EKSKLUZIVE/ Përplasja në distancë vazhdon, Halili “i dërgon” SMS Shehit: I paguar deri në dhjetor, zbatojmë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2023 | 13:24

EKSKLUZIVE/ Përplasja në distancë vazhdon, Halili “i dërgon” SMS Shehit: I paguar deri në dhjetor, zbatojmë…

KF Tirana është e bindur që nuk ka shkelur kontratën me trajnerin Orges Shehi, madje marrëveshjen do ta zbatojë deri në fund. Ka qenë vetë presidenti i bardhebluve, Refik Halili, i cili ka konfirmuar një gjë të tillë për gazetën “Panorama Sport”. Numri një i Tiranës pranoi se në klub ka mbërritur një shkresë nga trajneri Orges Shehi.

Orges-Shehi-dhe-Refik-Halili

“Po, është e vërtetë që ka mbërritur një shkresë në klub për përmbushje kontraktuale. Datën nuk e kam fiksuar, sepse më duket se nuk kishte. Mund të them vetëm që KF Tirana ka zbatuar, zbaton dhe do të zbatojë marrëveshjen që ka me trajnerin e pezulluar. Nëse nuk gabohem, por më duhet ta saktësoj, deri në dhjetor gjithçka është e plotësuar nga ana financiare. Kaq mund të them. KF Tirana zbaton çdo kontratë dhe rregull”, është shprehur Refik Halili, pas lajmit që Orges Shehi ka kërkuar përmbushjen e detyrimeve kontraktuale.

Halili sqaroi se situata është e qetë dhe u qëndron fjalëve dhe veprimeve të mëparshme, pra pezullimit të trajnerit deri në fund të kontratës. Një veprim, që, paçka të gjithave, e bllokon klubin të emërojë një trajner të ri.

TRAJNERI – Orges Shehi ndërmerr hapa konkretë në drejtim të Tiranës. Trajneri i pezulluar i bardhebluve ka dorëzuar në FSHF dhe për Tiranën një shkresë njoftuese.

Trajneri i shkarkuar apo i pezulluar, dhe kjo varet nga interpretimi që i bëjnë situatës palët, ka kërkuar zbatimin korrekt të kontratës dhe detyrimeve. Një lëvizje kjo që pritej nga trajneri, i cili qëndron i emëruar në krye të bardhebluve, ndonëse është i pezulluar nga puna.

Tirana, nga ana e saj, pritet të përmbushë kontratën mes palëve, pasi e ka detyrim ose do kalojë në heshtje.

PËRPLASJA – Tirana dhe Orges Shehi janë në një marrëdhënie dhe nëse njëra palë nuk përmbush kontratën, atëherë shkallët e veprimeve mund të jenë të ndryshme si nga njëra palë, po ashtu edhe nga tjetra.

Nga ana e trajnerit mund të ketë një vendim për kalimin e çështjes në gjyq për të prishur kontratën që ka me KF Tiranën për mospërmbushje detyrimesh. Edhe KF Tirana mund të kërkojë prishjen e kontratës. Ndërkohë, Partizani është në pritje të zgjidhjes së kësaj situate, pasi durrsaku mund të jetë trajneri i ri i tyre.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"