EKSKLUZIVE/ Bylisi i merr edhe trajnerin Luftëtarit, largohen tre lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2020 | 17:30

EKSKLUZIVE/ Bylisi i merr edhe trajnerin Luftëtarit, largohen tre lojtarë

Ballshiotët duket se janë fiksuar te Luftëtari në merkaton e kësaj vere. Pas afrimit nga gjirokastritët të lojtarëve si Arbër Mehmetllari, Gresild Lika, Flamur Ruçi, Jurgen Dushkaj, Klaus Alinani dhe Stiven Puci, tashmë te Bylisi pritet të mbërrijë edhe vetë trajneri i larguar së fundmi nga Luftëtari, Marko Jovanoviç.

JOVANOVIC

“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta se serbi që drejtoi për një periudhë të shkurtër gjirokastritët, ndërsa më parë ka qenë zv.trajner i Luftëtarit, Kukësit dhe Partizanit, do t’i bashkohet stafit të Bylisit, duke qenë kështu krahu i djathtë i trajnerit Veljko Dovedan.

Me Jovanoviçin, që ka bërë detyrën edhe të përgatitësit atletik dhe videoanalistit te Luftëtari, Bylisi kompleton stafin, duke qenë se këtë sezon do të ketë dy skuadra, pasi për herë të parë krijohet U-21. Kujtojmë që në sezonin e shkuar si ndihmës të Dovedanit punuan Agim Meta dhe Polizoi Arbëri, por që të dy ikën pa u mbyllur kampionati.

Bylis

SKARCIMET – Ballshiotët kanë lënë të lirë qendërmbrojtësin Armenis Kukaj, që firmosi ndër të parët me klubin në këtë merkato vere. Pas afro një muaji e gjysmë në stërvitje me Bylisin, shkodrani që pati luajtur në elitë me Vllazninë dhe Luftëtarin, nuk do të vijojë të jetë më pjesë e skuadrës bardhekuqe. Me sa duket, Kukaj nuk ka qenë në planet e trajnerit Dovedan dhe do të shohë mundësi të tjera për të ardhmen.

KUKAJ

Gjithashtu, nga Bylisi janë larguar edhe portieri Ferat Jusufi dhe sulmuesi Joald Ivziku. Presidenca ballshiote ka mbajtur në ekip vetëm portierët Hektor Mali e Pano Qirko, ndërsa Renato Beqaj do të jetë pjesë e të rinjve në sezonin e ri. Kësisoj, hapësirat për Feratin dhe Dramollin u zvogëluan dhe prandaj u larguan. Kështu ndodhi edhe me shkodranin Ivziku, duke parë afrimet e shumta në fazën ofensive. Ndërkohë, sot Bylisi do të luajë ndeshjen e radhës miqësore me Teutën. Pritet që trajneri Veljko Dovedan të hedhë në fushë lojtarët më të mirë. Kjo është miqësorja numër 17 e Bylisit në më pak se dy muaj.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"