EKSKLUZIVE/ “Dajës do t’i jepja Kombëtaren”, rrëfimi special i Takajt: Dështim i madh për mua nëse nuk ngjitemi, ja kur mbaron dënimi i Skënderbeut (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2023 | 0:28

EKSKLUZIVE/ “Dajës do t’i jepja Kombëtaren”, rrëfimi special i Takajt: Dështim i madh për mua nëse nuk ngjitemi, ja kur mbaron dënimi i Skënderbeut (E PLOTË)

Befasia e madhe me Kategorinë e Parë, gara e çuditshme në Superiore, dënimi i UEFA-s, Ilir Daja për Kombëtaren dhe deri te transferimi i Xhuliano Skukës në Francë. Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, rikthehet të komentojë disa nga temat më të nxehta të futbollit shqiptar, teksa dje në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, sqaroi se klubi që drejton është i destinuar të presë edhe katër vite për të mbyllur një herë e përgjithmonë çështjen e dënimit.

Takaj

Takaj e konsideron dështim personal nëse Skënderbeu nuk arrin të ngjitet në Superiore pas përfundimit të këtij sezoni, ndërsa nuk ngurron të “thumbojë” Dinamon për episodet e ndeshjes së fundit mes tyre në “Selman Stërmasi”. Në luftën treshe për titullin në elitë, kreu i klubit korçar shikon një Tiranë më të fortë, por nga ana tjetër, thekson se Vllaznia do të jetë pretendente kryesore nëse sulmuesi Liridon Latifi rikthehet në formën e dikurshme.

Pas gati një dekade suksesi në elitën e futbollit shqiptar, si është të menaxhosh Skënderbeun në Kategorinë e Parë?

Të jem i sinqertë, prisja që Kategoria e Parë të ishte shumë më keq nga çfarë unë e mendoja në fillim. Por tani që jemi pjesë e kësaj gare dhe po e njohim në detaje kampionatin, mendoj se është në një nivel të mirë, përjashto problematikat me infrastrukturën, ku ndoshta disa fusha nuk janë aty ku duhej. Pjesa tjetër është befasuese për mua dhe ju them me bindje që nuk ka ndonjë diferencë me Superioren.

Çfarë ju ka befasuar për mirë?

Më ka habitur organizimi kur kemi luajtur në transferta. Ka qenë më qetësi në krahasim me ndonjë ndeshje të Superiores dhe madje është luajtur futboll i një niveli shumë të mirë.

Fakti që pjesë e kësaj kategorie janë ekipe që përfaqësojnë disa nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë, si dhe emra historikë klubesh, besoj se ka shërbyer si një ngushëllim për Skënderbeun…?

Po, sigurisht që kjo e bën më të bukur dhe më besoni që ka momente, në të cilat nuk e ndiejmë që jemi në Kategorinë e Parë. Na duket vetja në Superiore, sepse realisht kështu është kur luan me klube të mëdha. Në Kategorinë e Parë janë skuadra që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar dhe realisht janë ndërtuar për të qenë në Superiore. Janë realisht emra të mëdhenj dhe unë mendoj që forcimi i Kategorisë së Parë do t’i bëjë mirë tani edhe Superiores.

Në ç’kuptim do t’i bëjë mirë Superiores?

Do t’i bëjë mirë, sepse nuk do të jetë dramë e madhe që një skuadër të zbresë nga Superiorja në të Parën dhe më pas të rikthehet. Nuk ka më “o bobo, ramë nga kategoria”. Kjo do ta rrisë më shumë nivelin e futbollit tonë.

Në kushtet ku jemi, ju prisnit që Skënderbeu të mos haste kaq vështirësi për të qenë në vendet që të ngjisin direkt në Superiore?

Unë prisja një garë më të lehtë dhe kjo nuk diskutohet. Na kapi disi të papërgatitur kjo konkurrencë. Kishim menduar një nivel tjetër, por kjo është edhe befasia e këtij kampionati.

Më lart thatë që jeni habitur në ndeshjet jashtë fushe, e keni më tepër për mikpritjen?

Më vjen shumë mirë, sepse kam ndier realisht mikpritje në çdo fushë ku kemi luajtur deri më tani. Jam befasuar në të gjitha aspektet dhe realisht nuk kemi pasur asnjë lloj problemi. Ju them me bindje se pritja që kemi gjetur në fushat ku kemi luajtur, ka qenë shumë herë më e mirë në krahasim me Kategorinë Superiore. Për këtë jam i befasuar për mirë, prandaj më ka bërë përshtypje shumë.

Në vitet e fundit kanë qenë të shpeshta rastet kur lojtarë nga klubet e kësaj kategorie kanë shpërthyer dhe rasti i Skukës është i freskët. Si një njohës i mirë i futbollit, ju ka bërë përshtypje ndonjë element që ndoshta keni thënë se “çfarë do ky lojtar në këtë nivel”?

Po, kjo është e vërtetë dhe unë kam parë disa lojtarë cilësorë. Shikoni, futbolli nuk mund të gjykohet direkt në nivele të larta. E rëndësishme për një lojtar dhe për më tepër të rinjtë shqiptarë, është që të jenë në një skuadër ku luajnë rregullisht.

takaj gjoka

Në rast se një futbollist ul kokën dhe bën mirë, më pas janë klubet dhe menaxherët që merren me të. Lojtari duhet të bëjë pjesën e vet dhe shembulli i Skukës është më i miri. Ai dikur ishte në Francë, erdhi te Korabi, bëri mirë, luajti më pas në Superiore dhe u shit te Metzi. Unë shikoj edhe tani që ka shumë lojtarë nga Kategoria e Parë, të cilët kanë potencial për nivele të larta. Unë mendoj se për një lojtar të ri është shumë herë më mirë të luash 90 minuta me një klub të Kategorisë së Parë, sesa të shkosh në një skuadër të Superiores dhe të qëndrosh në stol.

Cila ka qenë vështirësia më e madhe që keni hasur këtë sezon në administrimin e klubit?

Menaxhimi në Kategorinë e Parë ndryshon, sepse ka realisht probleme nga më të ndryshmet, gjithnjë duke e krahasuar me Superioren. Futbollistët nuk janë aq profesionistë sa në klubet e Superiores dhe stili i pagesave është komplet ndryshe. Megjithatë, fakt është që Skënderbeu i Kategorisë së Parë na ka kushtuar më shtrenjtë se ai që zbriti nga Superiorja.

Po thoni që keni një buxhet më të madh se vjet kur ishit në elitë?

Po, në rrogat e lojtarëve. Duhet të paguash më shumë që të bindësh futbollistë të Superiores të të vijnë në Kategorinë e Parë. Ndryshe nuk të vijnë, nëse nuk i josh me ndonjë rrogë më të mirë…

Çfarë ju ka zhgënjyer më shumë deri më tani?

Ishim përgatitur mirë dhe realisht kemi qenë gati me këtë skuadër për të qenë ne kryesuesit që në momentin e parë. Nuk e diskutonim rikthimin në Superiore kur nisi kampionati, por disa rezultate na surprizuan shumë dhe morëm masat tona. Ndërhyrja që bëmë në janar besoj se e ka rregulluar shumë skuadrën.

I besuat një ish-lojtari të Skënderbeut si Ivan Gvozdenoviç dhe jo një trajneri që e njeh mirë Kategorinë e Parë. Pse u bindët për këtë zgjedhje?

Gvozdenoviç është një njohje e vjetër për mua dhe duke qenë dikur lojtar i Skënderbeut, unë di mirë karakterin e tij. Ivani ka qenë një nga futbollistët që ka lënë shumë përshtypje të mira tek unë dhe mbi të gjitha është një djalë i përgatitur në çdo aspekt.

Ivan Gvozdenovic Ardjan Takaj

Mendimi im ka qenë gjithmonë që ai mund të bëhet një trajner shumë i mirë dhe erdhi momenti që t’ia besoja këtë detyrë, duke qenë i bindur se do të bënte atë që ne kërkojmë. Kam shumë besim dhe po del ajo që kam menduar.

Nëse nuk arrini të ngjiteni këtë sezon në Superiore, a mund ta quajmë një dështim të madh për klubin e Skënderbeut?

Për mua do të ishte një dështim shumë i madh nëse nuk ngjitemi në Superiore. Mund ta quaja ndoshta një nga dështimet më të mëdha që kur drejtoj klubin… Gjithsesi, do të shihemi në Superiore patjetër.

Pse e mendoni kështu, në një kohë që gara është shumë e fortë dhe keni rival Dinamon, Flamurtarin, Korabin, etj.?

Vërtet është garë shumë e fortë, por ne bëjmë llogaritë tona dhe jemi gati për t’u rikthyer në Superiore. Me ekipin që kemi aktualisht, mendoj se do të jemi në vend të parë ose të dytë me patjetër.

OK, e marrim të mirëqenë se nuk kapni dot vendin e parë dhe të dytë, por shkoni në “play off”. Është ky Skënderbe i denjë për të mposhtur në finale ekipin e vendit të tetë në Kategorinë Superiore?

Nuk e mendoj fare dështimin. Edhe Dinamo na e mori pa meritë barazimin. Na e vodhën në njëfarë mënyre ndeshjen e fundit, sepse nuk na akorduan penallti neto dhe për më tepër në atë rast lojtari që shkaktoi faullin dilte me karton të kuq. Aty mbaronte ndeshja, sepse kaq është futbolli. Do të ndryshonin situatat… Pastaj, më habiti fakti që luajtëm në atë fushë në “Selman Stërmasi”! Pse të mos luhej Dinamo-Skënderbeu në “Air Albania”?

ARDJAN TAKAJ

Këtë nuk e kuptova dhe për mua është turp, sepse ia ulën vlerat edhe kampionatit. Në atë fushë nuk meritonte të luhej një ndeshje e tillë, por ndoshta kundërshtari ka pasur frikë dhe është ndier më mirë aty.

Besoj i keni ndjekur ndeshjet e Superiores këtë sezon, si ju është dukur kampionati tani që e shikoni nga distanca dhe nuk keni interes direkt?

Nuk më ngjit fare ky kampionat që po zhvillohet dhe s’kam qenë shumë kurioz për garën, e cila po zhvillohet. Shikoj ekipe që munden nga 4-5 ndeshje dhe mendojnë se janë pretendentë kryesorë për kampionë. Nuk e di, më duket një Superiore e çuditshme, prandaj ju thashë që Kategoria e Parë është më intrigante. Ekipet e kreut i shikoj me shumë luhatje. Që të synosh titullin dhe të kesh ecuri të tillë, më çudit pak.

Ka ndonjë skuadër që ju ka pëlqyer ose cila mendoni se do të jetë favorite në garën për titull?

Tirana më duket më e fortë, duke parë edhe përbërjen që ka aktualisht, por nuk mund të them se është më e favorizuar se Partizani dhe Vllaznia. Me atë që kam parë, Tirana ka lojtarë me më shumë eksperiencë, të cilët janë ekspertë të kampionatit shqiptar.

Kjo ndoshta e avantazhon në krahasim me dy rivalët e tjerë. Megjithatë, unë parashikoj që nëse Latifi do të kapë formën maksimale, Vllaznia do të jetë shumë e rrezikshme në luftën për titull deri në fund.

Vllaznia varet nga Latifi, sipas jush?

Nëse Latifi është në gjendjen më të mirë, unë them që Vllaznia do të jetë pa diskutim pretendentja kryesore.

Të flasim pak për transferimet e lojtarëve nga klubet shqiptare drejt atyre europiane. Çfarë menduat kur Partizani shiti Xhuliano Skukën te Metzi për 1.4 milionë euro dhe a mund të themi se ky është rekordi i një ekipi shqiptar?

Po, patjetër. Për shifrën nuk kam nevojë të pyes, sepse besoj menaxherin Shkumbin Qormemeti dhe aq është. Që në momentin kur mësova se ishte ai në këtë transfertë, e kuptova se do të ishte një shifër e madhe, sepse realisht ai është shumë i fortë si menaxher dhe futet në lojë te shitjet e mëdha, siç ka bërë edhe me Skënderbeun. Nuk ka sekrete këtu, sepse shifrat janë detyrim për t’u deklaruar në UEFA nga klubet. Pra, duhet të japësh llogari aty për këto 1.4 milionë euro… Unë e besoj që shifra ka qenë e tillë, nuk më habit.

Në kohën e Skënderbeut të artë shitja më e madhe ka qenë ajo e Peter Olainkës te Genti për 1.1 milionë euro. E konfirmoni këtë?

Po, ajo ka qenë. Duke qenë se ne kemi pasur përqindje kartoni dhe disa opsione në momentin që ai rishitej nga belgët e Gentit, arkëtimi për Olainkën ka shkuar deri në 1.6 milionë euro. Kemi bërë edhe një shitje në nivele të tilla, pikërisht ajo e Latifit në Hungari, 950 mijë euro.

Ardian Takaj

Kur shikoni lëvizjen e fundit të Partizanit, por edhe shitjen që bëri Tirana me Redon Xhixhën në Azerbajxhan, ju bëhet qejfi apo jeni edhe pak “xheloz”?

Sigurisht që më bëhet qejfi, sepse në futboll ky është treg. Në rast se kjo vazhdon kështu, mirë do të jetë për të gjithë. Pa pasur shitje të tilla, atëherë edhe klubet shqiptare do të punojnë në tym. Duhen patjetër pika referimi dhe prandaj për një treg si Shqipëria është diçka shumë e madhe që ndodhi kjo me Skukën te Metzi. Sa më shumë të ngrihet çmimi i lojtarëve shqiptarë, aq më mirë do të jetë. Kur Skënderbeu bënte transferime dhe luante në Europë, u rrit shumë edhe niveli i Superiores, pasi klubet nisën të investonin në maksimumin e tyre dhe nuk shisnin më lojtarë për 50 apo 100 mijë euro.

Skënderbeu ka blerë madje brenda kampionatit shqiptar në klubet e tjera edhe lojtarë që u ka shkuar kartoni deri në 300 mijë euro. Kujtoj rastin e Abazajt dhe Bregut, që ne i blemë te Luftëtari. Pra, e përsëris që sa më shumë shitje të ketë, i bëjnë mirë kampionatit, sepse vendoset një treg dhe kjo punë do të ketë vazhdimësi. Kjo nxit shumë klubet që të punojnë për shitjet e lojtarëve. Nuk është punë xhelozie këtu, thjesht është një menaxhim, të cilin duhet ta bëjnë klubet.

Partizani bëri një shitje rekord, por njëkohësisht ka investuar për ndërtimin e një kompleksi të ri dhe kërkon titullin kampion këtë sezon. A mund të bëhen këto në të njëjtën kohë sipas jush?

Për një projekt afatgjatë këto janë OK, por duhet të kuptoni diçka. Një klub në fund të vitit shikohet nga bilanci që ka, nëse e ka pozitiv apo negativ. Nëse nuk ke arritur një objektiv sportivisht, sigurisht mund të humbësh pak te pjesa e tifozërisë për shkak se s’ke marrë trofe, por nëse në të njëjtin sezon e ke bilancin pozitiv, atëherë rruga e klubit është më e sigurt sa i përket pjesës ekonomike dhe së ardhmes. Në fund të fundit, te financat rrotullohet gjithçka.

ardjan takaj

Hallet e shtëpisë i di vetë Partizani dhe çështjen e menaxhimit e di presidenti. Në momentin që ata dalin plus në fund, janë shumë në rregull, pasi nuk mbaron jeta dhe futbolli këtë sezon. Shikohet përpara me një projekt afatgjatë dhe vetëm kështu ke një rrugë të sigurt për shumë vite. Nuk ka rëndësi nëse këtë sezon dole i dyti apo i treti, kur mendon se ti do të jesh i fortë për shumë vite. Del kampion këtë sezon dhe pastaj je për mbijetesë?! Çfarë u pa kështu?!

Të flasim pak për ecurinë e Ballkanit të Ilir Dajës, që ngjason me Skënderbeun. U surprizuat që bënë aq mirë në Europë?

E prisja këtë sukses të Ballkanit, sepse kishin realisht një skuadër të mirë. I kisha ndjekur rregullisht, për më tepër kemi aty edhe lojtarë që kanë qenë te Skënderbeu si Jashanica, Gripshi dhe Abazi. Unë punën e Ilir Dajës e di shumë mirë dhe isha i bindur për atë që do të bënte me Ballkanin. Me ato lojëra që bëri Ballkani, e meritoi plotësisht pjesëmarrjen në grupe, duke qenë madje shumë dinjitoz aty.

Çfarë duhet të bëjë më shumë një trajner si Daja që FSHF-ja t’i besojë pankinën e Kombëtares shqiptare?

Daja duhet të vazhdojë të bëjë mirë, kudo që të jetë.

Nëse do të ishit ju në vendin e Armand Dukës, do ta emëronit Dajën trajner të Shqipërisë?

Po, do t’ia besoja dhe kjo e ka një arsye të fortë, sepse unë e njoh më mirë si trajner. Duka ka njohje më të largëta me Dajën dhe të afërta me trajnerë të tjerë, por ka edhe politika të tjera FSHF-ja. Ne jemi të gjithë të ndryshëm, nuk kemi mendime të njëjta as për një ndeshje futbolli. Kjo është edhe bukuria e këtij sporti, sepse të gjithë e shikojmë ndryshe. Nuk ka një mendim fiks, që për një trajner që vendos, do të bëhet mrekullia.

Kemi parë trajnerët më të suksesshëm në botë, që edhe ata kanë opozitën e tyre. Ka njerëz që nuk i duan, nuk i kanë qejf, sado që mund të kenë suksese. Përzgjedhjet janë edhe pak me fat. Sukseset dhe dështimet janë shumë pranë njëra-tjetrës në punën e trajnerit. Një gabim i një lojtari të hedh në erë gjithë sezonin dhe vendos për trajnerin. Ka edhe kështu… Pastaj jemi në një vend ku nuk mbarojnë kurrë paragjykimet. Rëndësi ka që të ketë diskutime, sepse po nuk pati polemika, nuk është i bukur as futbolli.

Së fundmi, por jo për nga rëndësia. Në Korçë duan të dëgjojnë nga ju se kur do të falet Skënderbeu nga UEFA. A mund të jepni një lajm për tifozët?

Ne do të presim të mbarojë dënimi, kaq.

takaj

OK, por sa vite ju kanë mbetur për të shlyer gjithçka dhe klubi të ketë të drejtën për të marrë pjesë sërish në Kupat e Europës?

Kanë mbetur edhe katër vite që dënimi të përfundojë, por jeta vazhdon. Ka skuadra që kanë nga 100 vite që marrin pjesë në elitë dhe nuk kanë qenë ndonjëherë në Kupat e Europës, kështu që ne do të shohim përpara.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"