EKSKLUZIVE/ Atanaskoski: Mërzinë e kthyem në forcë, Partizani nuk e lëshon titullin. Ja 3 rivalët tanë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2024 | 23:33

EKSKLUZIVE/ Atanaskoski: Mërzinë e kthyem në forcë, Partizani nuk e lëshon titullin. Ja 3 rivalët tanë (E PLOTË)

Partizani u rizgjua në Rrogozhinë ndaj Erzenit dhe fitoi me rezultat bindës 0-4 në javën e 27-të të Kategorisë Superiore.

Atanaskoski

Një nga protagonistët te kampionët në fuqi rezultoi David Atanaskoski. Maqedonasi ishte në dyshim para ndeshjes për shkak të gjendjes gripale dhe Shehi e la në stol, por pas dëmtimit të Buxhelajt u desh që maqedonasi të sakrifikonte dhe të aktivizohej në pjesën e dytë. E në fakt i doli shumë mirë, pasi arriti të realizojë golin e tretë të ndeshjes dhe të dytin personal me fanellën e Partizanit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Atanaskoski është i lumtur që ekipi i tij e ktheu në forcë zhgënjimin në Kupë, duke fituar bindshëm me Erzenin. Mbrojtësi shtoi se Partizani do të luftojë deri në fund për titullin kampion, trofeu i vetëm që ka mbetur në lojë për “demat”.

David, e nisët nga stoli, por arritët të gjeni golin e parë këtë sezon. Si ndiheni?

Jam i lumtur për tri pikët, pasi është një moment ku Partizanit i nevojitet vazhdimësia për të qenë komod për pjesën e mbetur të sezonit. Sigurisht, e shijova golin e shënuar, pasi unë jam një futbollist, që e gjej golin rrallë dhe në këto situata synoj t’i marr maksimumin këtyre emocioneve. Për mua pak rëndësia ka se kur luaj apo sa minuta aktivizohem, ajo që mundohem të bëj është të jap maksimumin për ekipin. Mendoj që në tërësi zhvilluam një ndeshje pozitive. Duhet të vijojmë kështu për të parë nga ndeshja e radhës.

Vinit nga një eliminim dramatik në Kupë, sa vështirë ishte ta interpretonit përballjen me shijakasit?

Eliminimi në Kupë ishte një moment që la shije të hidhur te skuadra, pasi ne kishim fituar edhe takimin e parë. U përjetua keq, pasi humbëm mundësinë për të fituar një trofe të rëndësishëm për klubin. Megjithatë, skuadra hidhërimin e ktheu në forcë dhe me Erzenin tregoi forcën e saj, si për të thënë që ajo ndeshje me Kukësin ishte një rastësi. Partizani ka kualitete për të menaxhuar çdo situatë që të ofrohet në një sezon futbollistik. Duhet të harrojmë çfarë ka ndodhur dhe të shtojmë forcat për të punuar për sfidat që do të kemi tani e tutje në kampionat.

Renditeni në vendin e tretë, sa shanse ka që Partizani të shpallet kampion?

Mendoj se renditja nuk e tregon forcën reale që Partizani ka. Ekipi ka bërë mirë dhe besoj se i ka shanset që të ngrejë lart trofeun në fund të sezonit. Tani nuk është momenti për të folur mbi klasifikimin apo se çfarë do të arrijmë të bëjmë në të ardhmen, por të shohim vetëm ndeshjen e radhës. Besoj se jemi në rrugën e duhur dhe së bashku me trajnerin do t’ia dalim të arrijmë objektivat tona.

Cilin prej ekipeve shikoni si rivalin kryesor për titullin?

Formula që është aplikuar këtë sezon, na detyron që fatin e titullit ta diskutojmë me tre ekipe të tjera. Mendoj që Egnatia, Vllaznia dhe Tirana do të jenë ekipet që do të rivalizojnë për trofeun.

Luani prej dy sezonesh me të kuqtë. Cili është Partizani më i fortë?

Partizani është gjithmonë i fortë. Nuk mund të them se cili ekip është më superior, ky i këtij sezoni apo ai që fituam titullin. Ajo që ka rëndësi, është fakti që ekipi ka një harmoni dhe dëshirë për të bërë mirë në interes të klubit. Ne kemi gjithçka që duhet për të arritur të finalizojmë objektivat që kemi dhe për këtë punojmë çdo ditë. Fokusi ynë është gjithmonë maksimumi, pasi Partizani është ndërtuar për të qenë vazhdimisht në majën e futbollit shqiptar.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"