EKSKLUZIVE/ Arratisja në Spanjë në vitin 1990, Albert Stroni: Malko më mbajti magnetofonin e prindërve. “Letrat” i bëra nga Partizani (E PLOTE)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2022 | 22:35

EKSKLUZIVE/ Arratisja në Spanjë në vitin 1990, Albert Stroni: Malko më mbajti magnetofonin e prindërve. “Letrat” i bëra nga Partizani (E PLOTE)

NGA JETMIR HALILAJ
A ju kujtohet Albert Stroni? Dikur luante me Majacin në sulmin e Apolonisë dhe më pas u bë “i famshëm” edhe në Spanjë, sepse në moshën 20- vjeçare vendosi të braktiste Shqipërinë për të ndërtuar një jetë më të mirë.

Arratisja Albert Stroni

Sot është një qytetar spanjoll i respektuar, që ka ndërtuar jetën në vendin ku u dashurua me shikim të parë. Ka ende pengje nga karriera e tij, por thotë se ka triumfuar në jetë.

Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, në prag të ndeshjes miqësore me Spanjën, ai na tregon me detaje arratisjen e tij në 1990-ën dhe merakun për një magnetofon që ish-mbrojtësi lushnjar Saimir Malko nuk ia dërgoi familjes së vet, ndonëse Stroni ia kishte lënë porosi.

Stroni cv logo

“U ndjeva i zhgënjyer. Ia besova atij magnetofonin sepse mendova se nuk do të kthehesha më kurrë te familja ime, por ai e kishte mbajtur për vete…”, thotë Stroni për gazetën.

Me çfarë merret sot Albert Stroni?
Unë e lashë futbollin përpara 13-14 vjetësh. Viti i fundit ishte 2008, kur edhe stërvitja një ekip të vogël të qytetit tim të vogël ku jetoj. Pasi lashë futbollin, hapa një biznes makinash të dorës së dytë, makina që vinin nga importi, më së shumti nga Gjermania, dhe vazhdoj me të njëjtin aktivitet. Prej shumë vitesh jetoj në një qytet të vogël me rreth 30 mijë banorë. Qyteti im quhet Monforte de Lemos, një qytet në veriperëndim të Spanjës. Ndodhet afër Vigos dhe Korunjas. Kështu vazhdon jeta ime.

Ju u arratisët në një ndeshje të Shpresave në Spanjë në 1990 kur ende nuk kishte rënë sistemi monist… Pse e morët atë vendim?
Nga nevoja dhe nga dëshira për një jetë më të mirë. Si çdo emigrant, pa dyshim. Të gjithë emigrantët largohen nga halli prej vendit të tyre. Sikurse edhe spanjollët në vitet ’50-’60 u larguan dhe ikën në Gjermani apo Zvicër, shqiptarëve u takoi ta bënin këtë në vitet ’90 dhe vazhdon peripecia e emigrimit për shqiptarët.

Çfarë mbani mend nga arratisja?
Ishte viti 1990 dhe kishim shkuar me Shpresat në Sevilje. Qëndruam katër futbollistë veçmas, dy të Flamurtarit, unë dhe Ilir Sina. Ne nuk kishim bërë muhabet, sepse Shqipëria ishte në komunizëm në atë kohë, nën regjimin e Enver Hoxhës.

Pse nuk flisnit me njëri-tjetrin?
Nuk flisnim dot me njëri-tjetrin temën e arratisë sepse kishim frikë. Ishte koha kur kushdo nga shokët e tu mund të të provokonte dhe do të kishim probleme jo vetëm ne lojtarët, por edhe familjet tona. Vetëm se unë e kuptova që Sina, ish-futbollist i Dinamos, donte të arratisej.

Nga e kuptuat?
Sepse në Zvicër ishte vonuar shumë gjatë kohës që ne prisnim në transit avionin. Ai u zhduk dhe ne po e kërkonim në të gjithë aeroportin. Më vonë mora vesh që po mundohej të gjente një derë të hapur që të qëndronte në Zvicër. Kështu që, unë pas ndeshjes që luajtëm me Spanjën U-21, të nesërmen e ditës që do të luante Kombëtarja A kishim dy orë në dispozicion për të bërë pazar në Sevilje dhe morëm të njëjtën taksi: unë, Ilir Sina, Saimir Malko i Lushnjës dhe një futbollist tjetër, që për fat të keq nuk më kujtohet cili ishte. Në taksi unë i them Sinës: “Ti doje të qëndroje në Zvicër…”. Ai më pa me një shikim sikur do të më thoshte: “Po më provokon?” “Unë e mora vesh që do të qëndroje”, i thashë. “Jo, jo”, m’u përgjigj Sina. “Nuk po të provokoj, i thashë. – Unë e kam vendosur që do të qëndroj këtu, vetëm se dua të paktën të jemi dy se nuk kam asnjë kontakt në Spanjë”.

Edhe çfarë ju tha Ilir Sina?
“Seriozisht e ke?” – më tha Sina. “Po, seriozisht”, ia ktheva. Madje, kishim lënë të gjitha rrobat dhe çantat tona në hotel. Nuk kishim absolutisht asgjë me vete, përveç 100 dollarëve secili në xhep. I thashë, dëgjo: “Blejmë ato gjëra që kemi për të blerë dhe ua japim këtyre shokëve që janë me ne t’ua çojnë familjeve tona”.

stroni

Çfarë donit të blinit?
Një magnetofon, sepse në Shqipëri nuk kishte në atë kohë, e ndonjë gjë tjetër të vogël.

Po pas kësaj bisede çfarë ndodhi?
I thashë Sinës: “Qëndrojmë tani këtu ku jemi. Direkt. Thuaj taksistit të ndalojë”. Sina dhe ai tjetri na thanë: “Jo, mos e bëni këtë, mendoni familjet”. “Jo, – i thashë, – do të qëndrojmë”. Ndaluam taksinë në mes të rrugës, zbritëm dhe aty filloi peripecia jonë.

Ku fjetët? Çfarë ndodhi më pas?
Gjithë natën qëndruam nëpër diskoteka, nëpër lokale, sa të gdhinte e nesërmja. Pamë ndeshjen e Kombëtares sonë që humbi 5-0, në një lokal. Madje, edhe në lajme dëgjuam që dy futbollistë shqiptarë kishin qëndruar në Spanjë, pra ishin arratisur. U larguam sa më shumë nga hoteli që të mos dilnin të na kërkonin.

Po të nesërmen çfarë ndodhi?
Të nesërmen kontaktuam me një gazetar spanjoll që Ilir Sina i kishte mbajtur shënim emrin dhe telefonin kur ne sapo kishim mbërritur në Spanjë. Sina dinte pak italisht dhe e morëm në telefon.

Çfarë i thatë atij?
I thamë që kishim nevojë për ndihmën e tij, sepse kishim qëndruar në Spanjë dhe donim të kërkonim strehim politik. Ai erdhi dhe na çoi në një komisariat policie. Që ditën e parë ishte Kryqi i Kuq ai që na strehoi, na ofroi të gjitha shërbimet e duhura. Ndërsa ditën e dytë, shumë ekipe të zonës, një nga ata edhe Real Betis, që tani është në Ligën e Parë, na u ofruan për të na ndihmuar, për të na dhënë strehim, që të kishim mundësi të stërviteshim, që të mos rrinim te Kryqi i Kuq.

stroni1

Sa kohë qëndruat aty?
Unë qëndrova vetëm 5 muaj dhe u ktheva në Shqipëri.

Pse u kthyet?
Sepse FIFA të dënonte me një vit e gjysmë që të mos luaje futboll po të kërkoje strehim politik në atë kohë. Unë madje isha shumë i mërzitur dhe ia thashë edhe Sinës këtë. Në Shqipëri ndërkohë kishte rënë regjimi komunist dhe prindërit më thanë që po të kthehesha nuk do kisha asnjë lloj problemi. Kështu që, u ktheva prapë në Shqipëri, por lashë disa kontakte në Spanjë me disa menaxherë, që të më thërrisnin kur të shihnin të mundur që të luaja me ndonjë ekip, por të shkoja si profesionist dhe jo si emigrant. U ktheva kështu pas 5 muajve në Shqipëri.

Kur u kthyet, a pati nga ata shokë tuajt që ju thanë: “Pse ndenje”, ose “Çfarë na bëre…?
Jo, por kam një kujtim të hidhur me Saimir Malkon. Pata një eksperiencë shumë të keqe në atë kohë dhe është një njeri që më zhgënjeu tërësisht.

Pse, çfarë ndodhi?
Kur unë vendosa të qëndroja, mendova se nuk do të kthehesha kurrë në Shqipëri, sepse ikja jonë ishte në komunizëm. Prindërit e mi i hoqën nga puna dhe ua kishin bërë dokumentet për t’i internuar. Por ndarja ime me familjen u bë përgjithmonë, pa e ditur që sistemi monist do të binte pak muaj më vonë. Për këtë arsye, unë i dhashë Malkos një magnetofon për t’ia dhënë si kujtim familjes sime. Por, për fat të keq, ai e mbajti për vete dhe nuk ua dha. Kur u ktheva pas 5 muajsh, e pyeta dhe më tha se ia kishin mbajtur në doganë, por e vërteta është që e kishte marrë për vete. Në doganë nuk i kishin mbajtur asgjë ekipit. Madje, ai kishte parakaluar me magnetofonin në dorë para Kliton Bozgos. Të them të drejtën, ky veprim i tij mua më zhgënjeu.

Ju u kthyet në Shqipëri, por pas dy vitesh ikët sërish në Spanjë. Pse?
Kur u ktheva, kisha një problem të madh me stresin, sepse mendja ime ishte të kthehesha sërish në Spanjë. Por ama, isha gjithmonë në pritje për të më marrë një menaxher apo një ekip spanjoll që të më jepte vizën. Ata pesë-gjashtë muaj që jetova në Spanjë më bënë që të mos jetoja më dot pastaj këtu.

stroni

Pse e kishit mendjen andej?
Sepse e pashë ndryshimin e jetës dhe e kisha mendjen vetëm në Spanjë. Gjatë kohës që qëndrova në Shqipëri, luajta me Apoloninë për të mbajtur veten në formë. Prisja derisa të më thërriste menaxheri që më solli përfundimisht përsëri në Spanjë, Karlos Suiarte. Por ama kaloi një vit e ca pasi u ktheva në Shqipëri dhe ai nuk më gjente dot ekip. Në atë kohë ishte e vështirë, sado që i thuhej se isha kapiten i Shpresës që luajti në Spanjë. Dërgonim video, por ishte e vështirë të gjenim një ekip. Madje, që unë të shkoja, organizuan një turne me Partizanin dhe unë të luaja me të kuqtë.

Pra, u organizua një turne në Spanjë nga klubi i Partizanit vetëm që ju të iknit në Spanjë?
Po, erdhi Partizani këtu në Spanjë në vitin 1992. E gjithë kjo u bë më tepër që mua të më shihnin disa ekipe me të cilat menaxheri im kishte organizuar disa miqësore, në mënyrë që të më shihnin me Partizanin, një ekip të mirë dhe me emër. Kjo më ndihmoi, sepse unë me Partizanin u ktheva sërish në Shqipëri, por menaxheri më tha se tani do të gjente ekip, sepse skuadrat me të cilat u ndeshëm më kishin parë dhe kishin mbetur të kënaqur. Por ai më tha se duhet të kthehesha në Shqipëri që të vija sipas rregullave këtu, me vizë, me ftesë nga ekipi dhe kështu ndodhi. Në vitin 1993 Santiago Kompostela, që ishte në Kategorinë e Dytë në atë kohë, pretendente për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, më dërgoi ftesën.

Çfarë mendoni sot për futbollin shqiptar kur e shihni nga jashtë?
Edhe futbolli ka ndryshuar si çdo gjë në jetë. Interneti është diçka e fuqishme dhe ka një gjë të mirë: se të gjithë metodologjinë e punës mund ta përdorësh të njëjtën si në Shqipëri apo dhe në vendin më të humbur të Afrikës. Në kohën tonë, specialistët shkonin për specializim një muaj në Gjermani, por për një muaj nuk mund të mësoje gjithçka mbi teknikën, taktikën, mbi përgatitjen fizike. Sot këto lehtësira i ka futbolli në çdo vend, gjithashtu dhe në Shqipëri. Kam ende miq aty, një prej të cilëve menaxheri Elton Marini, që është i rëndësishëm aty. Sa i përket Shqipërisë, problemi i madh që shoh unë është drejtuesi. Drejtuesit janë njerëz që nuk kanë luajtur futboll, janë njerëz pa përgatitje, por kanë bërë pak lekë dhe atë e shfrytëzojnë që të kenë një dominim mbi specialistët. Dhe specialistë të vërtetë futbolli janë trajnerët, ata që kanë luajtur. Pra, nuk lënë specialistët që të kryejnë punën e tyre ashtu si duhet. Por kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, ndodh në të gjitha vendet ku korrupsioni dhe lekët janë në mes.

Çfarë ndjesie keni nga fakti që do të luhet një miqësore Shqipëri – Spanjë, nesër në Barcelonë?
Sa herë luan Shqipëria me Spanjën, gazetarët më intervistojnë… Për mua është një krenari e madhe që Shqipëria ka futbollistë si Bare, apo siç është Uzuni që tani luan me Granadën, apo edhe Balliu. Thoshte diçka Guardiola kur stërviste Barcelonën: “Jo se ne i kemi më të mira ekipet zinxhir se të tjerët, por ne kemi meritën që i fusim këta futbollistë të luajnë. Dhe, po i fute futbollistët të luajnë e të organizohen, sigurisht që do të kenë më shumë besim te vetja”. Dhe kjo ndodh edhe në Shqipëri: jo se më parë nuk kishte talente në Shqipëri, por problemi ishte se te futbollistët shqiptarë asnjëri nuk besonte. Nuk i kishim mundësitë që të ekspozoheshim në nivel europian dhe nuk ishim të përgatitur. Unë vetë nuk isha i përgatitur, edukata ime nuk ishte ajo që të kisha një jetë profesioniste, sepse vinim nga një brez tjetër, nga një edukatë tjetër. Nuk diskutohet që futbollistët shqiptarë përditë e më shumë do të shfaqen në nivel europian dhe do të kenë më shumë sukses, kjo nuk diskutohet.

A keni ndonjë peng në karrierën tuaj?
Në vitin 1994 kam prishur një kontratë në Kategorinë e Dytë, kontrata e parë profesioniste këtu në Spanjë, pikërisht se nuk isha i përgatitur. Unë gjithmonë e kam thënë që ne ishim profesionistë, sepse luanim futboll, por jeta jonë ishte e një njeriu të papërgatitur për këto nivele. Nëse ato mundësi kur isha 22 apo 23 vjeç do të më jepeshin tani që jam 50 vjeç dhe e shikoj botën në mënyrë tjetër, nuk diskutohet që do t’i kisha shfrytëzuar më mirë. Kurse në nivel personal, jeta ime është e organizuar, jetoj mirë, nuk më mungon asgjë. Them se kam triumfuar në jetë, ndërsa sa i takon futbollit, them se 50 për qind të fuqive të mia, të energjisë sime si futbollist i kam humbur në atë kohë në të tjera gjëra.

Ju ngacmova sepse kam parë në “Facebook” disa foto tuajat të vjetra dhe kam parë reagimet se sa shumë nostalgji kanë një pjesë, edhe e fierakëve…
Unë isha futbollisti i parë në Shqipëri që, nga shkolla e futbollit, se po të ishe në shkollën e futbollit në Tiranë nuk mund të luaje me Dinamon apo Partizanin, duhej të lëshohej një dekret nga ministria. Isha i pari futbollist që në moshën 16 vjeç kam firmosur me Dinamon. Dinamoja e Demollarit, e Abazit, e të tjerë kolosëve. Kjo u bë me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme. Unë isha në shkollën e futbollit dhe luaja me Dinamon. Kam qenë një talent. Me Apoloninë kam luajtur 17 vjeç, pastaj vitin tjetër kam luajtur me Apoloninë e Majacit dhe luaja pikërisht me Majacin në sulm. Por, isha 17, 18, 19 vjeç. Kur flet për Stronin në Fier, njerëzit mendojnë se ishte 27, 28 vjeç në atë kohë. Unë u them gjithmonë fierakëve se unë luajta 17, 18 dhe 19 vjeç tek Apolonia, sepse 20 vjeç erdha në Spanjë… Imagjinoni, që unë gjithë karrierën futbollistike 30 apo deri në 32 vjeç të kisha qëndruar tek Apolonia. Pa diskutim do të isha golashënuesi më i mirë i historisë së Apolonisë. Luajta me të shumë pak dhe lashë një kujtim shumë të madh, sepse talenti im ishte i madh, por ama përgatitja ime si futbollist dhe si profesionist nuk ishte e duhura. Dhe kur flas dhe tregoj historinë time, e tregoj që të rinjve, të cilët mund ta lexojnë këtë intervistëm të mund t’i ndihmojë.

Jeni i martuar?
Ligjërisht jo, por jetoj me një spanjolle dhe kam një fëmijë një vjeç e gjysmë.

Si ju kanë pritur spanjollët, sepse ka shqiptarë që në momente të caktuara, kanë ndier edhe një lloj përbuzjeje, sepse nuk duam ta quajmë doemos racizëm…
Jo, edhe racizmi ekziston, por të them të drejtën unë këtu në qytetin tim jam një njeri shumë i respektuar. Dhe ju lutem të më kuptoni, flas më mirë spanjisht sesa shqip. Kjo, pasi u bënë shumë vite këtu. Më ka ndodhur që të kem edhe 11 vjet pa ardhur në Shqipëri. Prindërit e mi për një kohë të gjatë jetuan këtu me mua dhe nuk e kam ndier largësinë, të them të drejtën.

Kur keni qenë për herë të fundit në Shqipëri?
Një vit më parë. Por unë nuk kam ndier përbuzje ose racizëm. Varet se si sillet njeriu. Ne kemi diçka, si shqiptarët dhe marokenët që vijnë këtu, kur shkojnë në një vend tjetër, nuk ingranohen me njerëzit e atij vendi për të mësuar, shfrytëzuar dijet, por për të jetuar bashkë në një geto të vogël duke kritikuar gjermanët, italianët etj. Në vend që të futen në jetën e tyre, të tregojnë kulturën e tyre dhe të mësojnë kulturën e vendit ku kanë shkuar. Se dhe kultura jonë është e pasur. Ne kemi shumë gjëra të mira, por jemi ne që ndahemi. Unë këtë e kam ndier dhe e kam parë këtë dhe me familjen time kur vinte këtu. Nuk ishin spanjollët që nuk i lejonin ata, ishin pikërisht këta që nuk i lejonin spanjollët të futeshin në jetën e tyre.

Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i paautorizuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të “Panorama Sport”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"