EKSKLUZIVE/ “Nuk ka skuadër që i afrohet potencialit të lojtarëve të Tiranës”, Ahmataj: Ja e vërteta me shiritin e kapitenit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2024 | 22:06

EKSKLUZIVE/ “Nuk ka skuadër që i afrohet potencialit të lojtarëve të Tiranës”, Ahmataj: Ja e vërteta me shiritin e kapitenit (E PLOTË)

Julian Ahmataj pranon se largimet në ekip po ndikojnë në skuadër. Trajneri i bardhebluve në një intervistë për “Panorama Sport”, foli për humbjen me Skënderbeun, por jo vetëm. Ahmataj ceku edhe çështjen e mbrojtjes, problemit të kapitenit, por edhe çështje të tjera.

ahmataj

Trajneri i Tiranës tha se nuk e priste këtë humbje, pasi ekipi kishte treguar gjëra të mëdha në ndeshjet e kaluara. Kujtojmë që Tirana tronditet në “Air Albania” teksa pëson katër gola dhe u mund nga Skënderbeu në një ndeshje që u kthye në tenis. Bardheblutë u “shkërmoqën”, humbën edhe Hoxhallarin për sfidën me Kukësin, ndërsa shohin që korçarët të fitojnë në kryeqytet pas tetë vitesh. Për më tepër, më i rëndë është fakti se bardheblutë nuk pësonin katër gola në shtëpi që prej 2013-ës.

Një humbje e rëndë ajo kundër Skënderbeut. Si e pa Julian Ahmataj ndeshjen?

Ndeshje dhe një humbje që realisht nuk e prisnim. Mendonim se do të fitonim, duke parë që kishim zhvilluar lojëra të mira. Në futboll ama ndodhin këto oshilacione në një ndeshje.

Cili ishte problemi i skuadrës suaj në këtë ndeshje?

Problemet na erdhën përsëri nga goditjet standarde. Kemi punuar dhe punojmë shumë në këtë drejtim, por nuk qenka e thënë. Nga skuadra duhet akoma më shumë vigjilencë në lojën pasive.

Ju e cekët këtë problem, por të pësosh tre gola me kokë te zona e vogël, mos duket e tepërt?

Është shumë. Për këtë thashë që duhet shumë vigjilencë dhe sakrificë për të rezistuar.

Ahmataj ju janë larguar sërish dy lojtarë. Duke kthyer kokën pas, me çfarë lojtarësh do të luani?

Skuadra ka pasur lojtarë dhe nuk ka ndikuar shumë. Besoj se largimet e fundit ndikuan në vendosjen e skuadrës. Unë mendoj dhe besoj se grupi ka forcë dhe elementë. Në skuadër ka shumë lojtarë me eksperiencë. Po t’i krahasosh elementët e Tiranës me çdo skuadër tjetër, besoj se nuk ka skuadër që ka këtë potencial që kanë lojtarët e Tiranës. E përsëris, duhet më shumë sakrificë.

Një humbje si kjo me Skënderbeun dhe pikët e lëna ndikojnë në skuadër për të ardhmen, apo jo?

Mendoj që ne jemi në garë për ato objektiva që kemi dhe nuk heqim dorë nga ato objektiva. Normale që na vjen keq që lamë tri pikë. Të arritshme ishin. Për më tepër që në vinim nga lojëra shumë të mira. Kjo na jepte shpresë që do të performonim shumë mirë, sidomos në “Air Albania”. Bëmë çmos për të reaguar dhe kthyer rezultatin. Thjesht nuk desh fati që të fitonim ne.

Në këtë ndeshje ishte diçka e çuditshme. Najdovski nuk ishte kapiteni i skuadrës. Përse ndodhi kjo?

Heqja e shiritit të kapitenit është vendimi i atij. E ka marrë vetë Filipi. Ka një frymë të mirë mes shokëve të skuadrës te Tirana…

Edhe në ndeshjen me Kukësin do të ketë një mungesë, këtë herë Hoxhallari. Do të ndikojë?

Me këtë kontingjent jemi të limituar dhe çdo mungesë ndikon. Njëlloj si ka ndikuar dhe ndikojnë mungesat që kemi pasur, Jonuzit apo edhe e ndonjë lojtari tjetër.

OLSI AVDIAJ- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"