EKSKLUZIVE/ “Pres shansin te Brentfordi”, shok ekipi me Eriksenin, Roi Syla: Synoj Kombëtaren A! Ja çfarë bën danezi në stërvitje (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2022 | 12:41

EKSKLUZIVE/ “Pres shansin te Brentfordi”, shok ekipi me Eriksenin, Roi Syla: Synoj Kombëtaren A! Ja çfarë bën danezi në stërvitje (E PLOTË)

Shok ekipi me Kristian Eriksenin, Roi Syla, lojtari shqiptar 21-vjeçar që është pjesë e Brentfordit në Premier Ligë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori flet për aventurën në Angli si dhe angazhimin për herë të parë me ekipin Shpresa të Shqipërisë. Gjithashtu, ai tregon objektivat, por zbulon edhe çfarë ndodh me Eriksenin gjatë stërvitjes.

ROI SYLA

 

Duke qenë se ju aktivizoheni disi larg nga Shqipëria, mund të na flisni më shumë për aventurën tuaj futbollistike në Angli?

Shumë mirë, këtë sezon kam firmosur me Brentfordin, që merr pjesë në Premier Ligë. Kam rreth tetë muaj që stërvitem në një nivel të lartë, me lojtarët e ekipit të parë, sepse stërvitjen e zhvillojmë të gjithë bashkë.

Ju jeni me ekipin e të rinjve apo me ekipin e parë?

Jemi U-23 dhe ekipi i parë i Brentfordit. Jemi një grup dhe stërvitjen e bëjmë bashkë, luajmë ndeshje kundër. Çdo gjë shkon shumë mirë.

Keni lindur në Angli dhe jeni rritur aty. Mund të na thoni se ku e keni nisur karrierën?

Po, kam lindur këtej. Në moshën 12-vjeçare kam firmosur për Barnetin, kategoria e pestë në Angli. Kam ndenjur 8 vite aty, deri në moshën 20 vjeç. Më pas erdhi mundësia për t’u provuar tek ekipi i Brentfordit. E lashë Barnetin për të shkuar aty, ishte një rrisk, por brenda vetes isha i bindur që mund të luaja edhe më lart, kështu që shkova u provova dhe fatmirësisht më pëlqyen dhe firmosa aty.

Brentford, jeni detyruar të shkoni disi larg shtëpisë?

Jo, fatmirësisht është afër. Ndodhet brenda në Londër, nga shtëpia e kam vetëm 20 minuta larg.

Çfarë përshtypjeje patët kur shkuat në fillim?

E kam ndier ndryshimin menjëherë. Që tek intensiteti i stërvitjes, mënyra se si ushqeheshin, programet e palestrës që aplikojmë çdo ditë. Kujdesen edhe për detajet më të vogla. Për të shkuar edhe te stërvitja ekstra, kur mbaron me grupin, të duhet që të bësh edhe disa ushtrime ekstra, goditje në portë ose goditje me kokë. Çdo lojtar apo trajner punon shumë, nuk mendon njeri që hajde se mbaruam stërvitjen dhe të ikim sa më shpejt në shtëpi.

Roi, ju luani mesfushor. Keni një model lojtari që ndiqni dhe mësoni duke parë atë?

Mund të them që është Verati. E pëlqej shumë si lojtar. E ndjek gjithmonë. Kam të njëjtin rol në fushë, një mesfushor mbrojtës. Ai luan shumë mirë me topin, ndërhyrjet në tokë i ka perfekte, është idhulli im.

Këtë sezon a jeni i kënaqur personalisht me veten tuaj?

Patjetër që po. Kam firmosur me një klub të Premier Ligës, jam grumbulluar edhe me ekipin U-21 të Shqipërisë. Stërvitem me ekipin e parë dhe kam luajtur me ekipin B të Brentfordit.

Mendoni se një ditë keni shanse të luani me ekipin e parë?

Shpresoj se po. Përpara kemi fazën përgatitore, që bëjmë më shumë stërvitje dhe më shumë ndeshje. Aty është mundësia ime për të treguar se çfarë jam i aftë që të bëj. Nëse do të paraqitem mirë, ka mundësi që t’i bashkohem ekipit të parë për sezonin që vjen.

Kalojmë pak nga Kombëtarja, jeni grumbulluar për herë të parë nga ekipi Shpresa.

Po, me ekipin U-21 është hera e parë. Por kam qenë edhe më parë me ekipin U17 dhe U-19 të Shqipërisë ku kam luajtur vetëm në ndeshje miqësore.

Nga Kombëtarja U-21, kush ju ka kontaktuar?

Skautët e ekipit kombëtar. Kishin dërguar ftesë te klubi im ku më kërkonin që të grumbullohesha këtë radhë. Rreth 3-4 javë më përpara. Më thanë që jam paraqitur mirë dhe se Shqipëria kërkon që të të ketë të gatshëm për dy ndeshjet që u luajtën.

Si ju priti grupi, a njihnit dikë nga shokët e skuadrës?

Po, njoh disa pasi i kam pasur me U-17 dhe U-19. Kam Armando Dobrën, i cili gjithashtu luan këtu në Angli. Të gjithë janë çuna shumë të mirë dhe nëse luajmë të gjithë bashkë do të arrijmë gjëra të mëdha.

E shihni vetën një ditë pjesë të Kombëtares A, duke mos harruar se lojtarët që janë tani kanë një nivel të lartë?

Rruga është aty. Duke qenë pjesë e ekipit U-21 dhe skuadrës ku luaj këtu në Angli, duhet të punoj shumë fort për të arritur diçka të tillë. Nuk është e lehtë pasi aty janë lojtarë që luajnë në Serinë A dhe kampionate të tjera. Mendoj se e kam shansin.

Ju stërviteni në një ekip me Eriksenin, i cili u rikthye nga ajo ngjarje e rëndë që i ndodhi. Çfarë mund të na thoni diçka të veçantë?

Po, e vërtetë, stërvitemi bashkë. Nuk është se kam folur shumë, por e shoh që qëndron shpeshherë pas stërvitjes dhe praktikohet me goditjet e dënimit, me të dyja këmbët. Rri 20-30 minuta mbas stërvitjes, me goditje dënimi, goditje këndi, nonstop, i ka perfekte…

Objektivat tuaj për të ardhmen?

Synimet e mia janë që të arrij të luaj sa më shpejt me ekipin e parë të Brentfordit dhe pastaj të jem pjesë edhe e Kombëtares A. Do të ishte fantastike. Gjëja më e madhe.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"