EKSKLUZIVE/ Gati goditja e madhe, Flamurtari ofertë për herë të tretë ish-sulmuesit të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2024 | 22:05

EKSKLUZIVE/ Gati goditja e madhe, Flamurtari ofertë për herë të tretë ish-sulmuesit të Superiores

Flamurtari po bëhet gati për goditjen e madhe në merkato. Kërkojnë Vasil Shkurtaj për golat që do i çojnë drejt elitës. Nuk bëhet fjalë për një dëshirë, por më shumë se kaq.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Sulmuesi është kontaktuar nga klubi dhe bisedimet kanë hyrë në fazën intensive. Lajmi konfirmohet ekskluzivisht për “Panorama Sport” nga burime konfidenciale pranë administratorit. Ka qenë vetë Sinan Idrizi i interesuar drejtpërdrejt për qendërsulmuesin me origjinë nga Vlora, të lindur në Greqi.

E TRETA, E VËRTETA?

Vasil Shkurtaj ka qenë një dëshirë e kahershme e vlonjatëve. Zyrtarisht kjo është e treta herë që e përfshijnë në plane për ta marrë. Fillimisht e kanë tentuar në kohën kur militonin ende në Superiore dhe më pas në gushtin e 2023- shit. Duket se tashmë janë pjekur kushtet dhe shanset që 31-vjeçari të transferohet në qytetin e origjinës janë të mëdha. Gazeta mëson se bisedimet po ecin me intensitet dhe se drejtuesit janë të gatshëm që të bëjnë çdo sforco financiare për të bindur. Ndërsa operacioni do të mbyllej me sukses, atëherë Dritan Resuli do të zgjidhte një herë e mirë historinë me ofensivën dhe finalizimin.

KARRIERA DHE KONTRATA

Është një njohës shumë i mirë i futbollit ndërsa ka eksperiencë të madhe jashtë vendit, sidomos në kampionatin grek ku ka edhe fillesat e veta. E ndërsa e ka nisur te U-19 e Ajaks Amsterdam, sulmuesi ka milituar edhe në skuadra të rëndësishme greke si: Olimpiakos, Panionios apo edhe Trasivolos. Eksperiencë ka edhe në kampionatin italian me të rinjtë e Lacios. Sulmuesi ka luajtur edhe në Portugali për skuadrat Vilaverdense dhe Tondela.

Ai është aktivizuar edhe te Roda në Amstredam. Rikthehet përsëri në kampionatin grek në vitin 2015, teksa do të mbante veshur fanellat e Niki Volou, Asteras Tripoli, Skoda Xanthi dhe AO Xanthi. Vasil Shkurtaj është njohës i mirë edhe i kampionatit shqiptar. Nga viti 2017 në vitin 2019, sulmuesi ka qenë pjesë e Luftëtarit. Më pas është transferuar te Kukësi dhe më tej ka vijuar te Laçi. Por nga gushti i vitit 2023 e deri tani, ai luan në Qipro. Atje ka një kontratë aktive me Enad, që përfundon në fund të këtij edicioni. Duhet zgjidhur dhe kjo çështje, para se 31-vjeçari të kalojë te kuqezinjtë dhe Sinan Idrizi t’i plotësojë çdo kusht.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"