EKSKLUZIVE/ “Mendoj vetëm De Biazit i janë plotësuar të gjitha kushtet”, Hafizi: Përgjegjësi ka edhe FSHF-ja që… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2022 | 17:51

EKSKLUZIVE/ “Mendoj vetëm De Biazit i janë plotësuar të gjitha kushtet”, Hafizi: Përgjegjësi ka edhe FSHF-ja që… (E PLOTË)

“Është e vështirë të gjesh fjalët, sepse kemi folur kaq shumë herë për gjërat që nuk shkonin, saqë tani duket sikur i përsërisim ato”, thotë Astrit Hafizi kur pyetet për Kombëtaren. Ai e ka ndjekur me vëmendje ndeshjen e fundit dhe thotë se jo vetëm që skuadra nuk funksionon, por tani më në fund njerëzve iu hapën sytë. “Disa e konsiderojnë sikur ka plasur ‘bomba’, por në fakt, ne gjatë gjithë këtyre viteve kemi pasur probleme”, shprehet ish-trajneri i Shqipërisë, ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

HAFIZI

Hafizi, çfarë nuk shkon me Kombëtaren shqiptare?

Është e vështirë të gjesh fjalët, sepse kemi folur kaq shumë për gjërat që nuk shkonin, saqë tani duket sikur i përsërisim ato. Nuk shkojnë shumë gjëra, por mbi të gjitha unë mendoj se nuk ka një filozofi të qartë mbi bazën e së cilës duhet të veprojë. Pothuajse improvizohet gjithnjë dhe ka aq shumë ndryshime, saqë skuadra tashmë e ka humbur fillin.

Është faji i trajnerit apo përgjegjësitë duhen ndarë?

Trajneri është i pari që përballet me kritikat kur gjërat nuk shkojnë mirë. Unë jam trajner vetë dhe nuk kam kurrë qëllimin ta denigroj apo ta ul punën e një kolegu. Mirëpo kur unë bëja kritika edhe pas ndonjë fitoreje, një pjesë e opinionit sportiv me emocionet e tifozëve thoshin “ky nuk flet mirë as kur fitojmë”… Por unë nuk jam tifoz, jam trajner dhe nuk mund të hesht kur ka gjëra që nuk shkojnë edhe pas një fitoreje. Kam qenë i drejtpërdrejtë sepse shikoja se mungonte një gjë thelbësore: loja e qartë dhe e thjeshtë. Këtë nuk e kemi bërë gjatë viteve të fundit.

Pse nuk është bërë, sipas jush?

Mendoj se gabimet nuk nisën dhe as nuk përfunduan me Izraelin. Ne kemi pasur probleme që në fillim me Rejën. Mirëpo merrnim ndonjë fitore si ato me Hungarinë dhe kalohej në heshtje gjithçka. Jo, nuk është kështu. Shikoni ku është Hungaria sot dhe ku jemi ne… Hungaria mund Gjermaninë dhe kryeson grupin, ndërsa ne nuk bëjmë dot as gjërat më elementare apo “trekëndëshat” që quhen në botën e futbollit.

Sipas jush, është problemi i skemës që përdor trajneri apo i lojtarëve?

Mos u “fiksoni” kaq shumë pas skemës. Lojtarët janë si plastelinë: mund t’i japësh formën që do, por duke ia njohur mirë cilësitë dhe temperamentin e më pas ta vendosësh në pozicionin e duhur dhe në momentin e duhur në fushë. Nuk ka asnjë problem skema 3-5-2, mjafton që të gjesh lojtarët adapt për atë punë. Por edhe me skema të tjera, unë nuk jam aspak kundër. Problemi është te lojtarët, nëse i përshtaten apo jo. Ne nuk i kishim lojtarët për skemën 3- 5-2 gjatë kësaj periudhe dhe nuk i morëm maksimumin këtij grupi. Besoj se potencial ka me shumicë në përbërje të ekipit, por duhet t’u marrësh më të mirën. Por nëse mendon vetëm të mbrohesh, kjo është punë tjetër pastaj…

Ku doni të dilni?

Shikoni, kam vënë re që trajnerët e fundit të Kombëtares u bien shkurt gjërave. Të ndërtosh një ekip që sulmon, luan mirë dhe ka të ardhme, është më e vështirë se të luash në mbrojtje. Ata e “shtyjnë” me barazime, marrim herë pas here ndonjë fitore dhe jemi në rregull me kontratën… Jo, kështu nuk shkohet. Përgjegjësi ka edhe FSHF-ja që nuk kërkon llogari as për nivelin e lojës dhe as për rezultatet. Të mbrohesh është gjëja më e thjeshtë në futboll, por të sulmosh edhe të marrësh pikë e mandej të arrish objektiva madhorë, kjo është e vështirë.

Është vetëm problemi i trajnerëve të huaj që mendojnë më shumë për kontratën? Mos ndoshta ka ardhur koha për një trajner shqiptar?

Jo, mendoj është më shumë qasja e FSHF-së me trajnerin.

Në ç’kuptim?

Trajneri duhet mbështetur në çdo hap dhe në çdo hallkë. Duhet kërkuar llogari kur gjërat nuk shkojnë mirë, por edhe duhet mbështetur. Problemi këtu është që kur fiton skuadra, trajneri kalon në plan të dytë. Kur humbet, fajin e ka vetëm ai. Nuk jam as me këtë logjikë. Një trajneri i kërkohet llogari nga fillimi deri në fund, por edhe mbështetet maksimalisht kur lindin vështirësi. Këtu veprohet në ekstrem.

Pse mendoni kështu?

Sepse trajnerit të huaj i lihet një periudhë e gjatë me “përkëdhelje” pastaj në fund kur “plas bomba” merren masa ekstreme. Për mendimin tim është e gabuar dhe nuk ka më pastaj as të huaj dhe as shqiptar nëse qasja e federatës është e tillë.

A ka pasur një trajner që sipas jush FSHF-ja ia ka plotësuar të gjitha kushtet dhe e ka mbështetur si duhet?

Po, mendoj që ka qenë De Biazi. Mendoj se gjithçka u vendos në funksion të tij dhe të ekipit kombëtar. Dhe mirë bënë. Por nëse nesër vjen një trajner i ri, qoftë edhe trajner shqiptar, duhet po e njëjta sjellje. Pra, ta bësh të ndihet i sigurt, por njëkohësisht t’i kujtosh në çdo moment se është aty për të arritur objektiva dhe jo për ta “shtyrë” sa më shumë me barazime dhe me shprehjen “do të përmirësohemi herën tjetër”.

Po lojtarët a kanë përgjegjësi në situatën që jemi?

Natyrisht, në futboll flitet për skuadër dhe ata nuk i shpëtojnë dot vlerësimit pozitiv apo negativ të opinionit publik. Por Kombëtarja ka një specifikë, sepse së pari i ka ndeshjet e limituara; së dyti lojtarët duhet të luajnë në pozicionet natyrale dhe të gjesh sistemin e duhur për t’u marrë maksimumin. Edhe Italia po kthehet me skemën 3-5-2, por kanë mundësitë ta bëjnë sepse kanë lojtarët që e interpretojnë si duhet. Ne kemi një brez të mirë lojtarësh që luajnë në nivele të larta dhe kjo nuk ndodh shpesh në Kombëtare, sepse gjithnjë ka një cikël. Duhet ta shfrytëzojmë këtë brez futbollistësh që janë ende të rinj dhe kanë cilësi. Jo gjithmonë ndodh të kesh këtë “bollëk” dhe të kesh alternativa kaq të mira kur mungojnë lojtarë formacioni. Mirëpo Shqipëria nuk e ka këtë problem sot. Është një bonus i madh për çdo trajner dhe çdo staf që të ketë një grup të tillë

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"