EKSKLUZIVE/ “Kushta yll, por si menaxher s’ka bërë gjë”, Idrizi: Si në parashkollor, mos e kanë… hakeruar (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2023 | 10:50

EKSKLUZIVE/ “Kushta yll, por si menaxher s’ka bërë gjë”, Idrizi: Si në parashkollor, mos e kanë… hakeruar (E PLOTË)

Sinan Idrizi i përgjigjet Sokol Kushtës. Gjatë një prononcimi ekskluziv për “Panorama Sport”, administratori i kujton se nuk iu drejtua si ish-futbollist, por si politikan. Është i vetmi që vjen erë nga sporti në Këshillin Bashkiak, ndaj prej tij pret edhe mbështetje. Ka mbetur disi i habitur nga i gjithë statusi i legjendës vlonjate, aq sa dyshon se mos i kanë hakeruar “Facebook”-un.

idrizi kushta

“Unë jam fans i Kushtës si futbollist, aq sa mendoj se Ronaldo golin me kokë e ka kopjuar nga Sokoli. Ka qenë super në kohën e tij. Por po të luante futboll sot, do të flisnim ndryshe bashkë. Unë nuk i drejtohem atij si futbollist dhe as si menaxher, pasi edhe si i tillë nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe. Tani i drejtohem si politikan, si anëtar i Këshillit Bashkiak. Ka derdhur djersë dhe gjak në fushë thotë dhe nuk ia mohon kush, por ajo është lavdia e Flamurtarit. Tema është tjetër dhe e thjeshtë.

Bëhet Sokol Kushta me mua bashkë pjesë e këtij komisioni qytetar për luftën kundër ilegalitetit, po apo jo? Kaq! Thotë pse iu referova atij, po ai është figura më politike e sportit në Vlorë. Më përmendi një tjetër. Kujt t’i drejtohem unë në Këshillin Bashkiak, që e ka haberin nga sporti.

Më thuaj ti mua, Sokol? Miq jemi, patjetër, ndaj i drejtohem. Është aktiv në futboll, politikë dhe biznes. I them shumë shkurt, se Flamurtari është klubi yt dhe jo imi. Unë dyshoj se e kanë hakeruar këtë faqen e Sokolit, se nuk mund të thotë ai që nuk më kanë bërë ftesë mua për të shkuar atje, nuk më ka pyetur.

Nëse do të arrijë realisht të mendojë se Flamurtari do t’i bëjë ftesë Sokol Kushtës, atëherë na ka marrë lumi të gjithëve. Flamurtari është shtëpia e Sokolit. Shkon ai me ftesë dhe u thotë fëmijëve të lutem më hapni derën? Jo… Flamurtari është pjesë e Sokol Kushtës, kush do t’i bëjë ftesë atij, unë? Është shtëpia e tij”, shprehet fillimisht Idrizi.

KROSI DHE GOLI

Ka një përgjigje edhe për “krosin e golin”, ndërsa e fton që t’i bashkohet në luftën ndaj ilegalitetit në futboll dhe t’i drejtohen prokurorisë.

“Me këtë ‘krosin dhe golin’, nuk dua të merrem. Janë fjali të tipit parashkollor. Nuk është tema kjo, dua të bëj kros apo gol. Ne kemi problem me tatimet. Kemi një kundërshti të Flamurtarit për këtë, kemi dhe një ndëshkim nga FSHF, po për këtë. Ne themi që një grup njerëzish do të shkojmë ta denoncojmë këtë histori pranë prokurorisë. Ka një problem të thjeshtë tani. Tema ime është shumë e thjeshtë.

Në luftën kundër ilegalitetit Sokoli i bashkëngjitet kësaj lëvizjes sonë në pastrimin dhe sterilizimin e futbollit shqiptar, në sterilizimin e qytetarisë së futbollit. Po apo jo? Nuk ka asnjë gjë të keqe, pasi mund të ketë arsye objektive, subjektive që mendon se nuk do të krijojë telashe. Ndoshta jo telashe se është fjalë e rëndë, por nuk do të krijojë kokëçarje me FSHF-në, me qeverinë, me opozitën, do të jetë i qetë në punën e tij. Unë nuk i referohem të kaluarës së futbollit te Flamurtari, se fjalia e tij është shumë e gjatë”, thekson Idrizi.

FESTA NË BORD

Për mungesën e një ftese për në bordin e klubit, Idrizi ka diçka për t’i thënë Kushtës.

“Po nuk ka emër Sokoli për bord. Kushta është një personazh që i ka dhënë futbollit shqiptar. Ne jemi nga ata që krenoheshim dhe krenohemi akoma me Sokol Kushtën.

Është pjesëtar i lavdishëm i Flamurtarit, është politikan, është anëtar i Këshillit Bashkiak. Ky është. Po të ishte Kreshnik Çipi apo Vasil Ruci, do t’u drejtohesha atyre. Në tri-katër vjet ka dhënë disa aksione për zhvillimin e klubit, për financimin.

Ka thënë që ta mbajmë ne me fondet publike. Meqë tani e menaxhoj unë dhe ai është politikan, se unë nuk kam vendimmarrje në Këshillin Bashkiak, i them të lutem t’i bashkëngjitesh këtij komisioni, të tjerat janë të gjitha siç thua ti, nuk i heq asnjë presje. Sinani do të bëjë krose, do të bëjë gola, penallti…

Janë të gjitha siç thotë Sokoli. Të mos flasë si politikan dhe të mos devijojë nga tema. I bashkohet kësaj që dua të bëj unë, që të denoncojmë ilegalitetin në futbollin shqiptar dhe si pasojë e këtij ilegaliteti ne jemi ndëshkuar?

Mund të thotë jo dhe më duhet ndonjë histori si këto justifikimet, siç thotë justifikohet. Unë jam një personazh që i kam kërkuar ndjesë qytetit dhe kam thënë përgjegjësia është imja. Ku jam shmangur unë, për çfarë arsye, të ma thotë”, përfundon Idrizi.

Kushta replikon me Idrizin: Ekipi nuk është vetëm pagesa, Sinani vetë kroson dhe vetë do që të bëjë golin…

EKSKLUZIVE/ “Nuk na duan në Superiore”, Idrizi fajëson lojtarët dhe FSHF-në: Kushta pse nuk reagon si me…

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"