EKSKLUZIVE/ Kartoni i kuq në duelin me Erzenin, rrëfehet Spahiu: Pati agresion dhe racizëm nga shijakasit, ju tregoj kush e solli atë situatë… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2024 | 21:56

EKSKLUZIVE/ Kartoni i kuq në duelin me Erzenin, rrëfehet Spahiu: Pati agresion dhe racizëm nga shijakasit, ju tregoj kush e solli atë situatë… (E PLOTË)

Përballja Erzeni-Egnatia solli jo pak polemika, pasi situata doli nga kontrolli në pjesën e dytë. Një karton i kuq i akorduar nga gjyqtarja Rusta për Spahiun u pasua me kontestime nga futbollistët e Egnatias.

Spahiu

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Sebastjan Spahiu shprehet se në atë ndeshje pati padrejtësi, sidomos nga gjyqtari i katërt. Ai pretendon se është fyer nga stoli shijakas dhe tribuna vazhdimisht. Spahiu pohon se pati presion psikologjik dhe kore raciste ndaj Dylis. Lojtari i Egnatias pret fitoren në ndeshjen e radhës kundër Partizanit dhe beson te fitimi i dy trofeve.

Spahiu, çfarë ndodhi tek episodi i kartonit të kuq kundër Erzenit?

Më besoni, as sot nuk e kuptoj pse u ndëshkova nga arbitrja kryesore. Gjykoj që arbitri i katërt e prodhoi të gjithë këtë situatë, pasi vendosi në mënyrë të njëanshme. Jo vetëm tifozët, por edhe i gjithë stoli i Erzenit më ka fyer gjatë gjithë takimit dhe për gjyqtarin e 4-t kjo ishte diçka normale. Jam profesionist dhe shikoj çfarë ndodh në fushë, por jam edhe njeri me gjak që ruaj në çdo moment dinjitetin tim. Nuk është aspak logjike të luash me nervat e tjetrit. Ata e bënin këtë, pasi nuk po arrinin të godisnin portën tonë dhe unë e kuptoj këtë pjesë, por bukurinë e kësaj loje nuk duhet ta prishim për asnjë motiv.

Kush të provokoi te stoli i shijakasve?

Të gjithë. Ishin disa persona, përfshirë lojtarë dhe anëtarë të stafit që në çdo moment më fyenin. Në fakt, nuk isha i vetmi, pasi sharje dhe ofendimeve kanë marrë edhe futbollistë të tjerë të Egnatias. Ndaj Dylis pati kore raciste sa herë kapte topin, kjo nuk është aspak normale. Duhen marrë masa nga njerëz kompetentë për këto ngjarje, pasi përpara se të jemi futbollistë, jemi njerëz dhe kemi familjarë në shkallët e stadiumit. E gjithë sfida u luajt në një agresion psikologjik, ku askush nuk mori asnjë masë për të vendosur kushte minimale për të luajtur qetë.

Vendosët për një çast të mos largohesh nga fusha, kush ju bindi të dilnit?

Vendosa të mos largohesha nga fusha, pasi nuk e meritoja kurrsesi të dilja prej saj. Ishte padrejtësi që po më bëhej dhe i nervozuar u ula në tapet për të qëndruar aty. Më bindi Renato Malota, i cili më tha që nëse do të qëndroja në fushë, rrezikonin humbjen në tavolinë 3-0. Kjo më bëri të ndryshoj qëndrim, pasi gjykova që fati i skuadrës është mbi gjithçka. Shpresoj dhe uroj që këto situata të mos përsëriten më në futbollin tonë.

Nuk do të luani kundër Partizanit…

Ndihem i trishtuar që humbas në mënyrë të padrejtë një ndeshje, ku të gjithë dëshirojnë të jenë në fushë. Më frymëzojnë gjithmonë duelet me të kuqtë dhe sigurisht më vjen keq që nuk do kem shansin të ndihmojë skuadrën. Egnatia ka alternativa dhe kualitete për të zëvendësuar këdo, e ka treguar shpesh këtë sezon. Do të jem aty pranë shokëve të skuadrës për t’i motivuar gjatë takimit.

Egnatia do të ketë disa mungesa të rëndësishme, çfarë prisni nga takimi me Partizanin?

Mungon edhe Dylis për kartonë dhe me shumë gjasa dhe Xhemajli. Jemi një ekip i kompletuar, ku nuk mungojnë cilësitë dhe çdokush që futet në fushë mund ta justifikojë veten. Do të kërkojmë maksimumin për të lënë pas humbjen me Erzenin. Nuk do ta kemi të lehtë, pasi luajmë me kampionët në fuqi, por kam besim te shokët e skuadrës që do bëjnë gjithçka për të arritur 3 pikët.

Sa shanse keni ta ruani vendi e parë deri në fund?

Shanset që Egnatia ta ruajë vendin e parë janë 100%. E kemi merituar të jemi aty dhe do të jemi deri në fund. Janë edhe 18 pikë në lojë dhe do t’i marrim ndeshjet një e nga një. Me Partizanin, Vllazninë dhe Tiranën luajmë në fushën tonë, ky është një avantazh që do ta shfrytëzojmë. Çdo ndeshje ka vështirësitë e veta në këtë fazë, ku dikush kërkon pikë mbijetese, dikush për “Final 4”.

Cili trofe është më i arritshëm nga Egnatia, Kupa apo kampionati?

Prioriteti ynë është fitimi i të dy trofeve. Jemi në garë në të dy frontet. Jemi në një moment delikat, ku duhet të tregojmë vlerat tona për objektivat e klubit, pasi këtu është investuar prej 3 vitesh për të mbërritur në këto nivele. Dua të bëjmë lojën tonë dhe jam i bindur se do t’ia dalim. Jemi ekipi më i mirë dhe më i fortë në Superiore. Kemi gjithçka, dëshirën, grintën dhe kualitetin për të fituar trofe këtë sezon.

Çfarë synoni në nivel personal?

Synimi im është të shënoj dhe të shërbej për shokët e skuadrës. Do të jap maksimumin për Egnatian, sepse me ka ofruar gjithçka kam dashur.

ISA HALILI -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"