat e Europës.

Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se Obanor ka bërë kërkesë në FSHF për t’u larguar në përfundim të sezonit. Nuk dihet nëse e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Lulajn, për të cilin u përfol se kishte akord me Lokomotivën e Zagrebit. Tashmë mbetet për t’u parë pas bisedave që lojtarët do të kenë me drejtuesit e klubit dhe nëse do të pranojnë marrëveshjet e reja apo do të largohen përfundimisht nga Kukësi.

SKERDILAID SULOZEQI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"