EKSKLUZIVE/ “Flamurtarin nuk e duan në Superiore”, Idrizi akuzon FSHF-në: Nxit ilegalitetin në futboll, jetë të gjatë… “mbretit” (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2024 | 18:18

EKSKLUZIVE/ “Flamurtarin nuk e duan në Superiore”, Idrizi akuzon FSHF-në: Nxit ilegalitetin në futboll, jetë të gjatë… “mbretit” (E PLOTË)

Në Vlorë shpresohet që viti 2024 të sjellë fat dhe Flamurtari të rikthehet në Superiore. Klubi nuk do të kursehet as këtë merkato me përforcimin e skuadrës, por nisur nga historitë e shkuara, ekziston frika. Madje është vetë Sinan Idrizi, i cili në një intervistë për “Panorama Sport”, e thotë troç se në aktin final, aktorët brenda FSHF-së, e pengojnë Flamurtarin. Një thumb e ka edhe për presidentin Armand Duka, që i uron edhe 50 vite të tjera në krye të FSHF-së.

Idrizi

Zoti Idrizi, jemi në vitin 2024 dhe që prej 2020-ës, Flamurtari nuk është në elitë. Besoni se do të realizohet në këtë sezon ngjitja?
Janë dy gjëra të ndryshme. Dëshira jonë, përpjekja jonë dhe mundi ynë vazhdojnë për të bërë këtë gjë. Në aktin final janë ata që na pengojnë dhe nuk na duan ne.

Çfarë doni të thoni me këtë gjë?
Ju e patë sezonin e shkuar se çfarë ndodhi me Dinamon? E patë ndeshjen në Burrel se çfarë ndodhi? Në këtë vend tashmë duhet të kalohet nga fjalët te veprat.

I druheni përsëritjes së historive të shkuara?
Unë u kam kërkuar të gjithëve ngritjen e komisionit qytetar. U kam bërë thirrje “Hajdeni dhe shkojmë të denoncojmë në Prokurori me fakte”. Ne kemi një çështje të pazgjidhur me zyrën e tatimeve dhe me luftën kundër informalitetit në futboll. Unë kam akuzuar drejtpërdrejt FSHF-në, si një nxitëse të ilegalitetit në futboll. Më bën diçka përshtypje që mirë të tjerat, por këta politizojnë edhe arritjen e Kombëtares. Pashë atë posterin dhe në krye të posterit ishte Duka. Çfarë ka bërë ai te Kombëtarja është pyetja. Unë them se nuk ka bërë asgjë. E keni vënë re ju që kur mundet Kombëtarja Duka nuk jep intervistë? Më thoni ju mua, tre lojtarë që i kemi sot në Kombëtare nga kampionati ynë…

Por, edhe Flamurtarin nuk e kemi në atë situatë që të furnizojë Kombëtaren, apo jo?
E vërtetë është që nuk e kemi. Ne kemi qenë një histori tjetër. Por e kam te kjo që ne kemi patur magjistar futbolli si Vasil Ruçin, Sokol Kushtën, Bubeqin etj. Por “Mbreti”, më mirë të them “Mreti” është nga Kurveleshi. Por ka bërë më absurden që ekziston në botë. Ai ka bërë një “Final 4” të kampionatit shqiptar që nuk ka eksperimente të tilla në botë. Mbreti e bën këtë pasi e quan “bahçen e tij” çdo gjë. I dhëntë Zoti jetë edhe qëndroftë mbret edhe 50 vjet të tjera, për të mirën e futbollit shqiptar, familjes së tij. Urimi im për këtë vit është që “Mbretit” të FSHF-së, Zoti i dhëntë shumë jetë.

Si e përshkruani vitin që u mbyll?
Tentuam që të rrisnim cilësinë e futbollit tonë, duke shkuar aty ku e ka vendin Flamurtari. Nuk ia dolëm mbanë për disa arsye që ndoshta nuk kanë lidhje edhe me ne. Për herë të parë pas kaq kohësh që shumicës i dukej si një Godo, që tregonte diçka që nuk do të vinte kurrë, tani ka një studim siç është projekti “Vlora Sport” dhe një stadium që do të ndërtohet. Pra, një ngjarje e shënuar për vitin që lamë pas është se filluam teorikisht këtë projekt të rëndësishëm. Në Shqipëri problemi i strukturave sportive është pak i paqartë. Këtu nuk ka tituj pronësie mbi atë që do të ndërtohet. Stadiumi nuk ka pronësi, fusha në Pyllin e Sodës nuk ka pronësi. Më në fund duhej një vendim i Këshillit të Ministrave që të hapej kjo zonë për të ndërtuar stadiumin, i cili është një vijë demarkacioni, pasi bëhet fjalë për sektorin e pestë të ekonomisë. Ne nuk mund të flasim për sport nëse nuk kemi infrastrukturë. Ndoqa në këshillin bashkiak një qytetar shumë të nderuar që thotë se këta nuk bëjnë dot një banjë te Pylli Sodës (qesh). Nuk ndërton dot në një vend kur ti nuk ke titull pronësie. Nëse do të ndërtojmë kasolle natën e ta prishim ditën, kjo është histori tjetër. Ndryshe nga këta të tjerët, unë kam kërkuar që te projekti i ri të jetë edhe një sallë shfaqjeje me 2500 vende dhe një bibliotekë, pra, te zona ku është sot stadiumi ekzistues, me qëllim që sporti të udhëtojë bashkë me artin. Në SHBA e kanë këtë gjë që e kanë hedhur që para dy vitesh dhe e nisin tani, që është stadiumi dhe teatri bashkë.

Mund të na zbuloni se kur do të nisë puna për ndërtimin e stadiumit të ri?
Rrugëtimi varet nga procedurat, që janë burokratike, por unë po shoh që po lëvizin për mirë. Këtë vit ne do të investojmë te Pylli i Sodës, pasi mund të prishet stadiumi dhe Flamurtari nuk do ketë ku të luajë. Do të shkojë të luajë në Orikum, në Fier, Lushnjë?! Jo! Por duhet që në Pyllin e Sodës të ndërtojmë një stadium 3000 vendësh me qëllim që ekipi të shkojë të luajë atje. Te stadiumi unë kam refuzuar bashkëpunimin me FSHF-në për investimin. Më duket një falsitet sa për reklamë. Ju e dini shumë mirë që Flamurtari nuk e bën për kapriço, por prej qëndrimit të tyre josportiv dhe korrekt ndaj Vlorës në përgjithësi dhe me Flamurtarin në veçanti, ne kurrë nuk u kemi shtrirë dorën atyre për disa fusha të ashtuquajtura që ata do t’i përdorin për reklamë.

Flasim pak për skuadrën. Çfarë do të ndodhë në merkaton e janarit?
Patjetër që do të kemi. Jemi duke biseduar me disa futbollistë që në këndvështrimin tonë janë cilësorë. As në këtë merkato nuk do të kursehemi përsa u përket kontratave. Ne duam lojtarë që të bëjnë diferencën dhe të marrin përsipër përgjegjësi.

Largime të tjera do të ketë?
Jo, jo. E kemi mbyllur atë pjesë. Nuk do të largohet më askush.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"