EKSKLUZIVE/ “Fitojmë derbin dhe shënoj 3 gola”, Muçi: Partizani pikë kthese si sezonin e kaluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2020 | 21:56

EKSKLUZIVE/ “Fitojmë derbin dhe shënoj 3 gola”, Muçi: Partizani pikë kthese si sezonin e kaluar

Ernest Muçi dëshi ron të shënojë tre gola në derbin e nesërm. Njeriu që vjet tundi tri herë rrjetën e të kuqve është gati të përsërisë edhe sivjet të njëjtin sukses, por këtë herë në një ndeshje të vetme. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Muçi rrëfeu pritshmëritë e tij të skuadrës në këtë derbi. Sulmuesi beson se ndeshja me Partizanin do të jetë pika e kthesës për bardheblutë pas disa paraqitjeve jo të mira.

muci

Muçi, po të hapësh rrjetet sociale emri juaj është në krye. Të gjithë duan gol nga ju në derbi…

Të them të vërtetën, jam shumë i motivuar për këtë ndeshje. Besoj se gjithë ekipi është gati dhe do të jap më të mirën në stërvitje që të shkoj në ndeshje me një formë sa më të mirë dhe ta fitojmë derbin. Qëllimi ynë është të triumfojmë dhe të shlyejmë këto tri ndeshje jopozitive për ne.

Sa mesazhe keni marrë deri tani nga miqtë dhe fansat tuaj?

Kam pa fund mesazhe motivuese për mua dhe ekipin. Njerëzit besojnë te ne në këtë javë shumë të rëndësishme për skuadrën tonë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në fund të 90 minutave që luhen ditën e premte. Shpresoj shumë që të arrijmë ta fitojmë këtë ndeshje dhe t’ua shpërblej të gjithëve që besojnë tek unë.

A ka ndonjë “formulë” të veçantë për golat në derbi apo thjesht duhet të bësh mirë detyrat në fushë?

Goli është i thjeshtë. Duhet të luftosh gjatë gjithë ndeshjes dhe të vjedhësh hapësirën që të lë kundërshtari, nga minuta e parë deri tek e fundit. Besoj se shansi do të vijë, thjesht unë duhet ta shfrytëzoj momentin.

Çfarë i ka ndodhur Tiranës që nuk ia ka dalë dot të fitojë në tri takimet e fundit të kampionatit?

Është pak e vështirë që të japësh një përgjigje të saktë. Ndoshta edhe fati nuk ka qenë me ne. Kemi pësuar disa gola që edhe mund të evitoheshin. Me kalimin e kohës ekipi do të mësohet edhe me trajnerin e ri. Do të bashkohemi, do të kemi harmoni perfekte do të fitojmë ndeshjet e tjera. Vijmë nga dy barazime dhe do jemi shumë të motivuar pasi është një ndeshje derbi që ndiqet nga e gjithë Shqipëria. Do japim më të mirën e kjo ndeshje do të jetë kthesa drejt fitoreve. Do mundohem të jap më të mirën për skuadrën jo vetëm ndaj Partizanit, por ndaj çdo skuadre që të jemi në vendet e para.

ernest muci

A është në gjendje ta fitojë Tirana këtë derbi dhe përse mendoni se mund ta thyeni Partizanin?

E fitojmë derbin. Ky është mendimi im. E duam më shumë këtë ndeshje. Jemi në një situatë të njëjtë si sezonin e shkuar. Vijmë nga një situatë e ngjashme dhe ne dimë të reagojmë në momente jo të mira. Partizani vjen nga një seri pozitive ndeshjesh. Ndoshta janë të ngopur.

Një apo dy gola do të shënoni këtë herë në derbi?

Tre, shpresoj. Do të jetë akoma më mirë. Besoj se me fitoren që do të bëjmë të premten do ta kthejmë situatën siç bëmë vitin e kaluar dhe unë mendoj se do të dalim me fitore. Marrë shkas nga viti i kaluar që nuk e nisëm mirë, por nëse ne do të bëjmë maksimumin në stërvitje e pastaj të japim edhe 100% në fushën e lojës, atëherë kam bindjen se do t’ia dalim me sukses.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"