EKSKLUZIVE/ Blerësit të aksioneve i faturohen 1.2 miliardë borxhe, favorizohen ish-donatorët. Ja prapaskenat për shitjen e Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2020 | 23:53

EKSKLUZIVE/ Blerësit të aksioneve i faturohen 1.2 miliardë borxhe, favorizohen ish-donatorët. Ja prapaskenat për shitjen e Vllaznisë

Por çfarë pritet të ndodhë me Vllazninë pas vendimit të djeshëm të Këshillit Bashkiak Shkodër? “Panorama Sport” mëson nga burime në bashki se do të jetë pikërisht ky institucion që do të vazhdojë procesin e privatizimit dhe jo Ministria e Ekonomisë. Bashkia e Shkodrës do të hapë ankandin, ku do të vendosen më parë disa kritere për të interesuarit.

vLLAZNIA

Disa nga pjesëmarrësit në ankand do të jenë më të favorizuar nga pikëzimi. Nga sa mësohet, nëse pjesëmarrësit në ankand do të kenë një vlerë të barabartë të shumës së afruar, në raport me atë që mund të kenë ofruar ish-donatorë të Vllaznisë apo ish-futbollistë të këtij klubi të interesuar për blerjen e aksioneve, atëherë fitues do të jenë këta të fundit. Megjithatë, pritet që Këshilli Bashkiak të parashtrojë edhe pika të tjera që mund të favorizojnë dhe mund të ndëshkojnë pjesëmarrësit në këtë ankand.

Bëhet fjalë për pikëzime që mund të ndikojnë në këtë privatizim. Ndërkohë, gazeta zbulon se më kryesorja në këtë proces është që bëhet fjalë se krahas çmimit fillestar për blerjen prej 507 milionë lekësh të vjetër, fituesi i ankandit do të ketë si barrë edhe borxhet që ka akumuluar klubi këtë periudhë. Pra, 1.2 miliardë lekë në total detyrime ndaj Tatimeve dhe palëve të treta janë fatura që do të shlyhen nga fituesi i ankandit. Shuma e borxhit të bashkisë në Tatime mund të ketë një ulje, pikërisht sa i përket amnistisë për kamatëvonesën në shlyerje që mund të bëjë qeveria.

Ky proces që sapo ka nisur, sipas të gjitha gjasave, do të marrë një zgjidhje pas muajit maj 2021, edhe pse drejtuesit janë të interesuar të ndodhë sa më parë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"