EKSKLUZIVE/ “Me Partizanin, kontratë ‘e përjetshme’”, Skuka: Goli më i bukur si i kuq është ai që nuk kujtohet. Kritikat? Flasim ndryshe kur të kthehem te Metz (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2024 | 0:07

EKSKLUZIVE/ “Me Partizanin, kontratë ‘e përjetshme'”, Skuka: Goli më i bukur si i kuq është ai që nuk kujtohet. Kritikat? Flasim ndryshe kur të kthehem te Metz (E PLOTË)

Transferimi më i bujshëm i janarit është Xhuliano Skuka. Sulmuesi vendosi të kthehet te Partizani pas një viti te Metzi e më pas te Maribori, në Slloveni.

skuka

Dibrani ka vendosur të ristartojë aty ku arriti kulmin e karrierës dhe ku vuri në jetë edhe transferimin më të shtrenjtë ndonjëherë në futbollin shqiptar. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Skuka tregon për rikthimin, kontratën “e përjetshme” si i kuq dhe të veçantat e Orges Shehit. Dibrani flet për kritikat, teksa shprehet se ata që flasin keq, nuk kanë shumë informacion mbi atë që ka ndodhur. 25-vjeçari rrëfen edhe pengun e transferimit te Metzi, që do të donte ta kishte bërë në verë dhe jo në janar.

Përse zgjodhët që të ktheheshit te Partizani?
Mendoj se rikthimi te Partizani është mënyra më e mirë për tu rikthyer atje ku e lashë. Besoj se kjo eksperiencë te Partizani do të më shërbejë fort në aspektin moral veçanërisht, por edhe fizik, pasi po stërvitem fuqishëm dhe do të kem më shumë mundësi për të luajtur dhe për të treguar veten.

Patët oferta të tjera përveç Partizanit nga jashtë vendit, por edhe në Superiore?
Nga jashtë Shqipërisë nuk e di, sepse është marrë menaxheri, por për brenda vendit kam kontratë “të përjetshme” me Partizanin.

Me kë nga klubi folët në fillim në lidhje me rikthimin si “dem”?
Unë kam folur me Shkumbinin (Qormemetin) në fillim dhe më pas ai ka folur me Gazin (Demi). Por edhe unë kam pasur kontakt të vazhdueshëm me presidentin, me të gjithë. Edhe me Perlën, ajo është menaxherja ime e vërtetë (qesh).

A ishte e vështirë që të bindej Metzi në lidhje me këtë huazim?
Me këtë është marrë sërish menaxheri, por nuk besoj të ketë qenë e vështirë, pasi ata rikthyen në huazim Mikutadzen dhe nuk kishin shumë nevojë për sulmues.

I prisni të vështira këto javët në vijim për shkak se ende nuk jeni në formën e duhur?
Po, i pres të vështira në aspektin fizik. Nga ana sportive, duke parë ekipin, nuk kemi frikë asnjë skuadre tjetër kundërshtare.

Si u ndjetë në ato 10-15 minuta që luajtët ndaj Teutës?
Shumë mirë, si fillim. Madje edhe çunat pas ndeshjes më thanë: “Si të ngjit topi mor, si ka mundësi”. Më do fort topi të të them të drejtën. Edhe unë e dua, bashkë me portën (qesh).

Cilat ishin vështirësitë më të mëdha te Metzi dhe te Maribori gjatë një viti në këto dy skuadra?
Më shumë mund të them se më ka munguar mbështetja nga jashtë fushës. Besoj se këtë po e gjej te Partizani avash-avash, siç e patë këtu në ndeshjen e parë.

A keni ndonjë keqardhje që u transferuat te Metzi dhe jo diku tjetër, ku mund ta kishit më të lehtë?
Jo, jo. Nuk kam asnjë pendesë që jam transferuar te Metzi. Është ekip shumë i mirë, dihet ajo. Tani luan në League 1 dhe duket niveli. Ndoshta “pengu” i vetëm është që nuk u transferova në verë. Doja ta kisha ngritur edhe unë trofeun e titullit kampion, sepse ia bëra mirë hyzmetin për sa kohë isha këtu. Shpresoj ta ngre kupën këtë herë, dashtë Zoti!

Pa nisur sagën e dytë të golave me Partizanin, cili është më i bukuri dhe më i rëndësishme me fanellën e kuqe?
Të dy janë në derbi. Më i bukuri është goli i shënuar me roveshatë në Elbasan, por që fatkeqësisht nuk mbahet mend, sepse e humbëm atë ndeshje. Më i rëndësishmi është vjet në 1-0 ndaj Tiranës, goditja brenda zonës.

Si e krahasoni ekipin e sivjetshëm me atë të vjetshmin në gjashtë muajt e parë, kur ishit edhe ju me Bitrin?
Nuk ka shumë diferencë. Janë të dy trajnerë shumë të mirë (Kolela dhe Shehi), që kanë në vëmendjen kryesore grupin. Në momentin që ekipi është grup dhe ndihet si familje, nuk ka asgjë që i bën ballë.

Çfarë ju duket se ka ndryshe Shehi në krahasim me trajnerët që keni pasur më parë?
Shehi të lejon të shfaqësh aftësitë siç di ti. Nuk është se të ngarkon shumë me porosi dhe detyra jashtë rolit. Ai e sheh se çfarë ti mund të bësh dhe të thotë që të bësh pikërisht atë që ti di. Kjo mendoj se është më e mira për një lojtar.

Pas rikthimit tuaj ka pasur edhe kritika…
Po, i kam ndjekur të gjitha. I kam parë. Por këta njerëz flasin pa ditur asgjë. Janë njerëz që shohin “Facebook”-un apo “Instagram”- in edhe flasin. Por nuk kam asgjë, është mendimi i tyre. Le të flasin natë e ditë. Nuk kam përgjigje për ta, unë shoh Partizanin dhe veten time. Më pas kthehem te Metzi në verë dhe flasim ndryshe.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"