EKSKLUZIVE/ Ish-mbrojtësi Taho “skanon” luhatjen dhe garën: Duhen përforcime tek Flamurtari, ky grup nuk na ngjit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2023 | 9:56

EKSKLUZIVE/ Ish-mbrojtësi Taho “skanon” luhatjen dhe garën: Duhen përforcime tek Flamurtari, ky grup nuk na ngjit

Flamurtari humbi sërish, duke iu larguar me 5 pikë zonës së ngjitjes. Skuadra ka luhatje dhe misioni po bëhet “malore”.

rrapo taho

Kaq mjafton që Rrapo Taho të jetë skeptik për të ardhshmen. Si zgjidhje sheh vetëm janarin dhe merkaton. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi i shquar mendon se duhen përforcime me urgjencë, ndonëse e shikon të vështirë garën me Bylisin dhe Elbasanin. E megjithatë, shpresat nuk i ka humbur plotësisht. Ai beson se trajneri Dritan Resuli mund të sjellë ndryshimin.

Flamurtari humbi në Vorë dhe shkoi -5 nga zona e ngjitjes. Çfarë po ndodh me ekipin?

Pretendimet ishin dhe janë të mëdha. Siç lexuam në gazetën tuaj, vetë presidenti Sinan Idrizi ka vendosur një lloj kushti. Nëse nuk do të ngjiten këtë sezon në Superiore, ai do të largohet. Ne shpresojmë që skuadra të dalë në elitë dhe gjërat të rregullohen sa më shpejt. Duam ta shikojmë Flamurtarin ku e ka vendin.

E lexoni si emocionale deklaratën e administratorit?

Ai ka të drejtë ndoshta, por ne shpresojmë që ta arrijnë objektivin. Sinan Idrizi ka qenë gjithmonë i gatshëm dhe skuadrës nuk i ka munguar asgjë. Presidenti me trajnerin dhe skuadrën duhet të shikojnë tani ku është pengesa dhe ku çalon ekipi. Po shikojmë se ndoshta ky nuk është ekipi ideal që garanton ngjitjen në Superiore, por drejtuesit janë munduar për të ndërtuar një skuadër të mirë.

Çfarë nuk ka shkuar sipas jush?

Besoj se duhet të bëjnë përforcime. Pastaj edhe ndryshimi i trajnerit në mesin e kampionatit… I uroj suksese trajnerit Dritan Resuli. Shpresoj t’i ecë mbarë dhe shkojmë në Superiore. Por me këtë ekip nuk bindem se e arrijmë objektivin. Duhen patjetër afrime.

Cilët shikoni si kundërshtarë dhe e shikoni Flamurtarin brenda objektivit?

Patjetër që Elbasani dhe Bylisi janë kundërshtarët kryesorë. Duke parë që ata kanë shkuar më lart, më frikëson pak kjo gjë. Megjithatë, koha premton dhe se kampionati është i gjatë. Shpresojmë që të shkojmë më lart në fazën tjetër.

Janë larguar disa lojtarë, e shikoni zgjidhje?

Në skuadër duhet të vijnë lojtarë sa më të përshtatshëm. Duhet një bosht sa më i mirë ekipi. Kur ndryshon skuadrat gjithmonë dhe nuk ke një stabël… Duhet një objektiv afatgjatë, futbolli një gjuhë ka.

Çfarë prisni nga ndeshja me Lushnjën?

Nuk ka më mbrapa. Çdo ndeshje tani është si finale. Duhet të futen në fushën e lojës për të fituar, nëse duam të kapim Superioren se jemi larg me ekipin që kemi. Por nuk ka përfunduar ende. Besoj se trajneri Dritan Resuli do të bëjë një punë bindëse dhe të përkushtuar. Ai është djalë Vlore dhe përgjegjësinë e ka më të madhe. I urojmë suksese dhe shpresojmë që të injektojë në skuadër një punë bindëse dhe lojën sipas karakterit vlonjat.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"