EKSKLUZIVE/ Nga Partizani te Tirana, “moviola” e Gilman Likës: Arbitrat na hoqën 4 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2019 | 22:10

EKSKLUZIVE/ Nga Partizani te Tirana, “moviola” e Gilman Likës: Arbitrat na hoqën 4 pikë

Në Shkodër ndihen të masakruar prej gjykimit. Është Gilman Lika ai që bën “moviolën”, duke radhitur tri raste konkrete kur Vllaznisë i janë mohuar penallti.

gilman lika- jorgji

Dhe, si për koincidencë, që të gjitha ndeshjet janë luajtur në Shkodër dhe rezultati ka qenë barazim. Kapiteni kujton se me 11-metërshat e padhënë ndaj Tiranës, Luftëtarit dhe Partizanit, sot do të kishin të paktën 4 pikë më shumë dhe do të kryesonin të vetëm kampionatin. Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, 32-vjeçari i bën thirrje FSHF-së që të ndërhyjë.

Nuk është kundër dënimit që morën për shishet e hedhura nga tifozët, por me habi kujton se kur arbitrat gabojnë, masa nuk merren kurrë. Nuk kishte si të mos fliste edhe për gjendjen e ekipit, aq sa paralajmëron se humbja e fundit nuk do të rëndojë aspak në psikologjinë e lojtarëve.

vllaznia

Humbët me Partizanin për vetëm dy minuta. A ndien keqardhje Lika për formën si u mbyll ai takim?

Normalisht që nuk pritej. Po bënim shumë mirë deri në atë çast, por u ndëshkuam në fund. Të këtij mendimi janë edhe tifozët, kanë mbetur të kënaqur prej asaj që dhamë në fushë dhe mendojnë se minimalisht duhet që të kishim marrë një pikë.

Vllaznia pati pretendime për një 11-metërsh të mohuar. Tani që kanë kaluar disa ditë, si e keni parë atë rast?

Atë e kanë parë që të gjithë. Vllaznia është një nga skuadrat që është ndëshkuar më shumë nga gjykimet. Me Tiranën ishim 0-0 dhe nuk u dha një 11-metërsh. Kështu u vlerësua prej specialistëve, ishte i pastër. Me Luftëtarin, kur ishim gjithashtu 0-0, por na u mohua një tjetër penallti. Ndaj Partizanit shifrat ishin 1-1 dhe na mohohet një tjetër 11-metërsh. Më duket krejt absurde një gjë e tillë, pasi nëse do të jepeshin, mund të ndryshonte rrjedha e ndeshjeve. Ne na dënuan për hedhjet e shisheve ndaj Tiranës dhe nuk është se e quaj veprim normal atë që ndodhi, por kur gjyqtarët na mohojnë pikët, s’po dënon askush askënd. Unë jam i bindur se me ato penallti, do të ishim në të tjera pozita. Mendoj se mund të kishim më shumë pikë dhe një renditje tjetër.

Vllaznia festa e golit Gilman Lika

Këtë pakënaqësi po ia adresoni FSHF-së?

Ajo duhet që të ndërhyjë. Ne jemi ekipi që jemi dëmtuar më shumë nga të gjithë prej gjykimeve. Kërkojmë mbështetje nga FSHF-ja, pasi këto që po themi janë të faktuara dhe të pranuara nga të gjithë. Është gjynah që Shkodra, që mbetet “vitrina” më e bukur e kampionatit, të sulmohet kështu nga arbitrat. Më vjen keq që kjo s’i ndodh asnjë skuadre që ka jo më shumë se 10 vetë në stadium, por i ndodh Vllaznisë që ka një popull që jeton me futbollin. Dhe që të sqarohemi, nuk po them që t’u ndodhë të tjerëve. Por mirë do të ishte që të mos e pësonim as ne. Për këtë, federata duhet që të ndërhyjë.

Sa pikë më shumë mund të kishit në renditje, sipas llogarive tuaja?

Minimalisht mund të kishim 4 pikë më shumë, ndërsa maksimalisht 8. Në të dyja rastet do të ishim të vetëm në krye të tabelës së klasifikimit. Pra, këto janë pikë që na janë mohuar vetëm nga gjykimet. Si për koincidencë, në të tria rastet luanim në Shkodër. Nuk mendoj se mund ti bëhet ndonjë skuadre tjetër në fushën e vet një gjë e tillë. Nuk po akuzojmë asnjëri, por kërkojmë vetëm drejtësi për mundin dhe djersën që po derdhim në stërvitje dhe në fushat e blerta.

A mund të ndikojë psikologjikisht te skuadra kjo humbje ndaj Partizanit?

Mund të them pa frikë se nuk do të ketë aspak ndikim. Ne jemi të vetëdijshëm që kemi bërë më të mirën e mundshme në atë takim. Kemi qenë të barabartë dhe kemi pasur mundësi për ta fituar takimin. Gabimet janë pjesë e lojës për të dyja skuadrat, por unë e thashë edhe më sipër së nëse do të ishte një gjykim ndryshe, atëherë nuk do të kishim folur për një humbje tonën sot.

Kampionati është i ngjeshur dhe pikërisht nesër do t’ju duhet të shkoni në Vlorë për të sfiduar Flamurtarin. Cili është objektivi i Vllaznisë për këtë sfidë?

Në Vlorë gjithnjë janë ndeshjet e vështira. Të tillë e shikoj edhe këtë duel. Megjithatë, si në çdo përballje të këtij sezoni, objektivi ynë është që të shkojmë dhe të kërkojmë maksimumin. Për ne ka shumë rëndësi në këto momente që të kthehemi te rezultatet pozitive sa më shpejt. Djemtë po vazhdojnë punën me të njëjtin ritëm, në mënyrë që të bëjmë një paraqitje të mirë edhe në Vlorë.

ADMIR URUÇI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"