EKSKLUZIVE/ “Partizan, është momenti të shkelësh gazin”, ish-kapiteni Bitri: Në “Final 4” me 100 km/orë, Vllaznia rivali më i frikshëm (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2024 | 20:49

EKSKLUZIVE/ “Partizan, është momenti të shkelësh gazin”, ish-kapiteni Bitri: Në “Final 4” me 100 km/orë, Vllaznia rivali më i frikshëm (E PLOTË)

Prej rreth një viti e gjysmë është larguar nga Partizani, por ende të kuqtë nuk e kanë një si ai, që kur ishte në fushë e gjithë skuadra ndjente siguri.

Bitri-Eneo

Eneo Bitri në verë u transferua në formë huazimi te Krakovia në kampionatin polak, ku po bën mjaft mirë dhe po luan si titullar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i kuq tregon për të ardhmen e tij dhe analizon Partizanin e sivjetshëm. Ai shprehet se ka ardhur momenti që skuadra të tregojë fytyrën e vet të vërtetë. Beratasi parashikon një finale të madhe mes Vllaznisë dhe të kuqve si dy ekipet më të forta, sipas tij.

Si po shkon aventura në Poloni? Po luani sërish si titullar, madje keni arritur edhe të shënoni…

E kam nisur mjaft mirë, fatmirësisht i kam luajtur të gjitha ndeshjet deri më tani dhe është duke shkuar gjithçka shumë mirë. Shpresoj që të vazhdoj kështu deri në fund dhe të ndihmoj sa mundem skuadrën në arritjen e objektivave.

Në verë do të ktheheni në Norvegji për të luajtur me Valerengën, apo keni plane të tjera?

Partizani ju kërkon në çdo merkato… Jo, me shumë mundësi nuk kthehem më në Norvegji, pasi s’arrita të ambientohesha si duhet. Në verë do të shohim, pasi Krakovia ka opsionin e detyrimit për të më blerë kartonin. Gjithsesi, merkatot janë gjithnjë të paparashikueshme dhe nuk dihet se çfarë do të ndodhë deri në verë. Partizani është shtëpia ime, por për momentin jam përqendruar te karriera ime për të pasur sa më shumë komoditet në të ardhmen.

Keni pasur disa aventura në kampionate të ndryshme gjatë karrierës. Ku mendoni se luhet futbolli më cilësor?

Mendoj se në Poloni futbolli është i një niveli relativisht më të lartë, sepse ekipet këtu luajnë futboll më agresiv dhe të shpejtë. Futbolli polak i afrohet më shumë nivelit të ligave më të rëndësishme europiane.

E keni ndjekur Partizanin? Si ju duket ecuria dhe loja e tyre nën drejtimin e Shehit?

Po, Partizanin e ndjek thuajse në çdo ndeshje. Mendoj se kjo skuadër nuk ka arritur ende të tregojë potencialin e plotë të saj, sepse i ka mundësitë të udhëheqë kampionatin. Për më tepër tani që në pankinë ka një trajner ekspertit siç është profesor Shehi.

Çfarë mendoni se i mungoi ekipit në ndeshjen me Vllazninë që nuk arriti dot te fitorja?

Mendoj se në tërësi Partizani zhvilloi një ndeshje të mirë. Në pjesën e parë e dominoi Vllazninë, por pjesa e dytë foli ndryshe. Megjithatë, siç e thashë, Partizani ka kualitetin të dominojë çdo ekip të Kategorisë Superiore.

Në Rrogozhinë Partizani e ka pasur gjithnjë të vështirë. Mendoni se këtë herë do të thyejë “tersin”?

Është e vërtetë që fusha e Rrogozhinës ka qenë dhe është e vështirë për Partizanin, por mendoj se këtë herë skuadra do të kthehet në shtëpi me tri pikë. Po vjen fundi i sezonit dhe çunat e kanë kuptuar tashmë që duhet t’i japin gaz dhe të shkojnë drejt titullit kampion.

U bë kohë që jeni larguar, por Partizani nuk e ka gjetur ende zëvendësuesin tuaj. Përse e kanë kaq të vështirë?

Mesa kam ndjekur, ka pasur disa dëmtime në qendrën e mbrojtjes dhe kjo ka ndikuar që të gjithë të keni mundësinë të tregojnë veten e tyre. Kam besim se Preka dhe Sota mund të formojnë një dyshe shumë të fortë, nëse arrijnë të merren vesh si duhet në fushë, sepse janë lojtarë të ndryshëm dhe plotësojnë njëri-tjetrin.

Si ju duket mbrojtja e kuqe në këtë sezon? Kanë pësuar pak, por vuajnë për të ruajtur avantazhin…

Mendoj se ky kampionat është i ndryshëm nga ai i vjetshëm dhe kjo është më se e dukshme. Ne në sezonin e shkuar qëndronim thuajse çdo ndeshje në gjysmëfushën e kundërshtarit dhe ndëshkoheshim nga kundërsulmet, kurse tani e shoh më të kujdesshëm Partizanin në këtë aspekt.

Kush është një shok ekipi që ju ka befasuar për mirë në këtë sezon?

Zëvendëskapiteni Murataj. Po merr vazhdimisht më shumë peshë në skuadër dhe vazhdon të vrapojë pafund në shërbim të ekipit. Është një lojtar i domosdoshëm për atë skuadër, pasi është i kudondodhur.

Partizani është në garë për vendin e dytë. Mund t’ia dalin në këtë objektiv?

Ka ndeshje që Partizani tregohet shumë i frikshëm për kundërshtarët. Pikërisht këtë duhet ta tregojë në këto ndeshje të fundit, kur duhet të dominojë dhe të fitojë bindshëm çdo sfidë të mbetur.

Prisni që të kuqtë në “Final 4” të jenë më “të egër” sesa ky që kemi parë gjatë sezonit të rregullt?

Po, aty mendoj se Partizani do të jetë me 100 km/orë dhe nuk do të falë asnjë moment, sepse ata çuna e dinë mirë rëndësinë e të dalit kampion dhe çfarë benefitesh ka ky sukses për klubin, por edhe për vetë ata

Cili ekip mendoni se është rivali kryesor dhe ai që Partizani mund të ndeshet në finalen e madhe?

Parashikoj një finale Partizani-Vllaznia dhe shpresoj që titulli të vishet sërish me të kuqe.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"