EKSKLUZIVE/ Luftë për 30 milionë euro, ish-zv.ministri Artan Shyti: Ja si zgjidhet problemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2020 | 20:25

EKSKLUZIVE/ Luftë për 30 milionë euro, ish-zv.ministri Artan Shyti: Ja si zgjidhet problemi

Lufta e klubeve të futbollit shqiptar për të detyruar qeverinë të miratojë kërkesat bëhet që ky sport të përfitojë në formë sponsorizimi rreth 30 milionë euro në vit. Ish-zv.ministri i Sporteve, Artan Shyti, në një intervistë për “Panorama Sport” tregoi se si mund të zgjidhet ky ngërç nga qeveria, ndërsa u tregua disi skeptik për atë që pritet të ndodhë, duke parë kërkesat e komunitetit të futbollit.

artan shyti

“Në të gjitha rastet sportit nuk i intereson të bëjë sherr me shtetin. Qeveria mund të të hapë një rubinet, por të mbyll një tjetër dhe kjo merr në qafë edhe klubet që nuk kanë për të përfituar dot nga ligji për sponsorizimin”, thotë ndër të tjera prof. dr. Artan Shyti.

Zoti Shyti, me fjalë të thjeshta, çfarë përfiton futbolli nëse qeveria miraton kërkesat e bëra nga FSHF-ja dhe Liga Profesioniste?

Është shumë e thjeshtë, fitohet shumë duke miratuar 30% të tatimit mbi fitimin dhe nëse rregullohet ligji i sponsorizimit. Për t’u kuptuar nga të gjithë, duhet të dini se shteti merr sot 100% të tatimit mbi fitimin, që me sa di unë, shkon në total gati 400 milionë euro në vit.

Nëse i jep sportit 30%, i bie afërsisht 130 milionë euro që nuk do t’i ketë kaq. Bëhet fjalë që mund të marrë 20-30 milionë euro në vit në formë sponsorizimi. Pra, sporti në total nga e gjithë kjo që po bëhet, në vit mund të përfitojë afro 30 milionë euro, por këtu ka një problem të madh.

Cili është më konkretisht problemi?

Problemi është se ligji ka të tjera gjëra që duhen parë në total. Për shembull, nëse shikon ligjin e Kosovës, ai është shumë i saktë me të gjitha detajet. Nëse rregullon përqindjen dhe nuk rregullon pjesën e ligjit, prapë nuk fiton asgjë me këtë ligj që kemi sot, pavarësisht se qeveria mund ta rregullojë. Këta kërkojnë vetëm përqindjen e tatimit, por ka një problem, sepse këta thonë: “Të mos i marrë shteti, po t’i marrim ne”. Nga ana tjetër, shteti thotë: “Pse t’i marrësh ti? I marr unë dhe ia jap po unë sportit”. Ky nuk quhet sponsorizim, por donacion.

Këta janë lekët që mund t’i merrte shteti, që ai nuk ia jep shtetit, por ia kalon sportit. Në këtë kontekst ky nuk është sponsorizim i mirëfilltë, por marrëveshje tregtare. Pra, ti më nxjerr mua emrin te fanella dhe unë të jap lekë. Vërtet e ka bërë Kosova, por ka edhe lobim të fortë dhe nevojshmëri që të financojë sportin për t’u evidentuar, duke qenë se ka pak vite që është shtet i pavarur. Kërkon që të njihet sa më shumë në këto kushte edhe përmes sportit. Në Shqipëri këta që janë përballë shtetit nuk janë të zotë ta bëjnë.

Pse mendoni kështu?

Unë mendoj se nuk kanë për ta bërë dot 30%. Sikur edhe 10% apo 15% ta bëjnë, do të jetë sukses i madh.

Nëse marrim të mirëqenë miratimin e kërkesave nga qeveria, çfarë ndodh më pas me bashkitë që financojnë shumë klube futbolli?

Edhe sot që flasim, nja 10- 15 milionë euro sporti i merr nga shteti, por nëpërmjet bashkive. Në këto kushte, në të gjitha rastet, sportit nuk i intereson të bëjë sherr me shtetin. E them këtë, sepse qeveria mund të të hapë një rubinet, por të mbyll një tjetër dhe kjo merr në qafë edhe klubet që nuk kanë për të përfituar dot nga ligji për sponsorizimin. Kjo përplasje që kanë nisur me shtetin është me shumë rrezik dhe pasoja, nëse shteti bën si këta. Pra, thotë: “OK ju bëni kokëfortin, kështu po bëj edhe unë e të shohim më pas kush fiton”.

Kam përshtypjen se shteti nuk ka për ta hapur kollaj rubinetin me këtë lloj pozicionimi që ka futbolli. Kryeministri e tha troç: “Aktiviteti është i tyre, po të duan le mos e bëjnë”. Nuk mund të mendojnë se do të ndryshojë dynjaja se nuk u bë kampionati. As të mos i gënjejë mendja se kjo do të ketë ndikim në një popull si ne, që nuk ka dalë në rrugë për gjëra shumë më madhore, e jo më për futboll.

OK, por çfarë mund të ndryshojë sa i përket privatizimit të mirëfilltë të klubeve?

Privatizimi tashmë është një realitet ligjor. Ndryshimet që u bënë në korrik u kërkojnë të gjitha bashkive që të gjitha klubet e tyre të çdo sporti t’i lëshojnë. Pra, të mos kenë më punë me to siç kanë pasur deri më tani. Nëse, për shembull, sot shumësportëshi i Tiranës konsiderohet ndërmarrje e bashkisë, nuk do të jetë më e tillë. Tashmë i është hapur rruga që të gjitha shoqatat të menaxhohen nga privati dhe jo nga shteti. Privatizim nuk është vetëm të shesësh klubin. Ajo që bën Vllaznia është një idiotësi. Thjesht bashkitë duan të thonë: “Merre bëje ti”, duke mos pasur përgjegjësi direkte për klubin.

Si është e vërteta me ngërçin e ligjit aktual të sponsorizimit që është miratuar në vitin 1994?

Ligji aktual i sponsorizimit ka shumë probleme brenda, sepse kur u bë në vitin 1994, nuk është menduar ky realitet që është sot. Ligji i sponsorizimit nuk mund të ndryshojë vetëm te përqindja, sepse ti bëje sa të duash, në një kohë që unë nuk marr dot atë që dua. Aty thotë që shoqëria tregtare nuk merr sponsorizim. Mirëpo, sponsorizimi është marrëveshje tregtare, jo dhuratë. Ligji i vitit 1994 e quan sponsorizimin si donacion. Sponsorëve të mëdhenj aktualisht u intereson që të vendosin reklamën te fanella, nëse atë e vesh, për shembull, Ronaldo dhe yje të tjerë, do ta blejnë shumë vetë. Sponsorizimi në këtë rast është që një kompani mund të bëhet e njohur edhe nëpërmjet futbollit.

Sipas jush, si mund të zgjidhet gjithë kjo çështje që në fund të gjitha palët të jenë të fituara?

Është një situatë e komplikuar. Këto që fliten janë degët, ndërsa rrënja është fakti se u bënë 15 vjet dhe nuk kemi ministri sporti. Kemi afro dy dekada që shteti nuk është prezent në sport në të gjitha format, duke ndryshuar ato që duhen ndryshuar dhe rregulluar, kuadrin ligjor apo formën e funksionimit në të gjithë kompleksitetin. Nuk mund të thuash: “Bëj ti një ligj që më jep mua lekë”, sepse qeveria mund të ta bëjë këtë ligj, por pastaj të bën edhe tjetrën, të nxjerr nga stadiumi. Aktualisht ekipet tona nuk kanë asnjë kuadër ligjor që të luajnë në stadiumin e Korçës, Durrësit etj. Po të dojë nesër një bashki, marrim shembull Lushnjën, nuk e lë të luajë skuadrën në stadium. Mënyra e zgjidhjes tani është që ajo që u nis në takimin me kryeministrin që në vitin e kaluar mbetet rruga e duhur.

Në ç’kuptim?

Që do të thotë të ulen palët, në rastin konkret, shteti. Pra, të bëjë shteti disa gjëra që duhen bërë. Duhet shteti që të merret me sportin, jo kryeministri. Ndoshta ai është i paaftë të trajtojë çështjen si duhet. Shteti tani duhet ta bëjë sportin një element, ku qeveria të japë sa të mundet dhe sporti të bashkëpunojë për të bërë diçka serioze, siç është në Kosovë. Pse aty funksionon dhe këtu jo?! Aty ka një realitet shtetëror të ndërtuar drejt dhe marrëdhënie institucionale të qarta.

Ka njerëz me vullnet të mirë që duan ta bëjnë, ndërsa në Shqipëri ka 15 vjet që nuk ka një ministri sporti që t’i çojë qeverisë gjërat që duhen. Ministria, edhe kur bëri ligjin dhe e çoi në Parlament, Kuvendi i hodhi poshtë duke miratuar ligjet e veta. Në çdo vend tjetër, kjo duhet të ishte skandal dhe duhej pushuar nga puna ministri apo zv.ministri.

Cila është zgjidhja?

Zgjidhja është që Ministria e Sportit të vihet në pozita pune, të analizojë dhe vlerësojë situatën, të bashkëpunojë me ministritë e tjera dhe të bëjë një plan veprimesh, jo thjesht ligjore, por edhe institucionale apo menaxheriale. Sporti shqiptar nuk ka aktualisht një menaxhim bashkëkohor. Ata që menaxhojnë klubet sot nuk janë njerëz që kanë bërë shkollë për këtë punë. Klubet nuk kanë juristë dhe po humbin me qindra gjyqe dita-ditës, sepse nuk dinë të menaxhojnë punët e tyre nga ana juridike. Partizani nuk bën merkato se humbi një gjyq idiot.

Shtylla menaxheriale, investimi për anën juridike dhe pjesa sportive e shtetit që duhet të jetë funksionale për të bërë punën. Këto tri pika janë gjërat më kryesore, që kanë çuar klubet të dalin dhe të kërkojnë heqjen e gjobave, në një kohë që janë menaxhuar nga vetë bashkitë. Këtu është një anarki totale, sepse shteti nuk është prezent dhe klubet në të gjitha sportet në planin menaxherial dhe juridik janë ku thërret qameti.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"