EKSKLUZIVE/ “Dua të jesh pjesë e Flamurtarit”, Idrizi takohet me trajnerin vlonjat (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2020 | 22:32

EKSKLUZIVE/ “Dua të jesh pjesë e Flamurtarit”, Idrizi takohet me trajnerin vlonjat (E PLOTË)

 

Flamurtari është në kërkim të një trajneri. Pas largimit të papritur të Marcelo Troisit, vlonjatët kanë mbetur pa trajner, por administratori Sinan Idrizi nuk ka “fjetur në dafina”. Ai ka nisur punën për të gjetur njeriun që do të drejtojë Flamurtarin në Kategorinë e Parë. Dëshira e administratorit Idrizi është t’i besojë një vlonjati, duke menduar se një trajner i tillë dhe me eksperiencë mund ta kthejë shpejt ekipin në Superiore. Të parin ka takuar Eqerem Memushin, edhe pse më të ka pasur një debat të gjatë në distancë për Flamurtarin. Së fundi Memushi ka drejtuar Orikun.

memushi idrizi

“Panorama Sport” mëson se takimi mes Idrizit dhe Memushit është zhvilluar orët e fundit në ambientet e klubit, dhe të dy kanë diskutuar për një bashkëpunim të mundshëm. Idrizi i ka ofruar Memushit postin e trajnerit të Flamurtarit, duke i thënë se ai mund ta bëjë më mirë punën në krye të ekipit në këtë moment. Idrizi i ka vënë në dukje faktin që trajneri të afrojë lojtarët që do në ekip, duke pasur mbështetjen e tij. Idrizi dhe Memushi kanë qëndruar për më shumë se 1 orë bashkë.

“Dua të jesh pjesë e Flamurtarit. Kam dashur edhe më parë të të marr në klub dhe besoj se tani janë pjekur kushtet. Të thirra për të diskutuar së bashku nisjen e një bashkëpunimi. Kam dëshirë të nisim punën për ndërtimin e ekipit të ri”, mësohet se i ka thënë ndër të tjera Idrizi Memushit. Kujtojmë se Idrizi ia ofroi Eqerem Memushit postin e trajnerit në Superiore, kur u largua Ilir Daja, por në atë kohë trajneri vlonjat nuk pranoi dhe zgjodhi Orikun.

Memushi

MEMUSHI – Trajneri Memushi mësohet se e ka mirëpritur ftesën e Sinan Idrizit dhe e ka falënderuar për propozimin e rikthimit te Flamurtari, por i ka kërkuar kohë për të vendosur. “Të falënderoj që më thirre dhe më ofrove bashkëpunim, por më duhet pak kohë. Do të mendohem dhe do të flasim sërish. Është kënaqësi të punosh për Flamurtarin. Ky ekip na dhemb të gjithëve dhe e duam”. Kjo është përgjigja e Memushit pas propozimit të Idrizit. 55-vjecari e ka drejtuar edhe më parë Flamurtarin në sezonin 2007-2008 dhe 2009, duke fituar edhe Kupën e Shqipërisë. Gjasat janë që Eqerem Memushi të jetë trajneri i ri i Flamurtarit në Kategorinë e Parë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë si do të rrjedhin ngjarjet. Për momentin, Memushi është i vetmi kandidat potencial në bisedime konkrete për të marrë drejtimin e Flamurtarit.

ERMAL SIKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"