EKSKLUZIVE/ Akord me Arapin, presidenti Hasanbelliu: Gati super-Teuta, Shkurtaj u bë si… Ibrahimoviç (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2018 | 21:49

EKSKLUZIVE/ Akord me Arapin, presidenti Hasanbelliu: Gati super-Teuta, Shkurtaj u bë si… Ibrahimoviç (E PLOTË)

Pas mbrojtësit të djathtë Erlis Frashëri, është Renato Arapi goditja e dytë e Teutës në merkaton e dimrit. Edhe pse durrsak, mbrojtësi i majtë nuk ka luajtur asnjëherë me skuadrën e vendlindjes. Lajmin për transferimin e bujshëm e konfirmoi ekskluzivisht për “Panorama Sport” vetë presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu.

Ky i fundit tregoi planin në merkato, të vërtetën për Vasil Shkurtajn, si dhe bashkëpunimin e frytshëm me aksionerin Ardian Bardhi.

Hasanbelliu

Zoti Hasanbelliu, jeni i surprizuar nga kjo ecuri e ekipit në këto dy faza?

Të jem i sinqertë, që në fillim kemi thënë se këtë sezon do të luftojmë për Kupat e Europës. Kam pritur edhe më shumë nga skuadra, pasi investimi që kemi bërë këtë sezon është i madh. Në aspektin e lojës mund të bëjmë më mirë, por gjithsesi jemi brenda objektivave. Skuadra do të forcohet edhe më tepër në merkaton e janarit dhe natyrisht që pritshmëritë tona si drejtues do të rriten.

Përveç mbrojtësit të djathtë, Frashërit, që rikthehet në Durrës pas 7 vitesh, a ka ndonjë lojtar tjetër që mund të na e konfirmoni zyrtarisht se keni arritur marrëveshjen?

Po, kemi arritur marrëveshjen me Renato Arapin. Lojtari është duke mbyllur dokumentacionin me klubin turk ku ishte në pjesën e parë të këtij sezoni dhe pasi të marrë letrat, do të firmosë për ne. Pra, ka dhënë OK-in dhe në momentin që merr lejekalimin, bëhet i Teutës. Vetë trajneri Shkëmbi ka folur dhe mendojmë se kemi bërë një afrim të rëndësishëm në mbrojtje. Njëkohësisht po tentojmë të marrim një sulmues, i cili do të jetë i huaj. Për momentin nuk kemi mbyllur gjë, por besoj se për pak ditë do të konkretizojmë gjithçka.

shkembi teuta hasanbelliu

Duke parë si kanë shkuar këto dy faza dhe mundësitë tuaja si klub, a duhet të guxojë Teuta edhe titullin kampion apo jeni i kënaqur vetëm me pjesëmarrjen në Europë?

Ne do të luftojmë deri në fund për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Europës, por nëse gjatë rrugës gjërat ecin shumë mirë, pse mos të tentojmë. Për mua skuadrat janë aty-aty, pra ato që luftojnë për zonën e kreut. Nuk shoh diferenca, kështu që nëse ka stabilitet në rezultate dhe angazhimi është i madh, atëherë titulli nuk mund të jetë tabu. Nëse skuadra ka harmoni dhe luan fort çdo ndeshje, duke pasur edhe pak fatin me vete, nuk mendoj se ka ndonjë gjë të pamundur.

Ka diçka që ju tremb për vazhdimësinë në kampionat?

Meraku im është që dua patjetër një sulmues cilësor, që ta na garantojë golat. Bashkë me ortakun tim, Ardian Bardhin, jemi të angazhuar maksimalisht për të afruar një futbollist shumë të rëndësishëm në sulm.

Në këtë fundvit po dalin në pah gjithnjë e më tepër probleme me vonesat e pagave në skuadrat e Superiores. Duket se jashtë kësaj krize mbetet Teuta, si është e vërteta?

Afrimi i Ardian Bardhit na ka dhënë një shtysë të madhe në aspektin financiar. Presim të përfundojmë edhe çështjen e aksioneve tashmë, teksa Bardhi do të marrë një pjesë të konsiderueshme. Te Teuta lojtarët janë të kënaqur, sepse rrogat i marrin në datën e caktuar, por në të njëjtën kohë nuk kanë munguar as shpërblimet për fitoret. Gjithçka është e qetë dhe trajneri ka luksin ta stërvitë në kushte optimale ekipin.

hasanbelliu

I besuat Bledi Shkëmbit në stol. Besoj i ka tejkaluar pritshmëritë tuaja?

Dihet që Bledin e kam pasur mik dhe për më tepër ka luajtur te Teuta. Jam i kënaqur me punën e tij dhe mendoj se çdo ditë që kalon, më i mirë do bëhet si trajner. Të mos harrojmë, është ende një trajner i ri.

Në ndeshjen ndaj Partizanit stadiumi u mbush, duke rikthyer interesimin e tifozëve durrsakë për Teutën. Mendoni se edhe tifozët tashmë besojnë se ky ekip mund t’i kënaqë?

Po, në atë takim kishte një interesim të madh, por më pas ne i zhgënjyem me rezultatin kundër Laçit. Na prishi pak punë ai barazim, por e rëndësishme është që është ngrohur atmosfera në qytet. Skuadra është më cilësore dhe tashmë të shpresojmë për një vit më të mbarë.

Si është e vërteta në lidhje me sulmuesin e Luftëtarit, Vasil Shkurtajn, për të cilin Kukësi pretendon se i ka blerë kartonin?

Është fryrë kjo çështje, Shkurtaj nuk është Ibrahimoviç. Nuk jemi takuar asnjëherë me lojtarin, thjesht kam telefonuar vetëm Golen (i referohet presidentit të Luftëtarit), duke marrë informacion për kontratën e tij. Kaq, asgjë më tepër. Lojtari të bëjë çfarë të dojë, por ne s’kemi interes për të, edhe nëse nuk shkon te Kukës.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"