“Ekipi nuk e ndien presionin”, flet Duro: Jemi skuadra më e mirë, sot më shumë vlejnë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2021 | 9:15

“Ekipi nuk e ndien presionin”, flet Duro: Jemi skuadra më e mirë, sot më shumë vlejnë…

Laçi ka sot mundësinë që të shlyejë atë që ndodhi fazën e shkuar, teksa Apolonia u bë skuadra e parë që mund në vitin 2021. Për sfidën ndaj skuadrës fierake, trajneri Shpëtim Duro ka një lajm të mirë se me përjashtim të Kirian Nuabuezes së pezulluar nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës për ngjarjet në Ballsh, pjesa tjetër e skuadrës është e plotë dhe pritet të mos ketë të tjera “firo” për kurbinasit. 

Shpetim Duro

Nisur nga kjo, pritet që edhe Mazrekaj dhe kapiteni Ignjatoviç të jenë në dispozicion të plotë të trajnerit për këtë përballje. Laçi është skuadra me ecurinë më të mirë në ndeshjet e fundit, teksa nga 21 pikë në 7 sfidat e fundit, ka koleksionuar 19 (vetëm 1 barazim me Partizanin dhe 6 fitore). Për “Panorama Sport”, Duro hedh “dorashkën” për të sfiduar të gjithë pretendentet, edhe pse e thekson se për të dhe skuadrën e tij ka vlerë vetëm 90-minutëshi i radhës, asnjë rezultat tjetër, qoftë edhe ndalesat e Partizanit apo Teutës.

Si e prisni ndeshjen me Apoloninë, cila është situata në skuadër dhe a ka diçka që ju shqetëson?

Në këtë fazë që është kampionati, sigurisht që është një ndeshje shumë e rëndësishme, si çdo takim. Në këto momente, skuadra është e përqendruar për ndeshjen ndaj Apolonisë.

Luani një ditë pasi keni mësuar rezultatet e rivalëve si Teuta dhe Partizani, e vendos kjo më tepër nën presion skuadrën?

Unë nuk kam fare impakt nga rezultati i Teutës ose i Partizanit. Jam i përqendruar te skuadra, te rezultati dhe te ndeshja me Apoloninë. E rëndësishme është që të japim maksimumin për të fituar ndeshjen.

Apolonia i mori pikë Partizanit, ndërsa Laçin e mundi në fazën e dytë. I druheni një ndeshjeje të tillë?

Patjetër që çdo kundërshtar do vlerësim maksimal. E patë që Apolonia ia mori një pikë Partizanit. Humbjen e vetme që kemi bërë ka qenë ajo ndaj Apolonisë, në vitin 2021. Por, nuk ka qenë një humbje reale, nuk ka qenë verdikti i fushës, por kanë qenë faktorë të tjerë që ndodhi ajo humbje.

Besoni se kjo javë mund të flasë për ju, duke kapur vendin e parë?

Realisht nuk më intereson fare kjo javë. Unë jam i fokusuar tek objektivi “Apolonia” për të fituar 3 pikët, sepse kampionati çdo javë ka ndryshime deri ën fund. Keni thëne se nuk fshiheni për titullin.

A ju penalizon fakti që lojtarët tuaj e kanë për herë të parë këtë gjë dhe mund të mos e mbajnë presionin deri në fund?

Aspak! Ne jemi të bindur për të shkuar deri në fund. Kemi besim te skuadra jonë. Jemi superiorë me të gjitha ekipet e tjera që pretendojnë për titull, kemi bilanc pozitiv. Në këtë aspekt skuadrën tonë e bëjnë akoma më të fortë. Kemi një nga skuadrat më të mira në këtë kampionat.

formacionet

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"