EKSKLUZIVE/ “Klub me autoritet, më bindi plani i Dinamos”, e donte gjithë Superiorja, Ibraimi: Ja pse nuk rinovova me Kukësin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2021 | 19:51

EKSKLUZIVE/ “Klub me autoritet, më bindi plani i Dinamos”, e donte gjithë Superiorja, Ibraimi: Ja pse nuk rinovova me Kukësin (E PLOTË)

Agim Ibraimi u bë lojtari më i kërkuar në Kategorinë Superiore pasi përfundoi sezoni 2020- 2021. Në vitin e tij të parë në kampionatin shqiptar, fantazisti nga Tetova shënoi 15 gola me fanellën e Kukësit, por kontrata i skadoi dhe rinovimi me verilindorët nuk erdhi. Edhe pse mbajti shiritin e kapitenit te Kukësi, drejtuesit e klubit nuk arritën ta bindin për të zgjatur marrëveshjen edhe të paktën një sezon. Këtu përfitoi Dinamo e rikthyer në elitë, teksa arriti të mposhtte rivalitetin e madh që kishte për të marrë shërbimet e 32-vjeçarit. Tirana, Partizani, Vllaznia, Teuta, por jo vetëm, i bënë një ofertë zyrtare sulmuesit, i cili mund të përshtatet si nga krahët, ashtu edhe në qendër të këtij reparti. Blutë e joshën më shumë ish-lojtarin e Kaljarit në Serinë A, duke insistuar që kur u mbyll sezoni, për t’u konkretizuar gjithçka në fillim të muajit korrik. Por pse kjo zgjedhje dhe çfarë pret Ibraimi te Dinamo. Është vetë Agimi që i rrëfen për herë të parë në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.

IBRAIMI 1

Nga Kukësi te Dinamo, ngjyrat e klubit dhe shiriti i kapitenit nuk kanë ndryshuar. Për të gjithë ata që janë kuriozë pse bëtë këtë zgjedhje për të vijuar karrierën, a mund të na thoni se çfarë ju bindi më tepër?

E bëra këtë zgjedhje për shkak të klubit Dinamo dhe emrit të madh që ka. Më bindi plan-projekti i klubit për të arritur qëllimet dhe objektivat kryesorë që kanë drejtuesit, pra rikthimi i Dinamos aty ku ka qenë më parë.

Deri në momenti që iu skadoi kontrata me Kukësin, pikërisht më 30 qershor, është folur shumë për ofertat që keni pasur. Është e vërtetë që Tirana, Teuta, Vllaznia dhe Partizani ju kanë kontaktuar zyrtarisht?

Është e vërtetë që kanë qenë disa klube të Kategorisë Superiore të cilat më kanë kontaktuar zyrtarisht dhe për këtë u jam falënderues, por fati e deshi që të jem pjesë e Dinamos në vazhdim. Unë tani jam pjesë e një klubi me shumë autoritet.

Klubi i Kukësit njoftoi pas largimit tuaj te Dinamo se ju kishte ofruar rinovimin. Çfarë ndodhi që gjërat nuk mund të vijonin si më parë?

Në fakt, nuk ndodhi asgjë me Kukësin. Jam falënderues për drejtuesit dhe të gjithë në Kukës, edhe ndaj atyre që më afruan rinovimin, por dakordësia është dypalëshe dhe ne nuk e arritëm atë. Pastaj vendosa të kem një eksperiencë të re dhe jam i lumtur që sot jam këtu te Dinamo.

Tani që e njeh mirë Superioren, mendoni se me grupin që ka formuar Dinamo mund të jetë një pretendente për titull në sezonin e ri?

Prezenca ime këtu është të jap kontributin maksimal për të arritur objektivat e klubit. Mirëpo, në Superiore është pak problem, sepse të gjithë deklarojnë se do të fitojnë titullin kampion, ndërsa ne do të qëndrojmë me këmbë në tokë. Objektivi ynë është të marrim çdo ndeshje një nga një. Pa zhvilluar edhe fazën përgatitore nuk mund të shprehim asgjë më tepër. Dinamo sot ka një ekip me djem të rinj dhe duhet kohë dhe harmoni për të formuar grupin e mirë, që të jemi të suksesshëm në kampionat.

Çfarë ju kanë kërkuar drejtuesit e Dinamos pasi firmosët kontratën?

Futbolli është sport kolektiv dhe jo individual, prandaj nuk më kanë kërkuar asgjë personale. Ne duhet të funksionojmë si grup, fitojmë dhe humbasim të gjithë bashkë. Unë jam i bindur që suksesi ynë do të varet vetëm nga forca e grupit dhe jo nga individi.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"