EKSKLUZIVE/ “Nuk na duan në Superiore”, Idrizi fajëson lojtarët dhe FSHF-në: Kushta pse nuk reagon si me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2023 | 9:20

EKSKLUZIVE/ “Nuk na duan në Superiore”, Idrizi fajëson lojtarët dhe FSHF-në: Kushta pse nuk reagon si me…

Humbja me Burrelin nuk do të kalojë pa masa në Vlorë. Futbollistët që kanë qenë larg pritshmërive do të ulen në stol ndaj Korabit. Është ky vendimi që kanë marrë në klub dhe këtë e konfirmon vetë Sinan Idrizi për “Panorama Sport”. Administratori për momentin fajin ia faturon ekipit, por ka edhe një mesazh të qartë për trajnerin. Emiljano Çelës i kujton se e mbajnë rezultatet.

SINAN IDRIZI

“‘Ishte gol a jo’ apo ‘penallti brenda dhe jashtë zonës’, këto janë histori që nuk mbarojnë te Flamurtari. Ju e dini që ne jemi jashtë aleancave. Pavarësisht golit që pësuam, ne kishim kohë të mjaftueshme që të reagonim.

Të them të drejtën nuk më pëlqeu ekipi. Përgjegjësia e parë është e lojtarëve. Ne do të vazhdojmë kontratat me lojtarët dhe ato nuk do të prishen. Sot (dje) i thashë drejtorit sportiv që të më sjellë tre lojtarë të akademisë direkt në ekipin e parë.

Kemi elementë që janë jashtë pritshmërive dhe ata nuk do të kenë mundësi që të luajnë më. Për lojtarët që nuk japin në fushë atë që duam ne, ka alternativa. Edhe vjet kështu e ‘fikëm’ në Berat kampionatin dhe këtë vit po na ndodh e njëjta gjë.

Unë nuk e fyej Burrelin, pasi mirë apo keq e merituan fitoren. Jo vonuan lojën, jo nuk e vonuan, kjo është gjë koti. Ne jemi një ekip i ndërtuar për Superiore.

Nga trajneri pres ngjitjen. Kuptohet që puna e trajnerit varet nga rezultatet. Ai po punon në mënyrë profesionale. Nuk ia vë fajin trajnerit, por lojtarëve të Flamurtarit. Ishte i qartë Saimir Haxhiu sot (dje) në gazetën tuaj kur tha, se nuk patëm asnjë dy luftim”, shprehet fillimisht numri një i klubit.

AKUZA ORGANIZATORËVE

Sinan Idrizi thekson se në FSHF nuk duan që Flamurtari të ngjitet në Superiore. Ndaj thekson se skuadra duhet të japë në fushë 150%.

“Ne duhet që të jemi të qartë dhe të mos aludojmë. Asnjë nga organizatorët e futbollit në Shqipëri nuk e do Flamurtarin në Superiore. Skemat janë bërë gati. Në vendin tonë dihet kush hyn e kush del. Shikojini disa ndeshje si i finalizojnë arbitrat. Përgjegjësia është individuale. Por në këto kushte kur të gjithë këta i kemi kundër, futbollistët tanë duhet që të japin 150% në fushën e lojës”, thekson ai.

KOMISIONI QYTETAR

Administratori kërkon që të ngrihet një komision qytetar në Vlorë dhe t’i drejtohet prokurorisë, pasi janë 200 raste kundër Flamurtarit. Idrizi kërkon reagimin e Sokol Kushtës dhe njerëzve që janë me pushtet në Vlorë.

“Ku është kjo furia e Këshillit Bashkiak që ankoheshin, këta miqtë tanë të partive opozitare. Më thoni, a patë ndonjë prej tyre që të vinte për historinë e kësaj ndeshjeje, për maskaradën… Asnjë nuk reagonte. Në 9 ndeshje asnjë prej tyre në stadium, me përjashtim të Gjergji Nikës dhe deputetit Arbi Agalliu. Nuk vjen njeri që të kërkojë llogari çfarë po ndodh me Flamurtarin apo më mirë të them me këtë qytet, pasi skuadra është e Vlorës. Kur shkojnë keq, të gjitha shigjetat bien mbi mua.

Ndodhi ajo me Dinamon vjet, asnjë status. Sokol Kushta, jo si ish-futbollist, por si këshilltar në këshill, nuk ka reaguar. Ashtu sikundër bën statuse për Kombëtaren dhe falënderon presidentin për kushte që ka krijuar, le të marrë në dorë situatën dhe të thotë se çfarë po behët me garën në këtë ekip. Çdo gjë ka një shkak dhe një pasojë. Nëse nuk do të na hiqeshin ato tri pikë në ndeshjen me Dinamon, sot do të ishim në Superiore.

Unë e di që këta politikanët dhe bashkë me ta edhe Sokol Kushta do të reagojnë në fund. T’i drejtohen prokurorisë, pasi janë mbi 200 raste kundër Flamurtarit që nga koha që unë jam në drejtim.

Sot jemi në situatën e asaj kohe kur Shpëtim Duro ishte në Vlorë. Këta nuk e duan Flamurtarin në Superiore, por nuk ka reagim. Ne një herë në dy muaj duhet që mblidhemi dhe ata të më kërkojnë llogari mua se çfarë po ndodh me Flamurtarin. Hajde të ndërtojnë një komision qytetar se çfarë po ndodh me këtë ekip.

Nëse e kemi për shou, atëherë vazhdoni se mirë është kjo histori. Me përjashtim të Saimir Haxhiut, tri ditë pas ndeshjes asnjë nuk foli. Mua po më pengoni qëllimisht, se unë po prish sistemin dhe kjo ndodh nga njerëzorja. Ata që organizojnë garën janë të njëjtët grup njerëzish.

Hajde krijojmë një grup qytetar dhe faktet i kemi me video. Ata nuk janë të paprekshëm, se ekziston një shprehje, që sa më lartë të ngjitesh, aq më shpejt e thyen kokën. Unë po mbeten vetëm në këtë betejë.

Jo futbollisti, por Sokol Kushta politikani a ka një reagim, për rastin konkret në ndeshjen me Burrelin. Po e pyes unë si e mendon ai? A janë të drejta këto apo i shoh unë gabim si amator, me që tha që ky harxhon lekë, por nuk di ta bëjë këtë punë.

Këtu duhet që të sterilizohen ata që drejtojnë garën në mentalitetin e tyre. Duhet të nisin lëvizjen e pastrimit të futbollit shqiptar. Nëse nuk dua ta pastrojnë, histori tjetër, por ne luajmë futboll të pastër”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"