EKSKLUZIVE/ Nica “luan” për dy rezultate: Edhe një pikë na kënaq me Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2023 | 10:39

EKSKLUZIVE/ Nica “luan” për dy rezultate: Edhe një pikë na kënaq me Tiranën

Kukësi sfidon ditën e sotme Tiranën, me shpresën se nuk do të dalin pa pikë nga transferta në kryeqytet.Stavri Nica

Duket se periudha e pushimit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares i ka shërbyer për mirë skuadrës, sepse ka mundësuar rikuperimin e ndonjë lojtari dhe për më tepër qetësimin pas ngjeshjes së ndeshjeve gjatë kësaj periudhe. Të paktën kështu shprehet në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” trajneri i skuadrës verilindore, Stavri Nica.

“Normalisht mund ta cilësoj si një periudhë që na ka shërbyer, sepse na ka ndihmuar disi me dëmtimet që kemi pasur dhe do të shohim nëse ndonjëri prej tyre edhe mund të luajë ndaj Tiranës. Nga ana tjetër ndeshjet kanë qenë shumë pranë njëra – tjetrës dhe ngarkesa ka qenë e madhe. Për këtë arsye një ndalesë e tillë ishte deri diku e nevojshme dhe i ka ndihmuar skuadrat në këtë aspekt”, u shpreh fillimisht tekniku i bluve, i cili është përpjekur që gjatë kësaj periudhe pushimesh të kryejë edhe një minifazë përgatitoreje me ekipin.

TIRANA – Nica është nga ata që vlerëson në maksimum kundërshtarët, por nuk e sheh veten asnjëherë inferior. Kjo gjë duket se do të tregohet edhe ndaj Tiranës ditën e sotme, me teknikun që shpreson të marrë maksimumin. Ai nuk vë bast për asnjë rezultat, por ndoshta edhe një pikë në fund mund ta lërë të kënaqur.

“Si në çdo ndeshje ne do të mundohemi maksimalisht të luftojmë për tri pikë apo edhe një, varet se si shkojnë gjërat. Mbetet për t’u parë e gjitha, por dëshira nuk na mungon. Ndoshta edhe një pikë do të ishte e kënaqshme, duke parë edhe kundërshtarin që kemi përballë. E rëndësishme është që do të hyjmë të japim më të mirën tonë në fushën e lojës”, vijoi më tej tekniku durrsak i Kukësit. Në sfidën e parë të luajtur në “Kukës Arena”, verilindorët u mundën në shtëpi, ndaj do të përpiqen t’u kthejnë reston bardhebluve në kryeqytet.

OBJEKTIVAT – Është fakt qëKukësi vjen nga vendi i fundit dhe tani ndodhet vetëm një pikë larg “top-4”, duke bërë që pse jo të shpresojë për këtë pozicion. Nga ana tjetër, është edhe vetëm dy pikë larg rënies, ndaj vështirë të mësohet se cili është objektivi i këtij sezoni. Përgjigjen e jep Nica, duke i mëshuar vetëm ndeshjes së radhës, ndonëse thekson se asgjë nuk është e paarritshme.

“Nuk mund të mendojmë ende për shumë larg, sepse fokusi duhet të jetë gjithnjë te ndeshja e radhës. Nëse vazhdojmë me ritme pozitive dhe lojtarët t’ia bëjnë hyzmetin çdo përballjeje, sigurisht më pas mund të ecim edhe më lart. Asgjë nuk është e paarritshme”, mbylli prononcimin e tij për gazetën, Stavri Nica, i cili ka larguar përkohësisht skuadrën nga zona e rënies.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"