Ekipet e elitës me borxhe, zhvillohet seminari për “fair-play” por FSHF “e falimentuar”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2017 | 21:09

Ekipet e elitës me borxhe, zhvillohet seminari për “fair-play” por FSHF “e falimentuar”

Rregullore, programe dhe manuale se si klubet duhet të funksionojnë për të qenë anëtare të familjeve të futbollit në federata të ndryshme. Të tilla janë këshillat dhe direktivat që 55 federatat anëtare të UEFA-s kanë marrë në një seminar të zhvilluar në Budva disa ditë më parë. Mirëpo, duket që serioziteti i institucionit të futbollit në vend shkon deri në seriozitetin e personave që kanë qenë në delegacion dhe vetëm kaq.

seminar

“FALIMENTI” – Disa vite më parë, një nga futbollistët e Kombëtares mbeti pa skuadër, për shkak se ekipi i tij falimentoi dhe për këtë shkoi në kategorinë e katërt, nga ku ju desh të startonte edhe një herë nga zero. Por, rasti i Parmës në vendin tonë është krejtësisht i huaj dhe fare i panjohur. Në vendin tonë, nga skuadrat e elitës, deri në klubet e kategorive të ulëta, gjen probleme financiare pa fund.

BORXHET – Në elitë, Vllaznia është një nga skuadrat, e cila është pranuar publikisht nga drejtuesit, stafi teknik dhe lojtarët që është e papaguar prej disa muajsh. Jo vetëm kaq, por drejtoria e tatimeve ka bërë me dije që klubi ka disa miliona lekë (të vjetër) borxhe për fatura të pashlyera ndër vite. Për të vijuar sërish në elitë, është Flamurtari, i cili ka ende një borxh pezull në FSHF, ku askush nuk jep përgjigjen se si do të shlyhet ish-trajneri Gjoka për atë që i takon. Pra, klub që ka një çështje financiare të pambyllur me një ishpunëmarrës.

LLOGARITË FINANCIARE – Më tej, një emër i madh në futbollin shqiptar si Tirana vijon që të jetë skuadër në aktivitet, paçka se në të shkuarën janë akumuluar borxhe disa milionë lekë (të vjetër), për të cilat klubi i ka llogaritë bankare të bllokuara dhe drejtuesit aktualë janë të detyruar të gjejnë zgjidhje. Më tej akoma është rasti i Elbasanit, të cilit i janë bllokuar disa herë llogaritë bankare për çështje borxhesh, por ende vijon të jetë në kategoritë profesioniste. FSHF mjaftohet vetëm me seminaret, pasi në realitet “fair play financiar” është thjesht terminologji e huaj.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"