EKSKLUZIVE/ I fiksuar me Levën dhe Halandin, rrëfehet Kaina: Do shkëlqej te Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2022 | 21:59

EKSKLUZIVE/ I fiksuar me Levën dhe Halandin, rrëfehet Kaina: Do shkëlqej te Vllaznia

Kaina Nunjesh da Silva Amarante. Ky është emri i plotë i sulmuesit brazilian të Vllaznisë. Shtatlarti u bë protagonist absolut në ndeshjen ndaj Tiranës, duke vulosur fitoren 1-2 në “Selman Stërmasi” pas golit me kokë. Kjo ishte sfida e dytë që trajneri Mirel Josa i besonte Kainës një fanellë titullari dhe sulmuesi ia shpërbleu.

KAINA NUNJESH

Por si ka ndryshuar braziliani që nga huazimi te Kastrioti dhe deri te rikthimi në Shkodër. Për të komunikuar me Kainën është një histori më vete. Sulmuesi nuk është se i ka qejf shumë mediat dhe për më tepër zotëron vetëm gjuhën portugeze.

Megjithatë, pas shumë përpjekjesh, Kaina foli ekskluzivisht për “Panorama Sport”, jo vetëm për shkëlqimin që pati në ndeshjen e fundit, por edhe atë që po përjeton në Shkodër, ku është sistemuar bashkë me familjen. 25-vjeçari tregoi se i pëlqen shumë stili i lojës së sulmuesve si Levandovski apo Haland.

Pas një gjysmësezoni te Kastrioti, jeni rikthyer me fanellën e Vllaznisë. Mund të themi se keni gjetur veten tashmë në Shkodër?

Jam shumë i lumtur për këtë fillim me Vllazninë. Edhe në sezonin e kaluar e nisa me gol, por shpresoj të bëj më mirë këtë kampionat. E vërteta është se ndihem shumë më i përgatitur për të ndihmuar ekipin drejt një sezoni të mrekullueshëm. Do të bëj më të mirën për këtë fanellë.

Vulosët fitoren e fundit ndaj Tiranës, a ishte ky goli juaj më i rëndësishëm që kur i jeni bashkuar Vllaznisë?

Ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne. Megjithatë, mbetemi me këmbë në tokë dhe të fokusuar për të arritur objektivat tanë. Sa i përket golit, për mua të gjithë janë të rëndësishëm, por duke shënuar me këtë fanellë në një derbi, ndihem shumë i lumtur që u jap gëzim tifozëve të Vllaznisë. Mendoj se kemi një grup shumë të fortë dhe do të arrijmë diçka të mirë këtë sezon.

Mendoni se e keni bindur trajnerin Josa që të jeni një titullar fiks?

Këtë e di vetëm trajneri. Detyra ime është të punoj fort dhe të ndihmoj skuadrën.

Sa gola ëndërroni të shënoni këtë sezon, e keni një shifër?

Unë ëndërroj të shënoj shumë gola, por shifër nuk mund të them. Rëndësi ka të shënoj rregullisht dhe t’i jap sa më shumë pikë Vllaznisë.

A keni ndonjë sulmues nga futbolli botëror që ju frymëzon në karrierën tuaj?

Më pëlqen shumë të ndjek Levandovskin, por gjithashtu Erling Halandin. Janë dy sulmuesit që preferoj më tepër aktualisht.

Si është një ditë në Shkodër për ju, na tregoni pak për jetën…

Dita në Shkodër për mua kalon shumë mirë. Jam i lumtur këtu, sepse përveçse është qytet i bukur, ndihem si në shtëpinë time. Jam me familjen këtu dhe gjithashtu ajo ndihet shumë mirë. Të gjithë jemi të kënaqur nga jetesa në këtë qytet. Mundohemi të kalojmë ditë sa më mirë, kuptohet që unë më tepër jam i fokusuar te stërvitja.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"