EKSKLUZIVE/ Presion me kontratat te Flamurtari, një rezultat i keq mund të sjellë prishje marrëveshjesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2023 | 11:20

EKSKLUZIVE/ Presion me kontratat te Flamurtari, një rezultat i keq mund të sjellë prishje marrëveshjesh

Emiljano Çela kërkon kthesën e madhe. Ashtu si administratori Sinan Idrizi, edhe trajneri nuk pranon më gabime. Një gjë të tillë ua ka bërë të qartë edhe lojtarëve. Në një takim që ka bërë me ta, ai është munduar që t’i shkundë. “Panorama Sport” zbulon një pasazh të bisedave që numri një i pankinës ka bërë së fundmi me të tijtë. Memalioti beson se ky nuk është potenciali i kësaj skuadra, ndaj pret edhe reagim.

flamurtari

“Unë besoj se ju keni më shumë për të dhënë. Jam shumë i bindur se këto nuk janë mundësitë tuaja. Keni shumë potencial, që duhet ta jepni në fushë”, mësohet se është shprehur trajneri. Por Emiljano Çela ka qenë shumë i prerë, teksa ka kërkuar nga futbollistët që të luajnë për veten e tyre, por edhe të fitojnë po për vete.

“Luani për veten tuaj. Fitoni për veten tuaj”, u ka thënë ndër të tjera futbollistëve trajneri pas barazimit në Krujë, një rezultat që për pritshmëritë e mëdha, të cilat ka skuadra mund të cilësohet edhe si një humbje. Në fakt, edhe pas ndeshjes, në prononcimin e tij, Çela theksoi se për këtë ecuri të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Patjetër që për këto rezultate duhet të mbajmë përgjegjësi. Kurrë nuk e kemi pritur një start të tillë, 2 pikë në 3 ndeshje. Sigurisht që përgjegjësia bie mbi trajnerin, pra është imja. Shumicën e lojtarëve i kam ftuar unë që të jenë pjesë e Flamurtarit dhe për të tjerët po ashtu kam dhënë OK-in. Për detajet kontraktuale, pastaj, patjetër që ka folur klubi. Por mendoja, në fakt mendoj ende, që janë elementë të rëndësishëm për një klub të madh dhe me objektiva po aq të mëdhenj si Flamurtari”, ka thënë Çela.

MASAT – Të gjithë e dinë që pas ndeshjes me Vorën nuk do të ketë më tolerime. Në rast të një rezultati negativ, masat do të jenë të pashmangshme.

Gazeta zbulon se ndëshkimet nuk do të jenë vetëm financiare. Nëse me Vorën skuadra nuk do të shfaqet në pritshmëritë e publikut dhe drejtuesve, do të ketë zgjidhje kontratash.

Natyrisht që stoli mbetet edhe më i rrezikuari në raste të tilla dhe Emiljano Çela e ka shumë të qartë këtë gjë. Por nuk do të mbeten pas as futbollistët. Gjasat janë që të ketë ndërprerje të kontratave me disa lojtarë.

Ndoshta do ta pësojnë titullarët që nuk kanë qenë në pritshmërinë e kërkuar. Por një dështim tjetër nuk do të kalojë pa gjoba. Të paktën deri dje, drejtuesit e klubit nuk u kishin komunikuar futbollistëve ndëshkime financiare pas barazimit me Kastriotin.

Gazeta mëson se klubi i ka “falur”, por nuk do të jenë kaq zemërgjerë pas Vorës, nëse do të zhgënjejnë. Gjobat e parashikuara që do të vendoseshin pas Kastriotin do të rimbursohen pas së shtunës. Kjo do të rëndonte edhe më shumë xhepat e futbollistëve, pasi parashikohet që futbollistëve t’u mbahen jo pak, por 4 rroga.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"