EKSKLUZIVE/ Fitorja kundër Teutës, heroi Sali tregon episodin dhe sakrificën e agjërimit: Si ia prita dy penallti Peposhit (E plotë)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2024 | 20:51

EKSKLUZIVE/ Fitorja kundër Teutës, heroi Sali tregon episodin dhe sakrificën e agjërimit: Si ia prita dy penallti Peposhit (E plotë)

Me 6 pikët e fituar brenda pak ditësh kundër Skënderbeut dhe Teutës, Dinamo ka bërë kapërcimin që dëshironte në renditje dhe i ka shtuar kuotat vetes për të shkuar në “Final 4”.

Edmir Sali në momentin e pritjes së penalltisë së dytë FOTO: F. HAZISLLARI

Blutë duhet së paku të ruajnë këtë pozicion edhe në 7 ndeshjet e mbetura, duke nisur nga ajo me Kukësin këtë të diel. Fitorja me Teutën në fakt është përjetuar pak më ndryshe në kampion dinamovit, jo vetëm se ishte një ndeshje kyçe në këtë moment dhe pikët ishin të domosdoshme, por edhe për atë që ndodhi në fushën e “Air Albanias”. Edmir Sali ishte “heroi” i parë i Dinamos, sepse priti të dy penalltitë e Peposhit në pjesën e parë, duke e mbajtur skuadrën në lojë, ndërsa në fund “heroi” u bë Denison me atë eurogol. Në një intervistë për “Panorama Sport”, portieri vlonjat i kryeqytetasve flet për atë episod që i ka ndodhur për herë të parë në karrierë. Sali ia dedikon gjithçka Zotit, ndërsa për ndeshjen e fundit thekson se Dinamo iu përgjigj Teutës me të njëjtën monedhë.

Sali, si ndiheni pas një fitoreje të rëndësishme, me një penallti të pritur dy herë nga ju?

Ishte një fitore e bukur për mendimin tim, sepse vërtet u pritën dy penallti, por u realizua edhe një supergol nga Denison në fund të ndeshjes. Ekipi luajti shumë fort dhe mendoj që ishte një fitore plotësisht e merituar. Falënderimi i takon Zotit.

Çfarë menduat kur pritët penalltinë e parë dhe patë arbitrin që vendosi ta përsëriste atë?

Isha agjërueshëm dhe kisha besim se Zoti do të më ndihmonte të prisja penalltinë. Ashtu ndodhi. Edhe kur u përsërit penalltia, pata përsëri besim se do ta prisja edhe të dytën dhe përsëri ashtu ndodhi.

Çfarë ju thanë shokët në fushë në atë moment, kur erdhën të gjithë te ju?

Shokët e ekipit u gëzuan shumë dhe më falënderuan të gjithë, por ishte një gëzim shumë i shkurtër, sepse loja vazhdoi menjëherë dhe nuk kishte kohë për të festuar.

Fitore shumë e vështirë kjo me Teutën. Pse hasët aq shumë vështirësi në atë ndeshje?

Fitorja ishte e vështirë vërtet, por një fitore e vështirë gjithmonë të shijon më shumë. Mendoj që ndeshjet e njëpasnjëshme që kemi pasur gjatë kësaj periudhe kanë ndikuar pak në lodhjen fizike të ekipit. Teuta luajti fort, por edhe ne iu përgjigjëm me të njëjtën monedhë dhe në fund dolëm fitues.

Si e shikoni ndeshjen e radhës me Kukësin dhe pjesën e mbetur të kampionatit?

Ndeshja me Kukësin ka për të qenë shumë e vështirë dhe shumë e luftuar besoj. Ne kemi në dorë vetëm të japim maksimumin në fushë, duke kërkuar fitoren e radhës. Për pjesën e mbetur të kampionatit do të thosha se ka një pjesë të mirë pikësh në lojë ende dhe duhet përqendrim maksimal deri në fund. Ne si Dinamo, i marrim ndeshjet një e nga një dhe në fund do të bëjmë llogaritë. Kështu mbetet për t’u parë si do të shkojë kjo pjesë e fundit e sezonit.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"