EKSKLUZIVE/ Një bomber te Fiorentina, Toçi rrëfehet pas tripletës: Më frymëzon Ibra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2022 | 22:00

EKSKLUZIVE/ Një bomber te Fiorentina, Toçi rrëfehet pas tripletës: Më frymëzon Ibra

Një nga kampionatet më të fam shme të të rinjve dhe ku dalin shumë futbollistë kualitativë është edhe ai i Primaverave në Itali. Këtë herë është Eljon Toçi ai që shkëlqen me fanellën e Fiorentinës, duke shënuar edhe një tripletë kundër Romës, që solli edhe kalimin në finalen e Kupës.

tOCI

Sulmuesi që drejtohet nga ish-i i Romës dhe Liverpulit, Alberto Akuilani, mori topin e ndeshjes në shtëpi dhe që të nesërmen e bëri pushim në shkollë, flet në një intervistë për “Panorama Sport”.

Eljon si jeni, ta nis direkt nga tripleta kundër Romës, si ndiheni?

Ndihem shumë mirë. Për mua tripleta kundër Romës është një gjë shumë speciale sepse kemi kapur finalen e Kupës me Primaverat dhe është një objektiv i madh i skuadrës. Me këtë fitore kemi hyrë edhe në histori sepse bëhet hera e katërt radhazi që Primaverat e Fiorentinës shkojnë në finalen e Kupës.

Kishit realizuar ndonjëherë më parë tripletë apo ishte e para?

Kam realizuar edhe te skuadra ku kam qenë më përpara, Sudtiroli, por gjithmonë me moshat e vogla. Ndërsa këtu është tripleta e parë.

Kam parë që morët topin me vete, një kujtim i bukur apo jo?

Po, e kam marrë sepse nuk ndodh shpesh dhe është një kujtim shumë i bukur i tripletës. Ma ka firmosur e gjithë skuadra dhe e kam te shtëpia si kujtim.

Golat tuaj ishin të rëndësishëm për kualifikimin në finalen e Kupës së Italisë për Primaverat? Çfarë ju kanë thënë shokët e skuadrës dhe trajneri Akuilani?

Golat ishin shumë të rëndësishëm, por është edhe meritë e gjithë skuadrës. Shokët dhe trajneri Akuilani më kanë bërë komplimente dhe më kanë thënë që të vazhdoj me këtë ritëm dhe këtë nivel.

Goli i dytë, ishte më i bukuri që keni realizuar apo keni bërë edhe më të bukur?

Po, këtu në Firence është goli më i bukur që kam shënuar ndonjëherë dhe besoj edhe më i bukuri në të gjithë karrierën.

Ju vazhdoni edhe shkollën njëkohësisht, ju ngacmuan shokët e klasës apo meqë shënuat tripletë e bëtë pushim të nesërmen në shkollë?

Po, vazhdoj edhe shkollën. Nuk është shumë e lehtë t’i bësh të dyja bashkë, por vazhdoj të eci përpara edhe për prindërit. Meqë shënova tripletë e bëra pushim në shkollë (qesh).

Po prindërit, ju premtuan ndonjë dhuratë?

Jo, deri tani nuk më kanë premtuar asgjë, por unë e bëra edhe për ata sepse dua që të jenë sa më të lumtur dhe krenarë për mua.

Kupën e Italisë me Primaverat e kanë fituar edhe Manaj me Strakoshën, mendoni se do të keni të njëjtin fat?

Unë shpresoj që të kem të njëjtin fat që kanë pasur edhe dy lojtarë si Manaj dhe Strakosha, dhe shpresoj që një ditë të luaj në ekip bashkë me ta në Kombëtaren A.

Jeni thirrur nga Kombëtarja U-21, si e komentoni eksperiencën në ekipin kombëtar?

Për mua kjo eksperiencë më ka ndihmuar që të mësoj më shumë rreth futbollit sepse jam edhe nga lojtarët më të vegjël të skuadrës. Është gjithmonë një nder të përfaqësosh ngjyrat kuqezi dhe të luash për Shqipërinë.

ELJON TOCI 2

Kë keni idhull apo modelin e cilit sulmues ndiqni?

Idhull kam Zlatan Ibrahimoviçin, ndërsa modelet e sulmuesve që ndjek janë Xheko dhe Ikardi.

Si mendoni, është më mirë për ju të prisni shansin për tek ekipi i parë i Fiorentinës apo të lëvizni në një ekip tjetër, për shembull, në Serinë B?

Unë akoma nuk e kam vendosur për të ardhmen sepse dua të fokusohem për të mbaruar sezonin këtu. Pastaj do të shohim, mund të them që çdo gjë është e hapur.

Keni pasur një telefonatë nga presidenti i Fiores, mund të na tregoni pak me shumë?

Presidenti Komizo na ka komplimentuar për fitoren dhe kalimin në finale, gjithashtu edhe mua më ka bërë komplimente për realizimin e tripletës. Ai është gjithmonë i pranishëm për skuadrën tonë.

Çfarë objektivash ka Toçi për të ardhmen?

Objektivat e mi janë që të luaj me ekipin e parë të Kombëtares dhe të shënoj sa më shumë gola me ekipin e parë të Fiorentinës ose të një ekipi në Serinë A.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"