EKSKLUZIVE/ “Partizani pa stil loje dhe organizim”, Neptun Bajko: Duhet kampionat edhe me ekipe të dobëta, të bëhet me 14

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2024 | 20:18

EKSKLUZIVE/ “Partizani pa stil loje dhe organizim”, Neptun Bajko: Duhet kampionat edhe me ekipe të dobëta, të bëhet me 14

Në mediat e vendit tonë kemi parë emra të shumta, që dalin dhe japin opinionin e tyre mbi Kategorinë Superiore, por një që e meriton më së shumti është profesor Neptun Bajko. Ish-trajneri i Kombëtares së Shqipërisë dhe disa herë i ekipit të Partizanit tashmë e ndjek gjithçka në distancë, por analizon me një këndvështrim krejt unik.

Bajko

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-trajneri i bën një skaner Superiores, ku ndalet pak më shumë te Partizani. Ai shprehet se të kuqtë nuk kanë një stil të caktuar loje dhe çalojnë në mesfushë. Sipas profesorit, skema “Final 4” duhet të hiqet, por edhe kampionati duhet të luhet me 14 ekipe.

Profesor, si ju duket skema e re me të cilën po luhet Kategoria Superiore?
Të them të drejtën, e kam pasur të vështirë të kuptoj një skemë të tillë, por nuk kam reaguar, sepse kam menduar se ata që merren me këtë punë e dinë më mirë. Kam arsyetuar se ata e kanë analizuar më me hollësi mbi përfitimet që do të ketë futbolli në Shqipëri nga kjo skemë. Por mesa po shikojmë dhe ndjekim kampionatin, deri më tani më tepër ka zhgënjime, sesa ndonjë ecuri dhe përparim të futbollit tonë në të gjitha aspektet. Këtë javë u përballën Partizani dhe Egnatia, që ishte duel direkt.

Këtë javë u përballën Partizani dhe Egnatia, që ishte duel direkt. Çfarë nuk shkoi si duhet te “demat”, të cilët nuk dolën me sukses nga kjo sfidë?
Unë mendoj se janë dy ekipe me potencial të madh në përbërjen e tyre. Partizani ka një skuadër të kompletuar pothuajse në çdo aspekt dhe me lojtarë me të dhëna shumë të mira. Ajo që mendoj unë se nuk po shkon tani për tani është që skuadra ende nuk ka një stil loje të veçantë. Nuk ka një mënyrë organizimi, nuk janë një ekip që veprojnë në bllok, por më tepër janë të përqendruar te cilësitë individuale të lojtarëve. Tjetër gjë që nuk shkon te Partizani është mungesa e presingut në momente të veçanta kur duhet të reagojë. Pra, nuk e shoh një lojë të tillë, që do t’i jepte ekipit frymëmarrje dhe do të ishte më konkret në të gjitha aspektet. Egnatia ka ekip të mirë, me lojtarë shumë të mirë. Luan një lojë tepër racionale. Në aspektin mbrojtës janë të kujdesshëm dhe kanë aplikuar me sukses lojën e kundërsulmit, me veprime të shpejta në gjysmëfushën e kundërshtarit. Janë dy ekipet e organizuara më mirë në këtë kampionat, por në kohët e fundit janë përfshirë nga oshilacione të pakuptueshme.

Mendoni se ndeshjet mes rivalëve direkt që janë luajtur deri më tani tregojnë ndopak edhe mbi atë që do të ndodhë në “Final 4”?
Jo, unë mendoj se në “Final 4” të gjitha ekipet që do të marrin pjesë, do të kenë një tjetër pamje. Mobilizimi do të jetë me shumë se 100% për të arritur në rezultatin e dëshiruar. Do të tregojnë gjithçka kanë, por shpresoj që të mos ndihet lodhja e lojtarëve për të përballuar ato dy ndeshje. Kampionati ka ardhur në një moment të tillë, kur pothuajse të gjitha ekipet po shprehin shenja lodhjeje nëpër reparte dhe në lojtarë të veçantë.

E prisnit që Partizani apo edhe ndonjë ekip tjetër si Vllaznia apo Tirana, të diskutonin ende pjesëmarrjen ne katërshe?
Unë mendoj se ekipe si Partizani, Vllaznia apo dikush tjetër që po pretendon të jetë në katërshe, kanë gabuar në përllogaritjen e tyre. Nuk i kanë vlerësuar ndeshjet që kanë pasur, duke lejuar që të paraqitet kjo situatë. Tri ekipe, duke përfshirë edhe Tiranën, pretendojnë të jenë në katërshe, por jo me qasjen e duhur.

Me ardhjen e Shehit prisnim një kampionat më të mirë për Partizanin. Përse mendoni se nuk po ndodh kjo?
Unë kam vlerësim të lartë për Orgesin. Është një trajner me fjalë pak, por punë shumë. Trajner, i cili ka fituar në futbollin tonë. Ka përvojë të mirë në të gjitha aspektet, por mendoj se nga ana e Orgesit dhe e skuadrës, ngecja më e madhe është se ende nuk është arritur të ndërtohet një tip loje, që i përshtatet Partizanit. Lojtarët e Partizanit në përgjithësi kanë cilësi shumë të mira, sidomos në aspektin individual, por te loja kolektive diçka nuk shkon mirë. Një tjetër e metë që nuk duhet ta pasqyrojë ekipi sipas meje, është loja e mesfushës. Po ta shikosh me vëmendje, Partizani e ka shumë të vështirë të organizojë, por edhe të mbrojë në mesin e fushës, duke ia lejuar shpeshherë hapësirat kundërshtarit. E treta është që duhet të aplikojë më shumë presingun, sepse ka lojtarë me cilësi të mira dhe në gjendje për ta bërë këtë. Një lojë në presing në gjysmëfushën e kundërshtarit ndoshta do ta ndihmonte këtë ekip që t’i përballonte më me lehtësi ndeshjet.

A e keni një projeksion se cilat do të jenë katër skuadrat që do të luajnë në “Final 4”?
E kam të vështirë t’i bëj llogaritë e këtyre ndeshjeve që kanë mbetur. Nëse kanë hyrë me llogari, tani nuk po shkojnë si duhet dhe i janë prishur kalkulimet. Duket shumë e vështirë që të parashikoj saktësisht se cila do të jetë katërshja e “Final 4”.

Po në lidhje me skuadrat që rrezikojnë të bien nga kategoria?
Këtu dua të them diçka. Nëse skuadrat e vendeve të para, duke përfshirë Egnatian, Partizanin, Tiranën a Vllazninë, do të bënin atë luftë, atë përpjekje dhe vetëmohim që kanë bërë skuadra si Kukësi, Erzeni e deri diku edhe Teuta, cilësia e kampionatit dhe loja e këtyre ekipeve do të ishte shumë lart. Mësimi im i parë është që ekipet e rrezikuara si Kukësi, Erzeni, Teuta apo Laçi, kanë dhënë shpirtin, sakrificën dhe vetëmohimin e duhur për të arritur te rezultati. Këtë mendoj se duhet ta kishin edhe ekipet në pjesën e sipërme të tabelës.

Sipas jush, ka pësuar rënie niveli i futbollit në këtë sezon?
Të them të drejtën janë shumë pak ndeshje që të ngelin në mendje. Është një barazi vlerash në të gjitha ekipet, pa spikatur dikush më shumë se të tjerët. Egnatia fillimin e kishte të një niveli shumë të lartë, por kjo u zbeh në këto javë të fundit. Në këtë aspekt niveli i kampionatit ka arritur një barazi vlerash, që nuk të lejon të nxjerrësh një konkluzion të drejtë. Ky kampionat me 10 ekipe gjithsej mua nuk më pëlqen, por edhe me sa kam kuptuar nga opinioni publik, mendimi im ngjan me shumicën. Ne jemi një vend i vogël, ku të gjithë e duan futbollin, në të gjithë Shqipërinë. Le të bëhet me 14 ekipe, të ketë ekipe të forta, mesatare, por edhe të dobëta. Edhe ekipi i fortë ka nevojë të luajë ndaj një ekipi të dobët, të fitojë me lehtësi, të çlodhet dhe të vërë në jetë taktika të ndryshme. Këto ekipe që do të hyjnë në Superiore, mendoj se do të ngrihen dalëngadalë.

Sa e ndihmon Superioren rikthimi i një qyteti si ai i Elbasanit?
Është diçka shumë pozitive ngjitja e Elbasanit, por edhe e Ballshit. Gjithashtu, pozitive do të ishte edhe ngjitja e mundshme e Vlorës. Pra, këto qytete, që kanë traditë duhet me patjetër të japin kontributin në Superiore. Prandaj them se duhet parë numri i ekipeve, duhet ndryshuar në mënyrë urgjente.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"