EKSKLUZIVE/ Presidenti u kishte deklaruar premio në rast fitoreje të derbit, zbulohet shuma që përfitojnë lojtarët e Tiranës (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2019 | 21:50

EKSKLUZIVE/ Presidenti u kishte deklaruar premio në rast fitoreje të derbit, zbulohet shuma që përfitojnë lojtarët e Tiranës (E PLOTË)

Tirana feston deri në mëngjesin e së shtunës për fitoren në derbi, por titullarët do të marrin një premio të majme, meqë mundën Partizanin. Si zakonisht, presidenti Refik Halili nuk harron t’i shpërblejë lojtarët e tij për fitoren në derbin me Partizanin. Në një nga takimet që presidenti ka zhvilluar me skuadrën para takimit ai u kishte bërë me dije se për ekipin në rast fitoreje do të kishte premio. 

refik halili

Burime në skuadër bëjnë me dije se premioja do të ishte diku te tre milionë lekë për secilin nga lojtarët që luajti në fushë. Një shumë goxha e madhe për të gjithë lojtarët të cilët bënë të pamundurën për të marrë tri pikët që mungonin prej gjashtë vitesh. Jo vetëm kaq, por presidenti i ka takuar lojtarët në përfundim të takimit, duke i uruar.

Ai u ka bërë të qartë se do të takohet sërish me ekipin. Presidenti, gjithashtu, deri para derbit kishte paguar të gjithë lojtarët, duke treguar se ai ishte në rregull me gjithçka, por ishin lojtarët në borxh ndaj tij.

Tirana festa pas derbit

FESTA 

Gjithsesi, nuk ka mbaruar këtu. Menjëherë pas fitores me Partizanin në grupin e “Whatsapp”-it të skuadrës ka ardhur një ftesë për të festuar.

Ka qenë djali i presidentit Refik Halili, Grent Halili, i cili ka ftuar të gjithë në një nga lokalet e Tiranës ku skuadra ka festuar deri në të gdhirë fitoren në derbin me Partizanin. Fotot e publikuara nga lojtarët janë të shumta ku futbollistët harbohen pas derbit të fituar.

Tirana derbi

TERSI I SË PREMTES MBRËMA

Të fitosh në derbi, jo gjithmonë të duhet forca. Tirana dhe Partizani ndonjëherë janë kapur pas vogëlsirave si rasti i pankinave, stadiumeve, vendeve të tifozëve apo edhe dita e ndeshjes. Pikërisht kjo e fundit këto vitet e fundit ka një simbolikë të veçantë në të dy krahët. Nga fitorja e fundit e Tiranës, që shënon më 7 shkurt 2014, nga 18 takime të luajtura, dhjetë janë zhvilluar ditën e premte. Edhe pse bardheblutë fitoren e fundit e kishin pasur të premten e 7 shkurtit 2014, sërish kjo ishte ditë tersi për ta, sepse në shtatë ndeshjet e tjera Tirana kishte dështuar të fitonte.

Në dy raste ekipet i kanë mbyllur ndeshjet pa gola, ndërsa në pesë raste të tjera kanë qenë të kuqtë, të cilët kanë fituar. Për fiksim, Tirana, pikërisht më 13 dhjetor 2019, që qëlloi të ishte ditë e premte, e theu edhe këto besëtytni, duke treguar qartë se e premtja tani është dita e Tiranës. Bardheblutë janë katër takime përpara, në sfidat që janë luajtur që nga 1998-ta.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"