Tuhel me optimizëm për Bajernin: Shënon Gnabri, fitojmë Champions-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2024 | 9:45

Tuhel me optimizëm për Bajernin: Shënon Gnabri, fitojmë Champions-in

Mbrëmja e sotme rez ervon një nga takimet më elitare në rang klubesh, aty ku Bajern Mynih dhe Real Madrid do “përplasin brirët” në mitikun e “Allianz Arena”. Përpara këtij ballafaqimi kanë dalë në zonën e prononcimeve Tomas Tuhel dhe Joshua Kimish nga kampi i bavarezëve, duke diskutuar tema specifike mbi ndeshjen në fjalë. “Timonieri” i rekordmenëve të Gjermanisë e ka pohuar qartazi se dëshiron t’i shkojë deri nën fund rrugëtimit, triumfin në finale e “Wembley” dhe t’i hipotekoj suksesin e dytë në palmaresin individual.

tuhel

ATMOSFERA NË MYNIH – “Ne kemi nevojë për një atmosferë absolutisht të lartë. Suporti i tifozëve kundër Arsenalit ishte i një niveli ekstrem. Sigurisht që ekipi ka nevojë për një dorë në ndeshje kaq të rëndësishme. Stadiumi i Bajernit cilësohet me të drejtë si ferr për rivalët, tashmë është koha e duhur për ta demonstruar”, tha Tuhel.

OBJEKTIVI – “Ne duam kurorëzimin në kompeticionin më elitar. Jemi gati dhe e kemi shumë besim se do ia dalim. Pas kualifikimit ndaj Arsenalit, misioni i radhës quhet Real Madrid. Dëshira e djemve diktohet në seancat stërvitore. Të luash në të tilla nivele është maja e futbollit, kështu që sonte do jetë një shans për të gjithë lojtarët të tregojnë sesa vlejnë, pa harruar peshën e fanellës. Nëse i referohemi rrugëtimit që kemi realizuar në Champions, me atë në Bundesligë, duke sikur nuk ka lidhje. Gjithsesi konsistenca është thelbësore në menaxhimin e situatave, të cilat mund të rezultojnë vendimtare”.

FORMACIONI – “Kam thënë më herët se Serzh Gnabri do luajë kundër Realit dhe do shënojë. I qëndrojë të njëjtit mendim edhe tani. Nuk e di, mbase e kam parandjenjë, jam i bindur se do ndodh kështu. Ai ka bërë mirë këto ditë, ndonëse problemet fizike e kanë penguar të mbajë temp konstant. Leroi Sane dhe Xhamal Musiala u stërvitën me ritëm të plotë dhe nuk paraqitën asnjë komplikacion, kështu që janë në dispozicion nga minuta e parë. Për Laimer do vendos para ndeshjesh. Pak e vështirë duket gjendja për De Ligt dhe Upamekano. Gjithsesi nuk është e prerë më thikë. Të shohim”, vijoi trajneri i Bajernit.

PËR YJET E REALIT – “Si Vinicus ashtu edhe Rodrigo mbartin talent të jashtëzakonshëm. Por ajo çka më ka bërë me tepër përshtypje përkon me Rodrigon. Përtej shpejtësisë dhe driblimeve, ai është i aftë të shënojë gola në ndeshje të rëndësishme. Patjetër që do jetë rrezik konstant në portën tonë. Mos të harrojmë Vinicius apo Bellingam. Mentaliteti i tyre nuk ka lidhje me moshën, prandaj kërkojmë vëmendje maksimale, pasi edhe hapësira më e vogël mund t’i shërbej për të shënuar”.

RIVALI – “Karlo Ançeloti ka qenë lojtar i madh dhe është trajner i lavdishëm. Statistikat flasin qartë. Ai ka ndërthurur në mënyrë të shkëlqyer dinamizmin e talenteve me eksperiencën e senatorëve. Vlen të përmendin faktin se madrilenët eliminuan kampionët në fuqi të Mançester Sitit. Nuk kam asnjë diskutim, Bajern-Real është ndeshja më e madhe në futbollin për klube. Numrat që këto dy klube janë ndeshur më shpesh në faza decizive, përkthehet spektakël për tifozët. Takim intensiv na pret”.

EKSPERIENCAT NDAJ REALIT – “Kam pasur mundësinë të dueloj ndaj skuadrës më të trofeshme me disa grupe. Bëhet fjalë me Dortmundin, PSG, Çelsin, ndërsa tani përkrahë Bajernit. Ka dallim të madh nga ndeshje e fundit. Ata kishin në gjirin e tyre Karim Benzema në formë më të mirë, ndërsa aktualisht nuk kanë një yll të atij nivelit, ndonëse Bellingam dhe pjesa tjetër po përjetojnë sezon vërtetë mbresëlënës”, përfundoi Tomas Tuhel.

SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"