EKSKLUZIVE/ Pesë lojtarë hezitojnë të rinovojnë me Tiranën, mund të ketë largime brenda janarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2022 | 23:48

EKSKLUZIVE/ Pesë lojtarë hezitojnë të rinovojnë me Tiranën, mund të ketë largime brenda janarit

Te Tirana nuk mendojnë vetëm për merkaton. Rinovimet janë në plan të skuadrës. Të paktën pesë titullarëve u është ofruar një marrëveshje e re, por ende nuk ka një njoftim zyrtar. Presidenti Refik Halili dhe drejtori Tefik Osmani duhet të punojnë shumë për të bindur lojtarët.

TIRANA 1

Siç mëson gazeta, disa prej futbollistëve kanë shprehur haptazi dëshirën që të flitet në fund të sezonit për të ardhmen, duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit. Gjithsesi, lënia në fund të sezonit e rinovimeve mund të sjellë largimin e lojtarëve.

Kjo, sepse pesë lojtarë të formacionit rrezikojnë të ikin në fund të sezonit, pasi u mbaron kontrata. Kështu, Vesel Limaj, Zhoselin Behiratçe, Albano Aleksi, Kristijan Toshevski dhe Visar Bekaj në maj të 2023-shit do të jenë pa kontratë.

Pa kontratë në verë dalin edhe lojtarë nga stoli i rezervave si Ilion Lika, Bruno Lulaj, Realf Zhivanaj dhe Ardit Hila. Gjithsesi, Tirana në këtë moment që flasim, duhet të nisë rinovimet sepse në të kundërt do të shohë ekipin pa lojtarët titullarë ashtu siç ndodhi sezonin e shkuar, duke nxituar vetëm sekondat e fundit të merkatos që të plotësohej.

GJENDJA – Zhoselin Behiratçe ka shprehur haptazi dëshirën për të diskutuar mbi kontratën e re futbollistike, por ende nuk e ka kontaktuar njeri.

Për Kristijan Toshevskin situata është pak më ndryshe. Me shumë mundësi për lojtarin ky do të jetë sezoni i fundit si bardheblu, pasi zor se mbrojtësit do t’i rinovohet kontrata. Mbetet Albano Aleksi, i cili ka thënë se do të flasë me klubin në fund të kampionatit.

Tej të gjithave, të pestë së bashku bëjnë boshtin e skuadrës, pa llogaritur katër rezervat që e mbyllin me Tiranën në fund të sezonit. Bekaj dhe Limaj që fituan titullin me Tiranën ndoshta do të jenë të parët, të cilët do të largohen në fund të sezonit. Portieri e ka shprehur hapur qëllimin për të luajtur në një kampionat më të fortë.

E sigurt është edhe historia e Limajt, i cili nëse nuk aktivizohet titullar do të shohë një rrugë tjetër. Dilema e madhe është edhe Orges Shehi.

Trajneri ka një vit kontratë, por deklaratat e të dyja palëve që kontrata do të zbatohet deri në fund të saj vë shumë dyshime.

Çfarë ndodh nëse Shehi sjell titullin tjetër? Fakt është që marrëveshja mbyllet në qershor të 2023-shi.

lojtaret

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"