EKSKLUZIVE/ Kaos total, pas Tiranës FIFA bllokon edhe Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2021 | 23:47

EKSKLUZIVE/ Kaos total, pas Tiranës FIFA bllokon edhe Skënderbeun

Klubit të Skënderbeut i bllokohet sërish merkatoja nga FIFA. “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta, se për shkak të një detyrimi të pashlyer, institucioni më i lartë i futbollit botëror ka njoftuar korçarët se nuk mund të bëjnë asnjë regjistrim të lojtarëve të rinj në këtë periudhë merkatoje, që skadon më 31 janar 2021. Tashmë nuk ka asnjë habi, pasi klubet shqiptare janë futur në kolaps të plotë financiar dhe kjo konfirmohet sa herë hapet dritarja e transferimeve, teksa FIFA detyrohet t’i bllokojë pas paralajmërimeve të vazhdueshme që u bën për të respektuar marrëveshjet ndaj lojtarëve apo trajnerëve që kanë fituar gjyqet në vitet e kaluara.
SKENDERBEU
Pas bllokimit të merkatos së Tiranës të martën, këtë herë është klubi i Skënderbeut që e pëson për herë të dytë radhazi. Korçarët u dënuan edhe në merkato e verës për shkak të disa pagesave të pashlyera ndaj ish-lojtarëve si sulmuesi Ali Soue dhe mbrojtësi Kaba Sambou.

Mirëpo, në muajin tetor 2020, drejtuesit bardhekuq gjetën në kohë një marrëveshje për detyrimet dhe FIFA e zhbllokoi sistemin, duke lejuar federimin e lojtarëve të afruar rishtas. Mesa duket, tashmë një nga marrëveshjet nuk është ekzekutuar në kohën e duhur nga korçarët dhe kësisoj, palët që presin të shlyhen janë ankuar sërish në FIFA. Menjëherë kjo e fundit, tashmë që edhe klubet nisin të bëjnë regjistrime të lojtarëve në sistemin “TMS”, ka bërë bllokimin e Skënderbeut.

Një situatë shumë e vështirë për korçarët, të cilët këtë sezon rrezikojnë më shumë se kurrë mbijetesën, për më tepër që në këtë periudhë merkatoje kanë paralajmëruar ndryshime të mëdha, nisur nga ecuria jo e mirë në 12 javët e para të kampionatit. Tashmë zgjidhja nga ana e klubit është gjetja e marrëveshjeve me palët që presin të shlyhen nga Skënderbeu, në mënyrë që FIFA të zhbllokojë sistemin brenda 31 janarit. Sipas rregullores, nëse klubi dhe pala fituese e gjyqeve me vendim të formës së prerë arrijnë një marrëveshje të re për pagesat dhe njoftojnë FIFA-n, atëherë kjo e fundit është e detyruar të lejojë korçarët të bëjnë federime këtë pierudhë merkatoje. Gjithçka mbetet për t’u parë.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"