EKSKLUZIVE/ Ish-sulmuesi Dosti: Partizani është i vonuar, pritja e Europës justifikim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2018 | 22:43

EKSKLUZIVE/ Ish-sulmuesi Dosti: Partizani është i vonuar, pritja e Europës justifikim

Sezon i ri, zakone të vjetra. Pak a shumë kështu mund të përkufizohet situata aktuale te Partizani. Letargjia e klubit ka shqetësuar jo vetëm dashamirësit dhe tifozët e kuq, por edhe ish-lojtarët që presin rikthimin e lavdisë së dikurshme të “demave”. Ishsulmuesi i Partizanit, madje i fundit që ka fituar titullin kampion në vitin 1993, Edmond Dosti, në një prononcim për “Panorama Sport” citon se situata aktuale është e paprecedentë për një klub që pretendon të fitojë titullin kampion.

Edmond Dosti

Që në mars, madje pa u larguar Starova, përmes një interviste për “Panorama Sport”, Dosti u bëri apel drejtuesve të klubit që ta ndajnë mendjen për trajnerin, pasi ishte koha që Partizani të afronte një teknik me një plan pune, të paktën 18-mujor. Asokohe, ai la të kuptohej se pjesa e mbetur e sezonit të fundit të shërbente si kolaudim për ekipin e edicionit të ri. Dosti pohon se Partizani nuk po zë “mend” dhe pritjen për të mësuar, nëse do të marrin pjesë në Europë, e quan thjesht justifikim.

PARTIZANI I VONUAR

“Si ish-futbollist dhe dashamirës i Partizanit, jo më kot që në mars u bëra thirrje drejtuesve të klubit përmes “Panorama Sport”, që ata të nisnin planin për sezonin e ri, nëse pretendojnë vërtet të dalin kampion. Nëse e mbani mend, pata kërkuar që atë herë që drejtuesit të vendosnin për trajnerin, i cili duhet të merrte përsipër një plan minimal, 18-mujor.

Me largimin e Starovës u poqën kushte për ta zbatuar atë projekt, pasi afruan një trajner të ri. Por, me sa duket, në klub ka vetëm një model, që ndiqet çdo vit, duke ndryshuar pafund dhe duke mos fituar stabilitet. Situata e përgjumjes që mbizotëron aktualisht te Partizani është shumë e dëmshme, ndonëse thuhet se presin konfirmimin për Europën. Për mua kjo është thjesht justifikim, pasi ekipi duhet ta kishte me kohë të vendosur se kush do të jetë trajneri dhe lojtarët që do të afrojë sipas ideve të tija. Kjo gjë aktualisht nuk ekziston. Edhe sikur të mos marrin pjesë në Europë, klubi duhet ta kishte gati që tani strukturën, pasi pas dy muajsh do të nisin sezonin e ri. Pra, është koha për të filluar punë për kampionatin, jo më për Europën.

Partizani është i vonuar në çdo aspekt. Për mua klubi po bën gabimet e së shkuarës, pasi me kaq pak ditë që kanë në dispozicion, pjesëmarrja në Ligën e Europës do të ishte vetëm sa për adet dhe për të marrë shumën që të jep UEFA për përfaqësimin. Them kështu, pasi deri më sot që flasim, Partizani nuk ka asnjë plan të zbardhur për të ndjekur, ndonëse dihet që më 12 korrik luhet ndeshja e parë në Europë. Klubi është i vonuar edhe këtë vit, pasi mangësitë mbeten në çdo hallkë. Janë pa trajner, pa ide të qarta, pa merkato, si dhe rrinë e presin edhe për rinovimet.

Nuk kanë pse lusin asnjë, pasi fanella e Partizanit duhet ndier dhe për këtë kam qenë gjithnjë për afrimin e trajnerëve të rinj me ide dhe ndjeshmëri për legjendën e futbollit shqiptar. Klubi insiston për trajner të huaj, por praktika ka treguar se ata nuk janë të vlefshëm, gjersa ambienti nuk e ka kulturën e tyre të punës ose ata që vijnë nuk kanë nivelin e ndonjë vendësi me energji dhe pasion për të ngritur Partizanin. Pastaj duhen afruar edhe disa lojtarë të spikatur në çdo repart, pasi me grupin që kanë nuk dalin kurrë kampion”, u shpreh Dosti për “Panorama Sport”.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"