EKSKLUZIVE/ Gvozdenoviç: Jam keqkuptuar, Skënderbeu duhet të fitonte 2-0 kundër Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2024 | 12:16

EKSKLUZIVE/ Gvozdenoviç: Jam keqkuptuar, Skënderbeu duhet të fitonte 2-0 kundër Vllaznisë

Ivan Gvozdenoviç ka reaguar dje për “Panorama Sport”, duke sqaruar edhe një herë tjetër deklaratën e dhënë pas ndeshjes kundër Vllaznisë.

GVOZDENOVIC

Trajneri i Skënderbeut mendon se është keqkuptuar në fjalët e tij, duke qenë se nuk e zotëron plotësisht gjuhën shqipe. Prandaj dhe ka dashur të saktësojë opinionin që ka për 90 minutat kundër shkodranëve, ku korçarët humbën 1- 0.

“Jam shumë i zhgënjyer për rezultatin, sepse ishte një atmosferë e bukur falë tifozëve në stadium dhe lojtarëve në fushën e lojës. Bëmë një ndeshje shumë të mirë, futboll të bukur dhe sulmuam gjithë kohës. Kishim 5 raste për shënim dhe nuk e merituam kurrsesi të humbnim ndeshjen. Ne meritonim ta fitonim ndeshjen me dy gola minimalisht. Vllaznia nuk gjuajti një herë në portë për të na shënuar. Nuk më vjen mirë për rezultatin, por jam falënderues ndaj lojtarëve dhe tifozëve. Ju them bravo për sakrificën. Ne treguam që jemi ekip i mirë dhe do të mendojmë tani për ndeshjen e radhës me Egnatian. Na pret një ndeshje e fortë”, ka thënë Gvozdenoviç, i cili sqaroi edhe atë që ka thënë për Vllazninë.

“Kur them që Vllaznia mund të jetë kampion, e kam fjalën për pikët që ka arritur të marrë deri më tani, por jo për lojën që ka bërë kundër nesh. Kur thashë që e meritonin të fitonin, e kisha fjalën për situatat pas shënimit të golit, i cili sërish ishte i diskutueshëm, sepse u akordua me VAR. Megjithatë, mbetet gol i diskutueshëm në mendimin tim. Jam shumë krenar për lojtarët dhe mënyrën si luajtën. Vllaznia fitoi vetëm me një penallti të dyshimtë dhe me VAR-in në mes”, përfundoi Gvozdenoviç.

Ndërkohë, ndeshja e radhës e Skënderbeut është të shtunën në orën 17:00 sërish në Korçë, këtë herë kundër Egnatias që kryeson renditjen.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"