EKSKLUZIVE / Dridhet që tani pankina e Mehmetit, të kuqtë interesohen përsëri për trajner të huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2022 | 17:00

EKSKLUZIVE / Dridhet që tani pankina e Mehmetit, të kuqtë interesohen përsëri për trajner të huaj

Partizani emëroi trajnerin Dritan Mehmeti në nisje të këtij viti, pas largimit të Ilir Dajës. Drejtuesit vendosën që minimalisht këtë sezon, ta mbyllin nën drejtimin e ish-trajnerit të ekipit U-21. Por, çdo të ndodhë më pas?

mehmeti

Gazeta mëson se Mehmeti deri në fund të sezonit do të jetë në një lloj provimi.

Në rast se ai, bashkë me lojtarët arrijnë të fitojnë Kupën e Shqipërisë, që është i vetmi shans për të shpëtuar sezonin, atëherë Mehmeti do të konfirmohet në krye të stolit të kuq dhe do të vazhdojë projektin e tij edhe sezonin e ardhshëm, kur natyrisht titulli do të jetë detyra e vetme.

Megjithatë, kjo nuk e ka penguar klubin të nisë kërkimet për një trajner, që mund të zëvendësojë atë aktualin në krye. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se klubi ka bërë sondazh për gjetjen e një emri, që shihet i duhur për drejtimin e stolit të kuq.

I sigurt është fakti se në rast se largohet, Mehmetin e zëvendëson një trajner i huaj. Pritet që të jetë një listë me disa emra, me drejtuesit, që nuk preferojnë të punojnë me trajner shqiptar.

Gjithsesi, duhet pritur ecuria e Mehmetit, i cili nëse nuk arrin sukses, do të duhet të hapë rrugën dhe te Partizani pritet një cikël i ri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"