EKSKLUZIVE/ “Impenjim maksimal me Apoloninë”, Shehi: Jemi Partizani, nga sot nisim kthesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2024 | 9:14

EKSKLUZIVE/ “Impenjim maksimal me Apoloninë”, Shehi: Jemi Partizani, nga sot nisim kthesën

Partizani është një nga skuadrat më të mira në Shqipëri dhe kërkon të fitojë çdo trofe të mundshëm. Të kuqtë do të kërkojnë sot në orën 13:00 që të lënë pas krahëve humbjen e pësuar ndaj Laçit në minutat e fundit dhe të mposhtin Apoloninë në 1/8-at e Kupës së Shqipërisë, me kualifikimin, që vendoset vetëm në këtë takim.

shehi

Para kësaj ndeshjeje, për “Panorama Sport” ka folur trajneri i Partizanit, Orges Shehi. Ai shprehet se Kupa është objektiv i “demave” dhe ndeshjen me Apoloninë e kanë marrë me shumë seriozitet.

E keni superuar psikologjikisht humbjen me Laçin?

Nga humbja kanë kaluar tri ditë tashmë. Natyrisht që na ka dhembur për atë që prodhuam në fushën e lojës, por normalisht që çdo gjë e ikur nuk kthehet më dhe jemi munduar vetëm që ta analizojmë. Të marrim gjërat e mira, të përmirësojmë gjërat e këqija dhe të përqendrohemi te ndeshja tjetër.

Duhet të shërbejë edhe si mësim ajo humbje në atë mënyrë?

Unë mendoj se është ligji i pashkruar i futbollit, që po nuk shënove, do të pësosh. Nuk është se nuk donim të shënonim, lojtarët dolën shumë herë para portës, por ky është futbolli. Ndonjëherë shënon, ndonjëherë jo. E rëndësishme është të dalim para portës. Duhet të vlerësojmë dhe të përqendrohemi në çdo situatë, sepse loja mund të ndryshojë nga momenti në moment. Mund të dalësh fitimtar, por mund edhe të hysh në siklet.

Përtej rezultatit, ajo ndaj Laçit ka qenë një nga ndeshjet më të dominuara të kohëve të fundit nga Partizani. Jeni i kënaqur për mënyrën sesi doli skuadra në sulm?

Të të them të drejtën nuk di të gjykoj çfarë ka ndodhur para meje, por unë mund të them se kemi bërë ndeshje të mirë. Kemi shkuar shpesh te porta e kundërshtarit dhe kemi qenë prezentë me të gjithë lojtarët e sulmit. Kishim shumë raste, por nuk i kemi shënuar. Ne gjykojmë nga rezultati, por nga performanca, ka shumë të mira, që ne duhet t’i përforcojmë dhe t’i ngulisim mirë.

Keni rezerva për lojën mbrojtëse në 20 minutat e fundit, kur u pësuan edhe golat?

Po të analizosh ndeshjen, siç e bëjmë ne, dhe të shohësh sesi kanë ardhur golat, nuk është se kundërshtari na ka ushtruar presion. Nëse do të kishim bërë një vlerësim situate, një vendosje apo një komunikim më të mirë, mund t’i kishim shmangur. Kemi marrë një gol në minutat e fundit, kur po mbaronte ndeshja, tërësisht të evitueshëm. Kështu që mendoj se ishte çështje përqendrimi. Çdo situatë është shumë e rëndësishme dhe duhet të nxisim atë gjendjen e alarmit kur topi po i afrohet portës sonë.

Partizani ka 20 vite pa e fituar Kupën. Mos duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi kësaj here?

Ne do ta marrim seriozisht, siç besoj se është bërë edhe më parë. Ne do ta vlerësojmë çdo kundërshtar. Kupa nuk ka atë vazhdimësinë e kampionatit dhe “Final 4” i afrohet si format. Ne do t’i bëjmë hyzmetin që të shkojmë deri në fund. Çdo trofe që luhet në futbollin shqiptar, do të jetë një objektiv për tu fituar nga Partizani.

Sa ekip i vështirë ju duket Apolonia?

Ata janë në një moment që kanë ndërruar trajner. Kanë zhvilluar vetëm një ndeshje me trajnerin e ri. Sigurisht që kemi informacion për të (Mërgjyshin), por më shumë informacion merret kur luhet ndeshje direkte. Është çështje vlerësimi. Ne e vlerësojmë në maksimum këtë ndeshje, kemi grumbulluar skuadrën dhe kërkojmë t’i japim peshën e duhur. Aq më tepër prej faktit se është me një takim.

Sa të vështirë jua bën fakti që ju sapo përmendët?

Ky format kështu është zgjedhur. Deri në gjysmëfinale kështu është vendosur, me një takim. Kërkon përqendrim të madh, sepse vetëm 90 minuta janë. Në vetëm një ndeshje çdo skuadër mund të të vërë në vështirësi.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"