EKSKLUZIVE/ Menaxheri i Kosovës: Si ra gazetari spanjoll në kurthin tim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2021 | 18:42

EKSKLUZIVE/ Menaxheri i Kosovës: Si ra gazetari spanjoll në kurthin tim

Bajram Shala e detyroi gazetarin e gazetës “AS” në Spanjë që të “njihte” Kosovën. Menaxheri i përfaqësueses së “Dardanëve” këmbënguli në konferencë që Rubi Ares të përmendte emrin dhe tregon ekskluzivisht për “Panorama Sport” se këtë gjë e kishte menduar, madje kishte një plan tjetër nëse ai nuk do të pranonte. Shala zbulon transfertën e sikletshme në vendin iberik, por edhe planet që ka Federata e Kosovës për këtë trajtim jo të drejtë nga ana e shtetit spanjoll.

shala-1-1200x630-1-e1617193985639

Bajram, a e keni kuptuar që këto ditë jeni bërë më i famshëm në Kosovë dhe në shqiptari?

Që të jem plotësisht i sinqertë, nuk është se e kam kuptuar sepse nuk kam pasur shumë kohë që të mendoj e të merrem me këtë gjë duke pasur parasysh angazhimet prej ndeshjes. Por, ajo që nuk kam pasur nevojë ta kuptoj, por e kam të qartë se nuk ka qenë për asnjë sekondë qëllimi im dhe nuk e kam menduar në asnjë formë që ajo përgjigje mund të sillte diçka të tillë dhe të krijonte kaq bujë, saqë duket se ka krijuar.

Na e shpjegoni pak çfarë ndodhi në konferencën për shtyp përpara ndeshjes Spanjë-Kosovë. A ishte gazetari i gazetës “AS” i vetmi që nuk e përmendi emrin e Kosovës apo kishte edhe të tjerë?

Me gazetarin e gazetës “AS” nuk ishte asgjë personale, duhet thënë. Ishte për qëndrimin e tyre si shtëpi mediatike kundër Kosovës për një kohë të gjatë. Nuk është çështja vetëm e asaj konference për mediat, por mënyra se si na kanë prezantuar mediat spanjolle, sidomos gazeta “AS”, “Diairo”, por pothuajse i gjithë shtypi. Dhjetë ditë përpara ndeshjes kanë refuzuar ta paraqesin Kosovën si shtet dhe kanë refuzuar të na quajnë si të barabartë me Spanjën dhe kanë refuzuar ta përmendin emrin. Kjo ishte forma se si erdha deri te një përgjigje e tillë.

Na thoni të vërtetën, ishte diçka e menduar më parë apo e menduat aty spontanisht këmbënguljen që gazetari spanjoll të thoshte emrin e Kosovës?

Të them të vërtetën, ishte diçka që e kisha menduar më herët dhe e kisha në kokën time. Siç e thashë edhe më parë, ishte trajtimi i tyre për një kohë më të gjatë dhe kjo më bëri që të gjeja një formë që t’ua bëj me dije se nuk pajtohemi me mënyrën si po na trajtojnë dhe nëse nuk mund t’i ndjekim ligjërisht, atëherë ta kuptojnë që nuk jemi të kënaqur në njëfarë forme.

Këmbëngulja juaj pati sukses në konferencë…

Në fakt, ai u dorëzua shumë shpejt dhe në njëfarë mënyre e “njohu” emrin e Kosovës. Nuk është se luan rol të rëndësishëm ai gazetari për të njohur Kosovën, por të paktën e pranoi realitetin. Në të kundërt, unë kam qenë i përgatitur për të vazhduar edhe më gjatë debatin me të për t’i dhënë që ta mësojë më shumë gjeografinë moderne dhe ta shikojë se sa shtete janë në botë.

91C4EF5C-C557-4BBA-B94F-97503530DF4E.jpeg

Çfarë ju tha Shaland për këtë?

Duket se edhe ai u kënaq shumë nga kjo gjë… (Qesh…) Po, është e vërtetë. Folëm me trajnerin pas ndeshjes dhe me disa prej futbollistëve. Edhe trajnerit i pëlqeu si reagim sepse edhe ai e përmendi gjatë konferencës që nuk jemi të kënaqur me trajtimin që kemi marrë, sidomos nga media spanjolle. Ka pasur edhe media të tjera, si “MARCA”, e cila ka qenë korrekte dhe na ka respektuar. Edhe gazetat katalanase ishin në anën tonë.

Ju keni luajtur edhe transferta të tjera, por a ishte kjo një nga më delikatet?

Sa u përket marrëdhënieve me Federatën Spanjolle, mund të them se periudha përpara se të shkonim në Spanjë, rreth 2-3 javë, ishte pak e tensionuar. Ata filluan të bënin lojëra të tilla duke na quajtur territori i Kosovës në prezantimin e ndeshjes dhe listës, pastaj me informacionet që nuk do të lejohet himni dhe flamuri. Në atë aspekt ishte më e komplikuar. Por, i zgjidhëm ato situata, sepse spanjollët e kuptuan shumë shpejt që ne ishim të vendosur për të mos pranuar asgjë tjetër veçse prezantimit me të gjitha të drejtat.

Pra, futbolli e gjen gjuhën e përbashkët?

Ata ishin shumë të respektueshëm dhe e morën me sportivitet. Madje, na ndihmuan në disa çështje që nuk i kishin të detyrueshme, por na dolën në ndihmë në situata të caktuara kur kishim nevojë për diçka. Ishte gjithçka në rregull dhe nuk kishte telashe.

A do të ketë ndonjë notë proteste nga ana e Kosovës për këtë trajtim në Spanjë?

Është diçka që jemi duke e shqyrtuar së paku për t’ua konfirmuar edhe një herë që nuk jemi aspak të kënaqur me trajtimin dhe me formën si na kanë prezantuar.

kosova-sevilla1

Edhe televizioni publik e shkroi emrin e Kosovës me germa të vogla.

Në fakt, ata ishin në të njëjtën linjë me institucionet e tjera zyrtare të Spanjës dhe vendosën të na prezantonin në atë mënyrë. Mirëpo, duhet ta shohim se cili do të jetë qëndrimi i federatës sonë në të ardhmen, kur të diskutohet kjo çështje.

Po ju, keni menduar ndonjë plan për t’u hakmarrë për atë që ndodhi në Spanjë?

Nuk është se e kemi menduar apo diskutuar diçka të tillë. Unë thashë që federata ishte korrekte, përveç atyre diskutimeve të mëhershme. Besoj se nuk do të merremi me këtë gjë. Ne e respektojmë Spanjën, ashtu siç respektojmë ekipet e tjera në grup.

Vutë re ndonjë ndryshim në sjelljen e lojtarëve katalanas?

Jo. Lojtarët kanë qenë korrektë dhe ishin të respektueshëm. Nuk kishte ndonjë ndryshim nga lojtarët katalanas me ata të rajoneve të tjera. Edhe trajneri Enrike tregoi respekt shumë të madh për trajnerin tonë, ashtu si presidenti i federatës. Gjithçka ka qenë korrekte.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"