EKSKLUZIVE/ Partizani refuzon 150 mijë euro për sulmuesin nigerian, zbardhen prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2024 | 16:13

EKSKLUZIVE/ Partizani refuzon 150 mijë euro për sulmuesin nigerian, zbardhen prapaskenat

Kristian Mba e ka nisur me plot vështirësi këtë sezon të ri te Partizani, por kjo nuk e largon nigerianin nga merkatoja.

mba

Aktualisht 24-vjeçari po rikuperohet nga një tërheqje muskulore në Tiranë dhe nuk ka udhëtuar në Turqi për fazën përgatitore. Burime për “Panorama Sport” bëjnë me dije se lojtari i ka shprehur klubit dëshirën për të bërë një hap më të madh në karrierë dhe drejtuesit janë shprehur të hapur për oferta. Për sulmuesin ka pasur një propozim nga Sllovenia me vlerën 150 mijë euro.

Gazeta mëson se presidenti Demi e ka konsideruar të ulët këtë shifër për shkak se vetëm në janarin e vitit të shkuar shpenzuan plot 180 mijë euro për ta blerë, teksa nigeriani është edhe një nga sulmuesit më të paguar në skuadër. Demi pretendon të rikthejë nga Mba të gjitha paratë e shpenzuara për të dhe do të ishte i kënaqur me një shifër prej afro 250 mijë eurosh.

STRATEGJIA – Te Partizani i kanë të qarta idetë. Presidenti Demi nuk kërkon të bëjë shitje nën kosto dhe këtë e ka konfirmuar edhe në këtë rast me Kristian Mba. Klubi e ka bërë të qartë se kërkon të funksionojë si një biznes dhe të ardhurat të vijnë gjithnjë e në rritje. Sakaq, merkatoja vijon dhe nuk përjashtohet që në tavolinën e presidentit Demi të mbërrijë një tjetër ofertë, këtë herë më bindëse. Në merkato vijon të jetë edhe Rrapaj, i cili e ka deklaruar hapur se pret nga dita në ditë të bëjë hapin e madh.

SHIFRAT – Kristian Mba, i kushtëzuar nga dëmtimi në muskujt e barkut e më pas nga një tërheqje, ka zbritur vetëm 14 herë në fushë këtë sezon. Ai ka shënuar 2 gola dhe ka dhuruar 1 asist. Vjet sulmuesi realizoi 5 gola dhe dhuroi 4 asiste në 21 ndeshje.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"