EKSKLUZIVE/ Debati për titujt e 1997 dhe 2000, flet Memushi: FSHF të konsultohet me UEFA-n dhe t’i dorëzojë trofeun Flamurtarit e Tomorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2020 | 9:21

EKSKLUZIVE/ Debati për titujt e 1997 dhe 2000, flet Memushi: FSHF të konsultohet me UEFA-n dhe t’i dorëzojë trofeun Flamurtarit e Tomorit

Eqerem Memushi ka fituar titullin kampion si lojtar me Partizanin dhe Flamurtarin, ndërsa si trajner i ka dhuruar klubit vlonjat një Kupë të Shqipërisë në vitin 2009. Sot 54-vjeçari vlonjat drejton ekipin e Orikumit në Kategorinë e Parë. Si të gjithë në këtë situatë pandemie, edhe ai po mundohet të respektojë maksimalisht rregullat e vendosura pas përhapjes së koronavirusit.

eqerem memushi

Memushi nuk mban mend në jetën e tij, por edhe karrierën si futbollist, që të jetë mbyllur kaq shumë në shtëpi. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai flet për këtë situatë të pazakontë që ka përfshirë globin dhe gjithashtu jep edhe një koment domethënës për debatin e hapur rreth titujve të vitit 1997 dhe 2000 në kampionatin shqiptar. Trajneri mendon se është koha që FSHF të vendosë nderin në vend duke u konsultuar me UEFA-n dhe t’i dorëzojë ato tituj kampionë për Flamurtarin dhe Tomorin.

Profesor Memushi, si po i kaloni këto ditë në karantinë?

Po kaloj si të gjithë qytetarët e Vlorës. Ju falënderoj që ma bëni këtë pyetje, pasi dua të komplimentoj bashkëqytetarët e mi, që po e respektojnë në maksimum karantinën dhe rregullat e autoriteteve, ndryshe nga çdo qytet tjetër. Këtë fakt e shpreh më së miri numri i paktë i rasteve që kemi si qytet.

Uroj të shëruarit për shëndet sa më të plotë dhe të mos kemi më raste në Vlorë, por shpresojmë që situata të përmirësohet në të gjithë Shqipërinë sa më shpejt me këto masa të ndërmarra nga qeveria. Unë dal nga shtëpia sipas rregullave, pasi kështu mbrojmë veten, familjen tonë dhe të gjithë të dashurit tanë. Qëndroj shumë pak në lëvizje, mbaroj obligimet e ditës dhe pastaj shkoj pranë familjes.

Ju jeni trajner dhe ish-futbollist, sa e vështirë është kjo pauzë për lojtarët?

Është shumë e vështirë. Ne dhe gjithë bota jetojmë në vështirësi të mëdha nga koronavirusi. Problemi i parë është ai ekonimik, pasi siç jeni edhe vetë të ndërgjegjshëm, reduktohen pagat në të gjithë sektorët, ashtu sikundër edhe në sport. Sidomos vendi ynë e ndien edhe më shumë, pasi nuk kemi ndonjë ekonomi të fuqishme. Shqipëria nuk ka kushte. E dyta, kjo situatë ndikon te gjendja fizike dhe taktike e lojtarëve.

Megjithatë, unë jam lidhur me të gjithë futbollistët. Ne te Orikumi e kemi ndërprerë stërvitjen të enjten e 12 marsit. Por, jam në kontakt me lojtarët. Fati im i madh është që në ekip kam lojtarë profesionistë, që stërviten në mënyrë individuale. Jemi të gjithë në kontakte me lojtarët, si unë, drejtori Albert Haxhiaj dhe anëtarë të tjerë të stafit.

Ju ka ndodhur ndonjëherë në karrierën tuaj kjo gjë, pra të qëndroni kaq gjatë pa futboll dhe të izoluar?

Absolutisht jo. Është eksperienca ime e parë, por besoj edhe për brezin e lojtarëve aktualë. Kjo është një eksperiencë e madhe që të parapërgatit për të ardhmen. Zoti e di tani dhe e ka ai në dorë.

Memushi

Çfarë duhet të bëjnë lojtarët për të ruajtur gjendjen e tyre?

Duhet të punojnë shumë fizikisht dhe teknikisht. Kryesorja është që të bëjnë aerobi. Kjo është baza për stërvitjen në kushte shtëpie.

Si mendoni se mund të vazhdohet kampionati në Superiore dhe Kategorinë e Parë?

Me normalizimin e situatës, kampionati duhet të vijojë aty ku u ndërpre. Nëse një vendim merret në tavolinë, nuk është i drejtë. Kush ekip duhet të shkojë më lartë, le të vejë, kush do të zbresë, le të zbresë… Deri më tani 70% e kampionatit është bërë, kështu që duhet të vazhdojë pjesa e mbetur patjetër.

Gjatë kësaj periudhe ka pasur një debat në “Panorama Sport” për titujt e sezonit 1996-1997 dhe 1999-2000, teksa përveç protagonistëve të kohës, kanë folur edhe ish-drejtues në FSHF si Besnik Çela dhe Hito Hitaj. Cili është mendimi juaj?

I kam ndjekur replikat. Kam lexuar me vëmendje ato që ka thënë Beci, Hito dhe Sokol Kushta. Fakt është që Flamurtari duhet të ishte kampion atë sezon. Nëse duhej bërë “play-off”-i, atëherë të bëhej në Vlorë ose Korçë. Shteti të merrte masa që ndeshja ndaj Tiranës të luhej në Vlorë. Me diferencën e pikëve që kishte Flamurtari, meritonte të ishte kampion. Ashtu siç ia mohuan Flamurtarit titullin, të njëjtën gjë i bënë edhe Tomorit të Beratit.

Memushi

Flamurtari dhe Tomori janë dy kampione të reja sipas rregullores së asaj kohe dhe tani këtë duhet ta bëjë Federata aktuale, duke u konsultuar me UEFA-n. Jam shumë i bindur se UEFA do t’u japë plotësisht të drejtë klubeve, si për Flamurtarin, por në veçanti për Tomorin, që duhet të renditet mes skuadrave kampione të Shqipërisë pas atij sezoni që e meritoi plotësisht titullin.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"