EKSKLUZIVE/ Legjenda shkodrane skanon Vllazninë, Zmijani: Sulmi më mirë nga repartet e tjera, Adili si lojtar amator

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 23:21

EKSKLUZIVE/ Legjenda shkodrane skanon Vllazninë, Zmijani: Sulmi më mirë nga repartet e tjera, Adili si lojtar amator

Legjenda e futbollit shkodran dhe Kombëtares, Hysen Zmijani, mendon se reparti i mbrojtjes te Vllaznia të fut frikën në këtë start të sezonit. Shtatë golat e pësuar në tri ndeshje, duke përfshirë Superkupën me Teutën, më pas atë në Laç dhe ndeshjen për kampionat ndaj durrsakëve, kanë krijuar dyshime të mëdha për ecurinë e skuadrës.

zmijani

Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi i njohur shkodran është konçiz dhe i drejtpërdrejtë në ato që thotë. Ai shigjeton Mevlan Adilin, duke thënë se loja e tij në këtë fillim sezoni ka qenë amatore. Gjithsesi, Zmijani pranon se Vllaznia ka ndërtuar një skuadër më të mirë se vjet, sa u përket lojtarëve që ka në përbërje.

Zmijani, si ju duket Vllaznia aktuale në krahasim me sezonin e kaluar?

Këtë vit ekipi është më i mirë se vjet. E them këtë gjë nisur nga elementi që skuadra ka në përbërje. Barazuan me Teutën, edhe pse kundërshtari kishte 10 lojtarë.

Ku u gabua në këtë sfidë?

Pjesa e parë, për 37 minuta, Teuta ishte më mirë se ne. Më pas Vllaznia reflektoi dhe ishte më mirë, por nuk diti të fitonte. Në pjesën e dytë trajneri duhet të ndryshonte diçka. Por, nuk më pëlqeu ekipi, sepse nuk ndryshoi asgjë, edhe pse kishin superioritet numerik.

Mbrojtja duket se po çalon, ku përveç Superkupës, në dy ndeshjet e para në kampionat ka pësuar 4 gola…

Nuk i kuptoj lojtarët e mbrojtjes, as nuk janë ata që mbrojnë mirë, as nuk janë ata që i japin diçka sulmit. Për mua mbrojtja e Vllaznisë është një repart i frikshëm.

Po kritikohet mbajtja e gjatë e topit nga ana e Adilit. Keni ndonjë sugjerim apo këshillë për të?

Mbrojtësi Adili në këto ndeshje më është dukur si lojtar pa ego. Mund të them si amator.

Si e shikoni këtë kampionat, mendoni se mund të jetë më i fortë se sezoni i shkuar?

Kampionati ka për të qenë më konkurrues se vjet. Kjo është e dukshme.

Sipas jush, cilat skuadra i shihni si favorite?

Është shumë herët për të folur, por kampionati i këtij sezoni për mua do të jetë më i fortë. Vllaznia ka një mbipopullim lojtarësh në sulm, në proporcion me dy repartet e tjera.

Më mirë apo më keq?

Është e vërtetë që Vllaznia ka mbipopullim në fazën ofensive, ndërsa repartet e tjera janë jo në nivelin e sulmit. Tani nuk mund të them nëse kjo është një zgjidhje e duhur. Mbetet për t’u parë.

Të shtunën me Partizanin, si e shikoni këtë sfidë dhe a mendoni se Vllaznia mund të arrijë maksimumin?

Vllaznia nuk mund të ketë frikë nga asnjë ekip, por janë në lojë të tria rezultatet. Prandaj dhe them që çdo gjë është e hapur.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"