EKSKLUZIVE/ Kontratat te Partizani, rinovojnë dy titullarë. Priten disa largime nga të kuqtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2024 | 22:25

EKSKLUZIVE/ Kontratat te Partizani, rinovojnë dy titullarë. Priten disa largime nga të kuqtë

Partizani po vuan në këto javë në kampionat, por kjo nuk e ndalon klubin të mendojë për të ardhmen dhe skuadrën e sezonit të ardhshëm.

partizani

Prej muajsh po punohet për rinovimet e lojtarëve, të cilët janë drejt skadimit të kontratave. “Panorama Sport” ka mësuar se klubi i kuq ka arritur rinovimin me dy lojtarë të rëndësishëm, të cilët konsiderohen edhe liderë të ekipit për atë që japin në fushë, por edhe për kohën e gjatë, që mbajnë veshur fanellën e kuqe. Bëhet fjalë për Tedi Carën dhe Valentino Muratajn.

MESFUSHORI Kontrata e mesfushorit skadonte në verë dhe marrëveshja mes palëve po haste në pengesa për shkak të pretendimeve të ndryshme të lojtarit dhe klubit. Në muajin dhjetor “Panorama Sport” lajmëroi për një ngërç, që duket se është zgjidhur në ditët e fundit dhe klubi ka vendosur të plotësojë kërkesat e Muratajt. 27-vjeçari pati lajmëruar edhe një marrëveshja paraprake me presidentin Demi. Nuk dihet saktësisht jetëgjatësia e marrëveshjes së re, që me shumë mundësi do të jetë 1-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon në varësi të disa kushteve. Murataj është pjesë e Partizanit prej tre vitesh e gjysmë, titullar fiks dhe zëvendëskapiten i skuadrës. Rinovimi me të është një lëvizje mjaft e rëndësishme nga ana e klubit. Por pavarësisht marrëveshjes së re, klubi do të ishte i hapur në rast ofertash nga jashtë. Murataj iu bashkua Partizanit në janar të vitit 2021 nga Bylisi, që e shiti për 50 mijë euro.

KAVAJASI Edhe kontrata aktuale e Tedi Carës skadonte në verë, të paktën sipas asaj që shkruhej në media, por kjo nuk do të ndodhë më. Klubi dhe lojtari kanë arritur një dakordësi mbi rinovimin edhe për dy sezone të tjera. 24-vjeçari ishte pranë një transferimi në Turqi në verën e vitit të shkuar, por refuzimi i Partizanit bëri që ai të mbetet “dem i kuq”. Sulmuesi anësor nuk e ka fshehur asnjëherë dashurinë për fanellën e kuqe dhe kjo ka ndihmuar në rrugën për të gjetur gjuhën e përbashkët. Cara është pjesë e Partizanit prej katër vitesh e gjysmë dhe në verë arriti të bëhet golashënuesi më i mirë i “demave” që nga rikthimi në Kategorinë Superiore. Sulmuesi i majtë konsiderohet titullar absolut dhe është autor i 7 golave në këtë sezon. Edhe për Carën nuk ndryshon qëndrimi i klubit në rast ofertash nga jashtë.

ÇËSHTJET E TJERA Para disa ditësh “Panorama Sport” njoftoi firmën deri në vitin 2026 me Sembene, teksa pezull mbeten çështje si Maget, Sota apo Atanaskoski, që më së shumti duken drejt largimit nga klubi i kuq. Nëse dy mbrojtësit largohen me parametra zero, pritet që Maget të shitet dhe të sjellë të ardhura të rëndësishme në adresë të klubit. Osijek, Sivaspor, Steaua e Bukureshtit dhe jo vetëm, kanë shfaqur interes dhe kanë vëzhguar nga afër senegalezin.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"